HISTORIA ËSHTË SHKRUAR…

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Nuk e kam ditur as imagjinuar që 20 vite më vonë, do të ndihem kaq mirë që kam udhëtuar nga Zvicëra në Gjermani për t’ia marrë një intervistë Gani Gecit për gazetën “Bota sot”, por që pastaj doli një libër që ende s’doli askush ta kundërshtojë. Ndoshta edhe pas 100 viteve nipat e mbesat e mia do të ndihen mire me aktivitetin tim, në zbardhjen e luftës çlirimtare të Kosovës! Fakti që ka qenë kohë me shumë rreziqe të shkruajsh për njerëzit e institucioneve të Kosovës së asaj kohe, më bënë të ndihem edhe krenar.
Dua ta theksojë se në këtë udhëtim ishim bashkë me Shefqet Jasharin-Strofci, të cilit vazhdimisht i jam mirënjohës. Ndersa librin e përgatitëm me Avdyl Gërvallen.
————————
UÇK-ja ËSHTË USHTRI E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

(copëz nga intervista e gani Gecit në librin “LUFTA PA MASKA”)

Më duhet të përmend një fakt të hidhur. Fjala është për një konflikt që më ndodhi me Idriz Mehmetin. Miftar Bajraktari ka dhënë shpirt në shtëpinë e hoxhës, babait të Idrizit nga Krasmirofci. Konflikti ishte për motive politike të më hershme dhe për dy grushtime. Bëhet problem i madh ushtarak. Kështu aktivizohet një njësi e më rrethon për të më arrestuar. Kur më rrethuan, kërkuan t’i dorëzoja armët. – Jo, – thashë, – armën nuk e dorëzoj, se nuk e kam rrokur për ta dorëzuar.

Po kush do të ma marrë, le të vijë! Kjo skenë ka ndodhur në qendër të Qirezit. Në atë njësi bënin pjesë do hajna që turreshin të çarmatosin ushtarët, ishin do krijesa të imëta që kanë bashkëpunuar me Serbinë pandërprerë, po pastaj morën pozita në UÇK. Ata ishin krejt njësiti i Prellofcit me Jakup Nurën në ballë. Kur dëgjoi fjalët e mia: – Pushkën mua s’ka as shqiptar, as shka që ma merr, se nuk e kam marrë për ta dorëzuar, pa u vrarë!, Jakupi e kuptoi situatën dhe më thotë: – Ani pra, po bisedojmë!, më thanë.

Kur dëgjojnë disa ushtarë të Oshlanit, të cilëve u kisha dhënë ndihmë në Oshlan, se këta më kanë rrethuar dhe se do luftojmë mes veti, vijnë dhe e rrethojnë njësitin e Prellofcit për të më dalë në ndihmë. Pastaj më kanë ardhur në ndihmë edhe fshati Llaushë. Ndërkohë vjen edhe Fehmi Lladrofci të cilin e kisha takuar në Ticë, por nuk njiheshim mirë. Ndërsa Ramizin, vëllain e tij e njihja më mirë, jemi njohur në Gjermani. Fehmiu ishte me Xheven dhe aty erdhi edhe Fehmi Nika nga Gllanasella. Fehmi Nika kishte thënë: – Për Zotin nuk kam mundur t’i ndihmoj Gani Gecit në luftë me shkije, por kësaj radhe do t’i ndihmoj! Shkuam në Rezallë për të biseduar, ndërkohë kishin ardhur për të më ndihmuar edhe Naim Geci, Habit Haziri, të shoqëruar nga shumë ushtarë të tjerë.

Më pyetën se ku preferoja të bisedojmë. Thashë shkojmë në Rezallë duke pasur parasysh se gjatë luftës së Shaban Polluzhës, Rezalla ka qenë nga fshatrat me të forta. Po edhe tash në këtë luftë Rezalla ka bërë shumë. Me përgjegjësi mund të them se ku kanë qenë njësitë e Rezallës dhe të Morines, jo vetëm që kanë rezistuar, por aty shkau nuk ka mundur të depërtojë. Vlen të thuhet se shkijeve u kanë shkaktuar humbje të mëdha dhe u kanë shkatërruar ty-tri tanke e disa autoblinda. Shkuam në Rezallë dhe hymë në një shtëpi. Fehmiu tha se ky do mbetet problem ushtarak dhe do ta çojmë deri në fund. I thashë Fehmiut, po ne jemi dy ushtarë të thjeshtë. Pra janë rrahur dy ushtarë dhe çka do që të ndërmerrni, mund të më jepni një dënim prej shtatë ditësh. Fehmiu tha, – këtë do ta çoj deri në Shtabin e Pëgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo ngjarje ka ndodhur në gusht të vitit 1998. Ne dinim se kemi pasur një komandant, që ishte Adem Jashari, më vonë për Drenicë ishte Sylejman Selimi dhe meqenëse komandantët e zonave, siç ka pohuar komandant Rremi, nuk e njihnin komandantin e Shtabit të UÇK-ës, atëherë del pohimi edhe i Ramush Hajredinit se Shtab të Përgjithshëm nuk kishte, e nuk kishte as Komandant të Përgjithshëm. Shtabi i Përgjithshëm ka lëshuar komunikata edhe sa ishte gjallë Adem Jashari. Atëhere këta që thirreshin në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së do duhej të na tregonin se sa komunikata i ka nënshkruar Komandanti legjendar Adem Jashari? Pra kishte vetëm komandantë zonash lufte pa hierarki vertikale të komandimit. Ndërkohë ka ardhur Sami Lushtaku dhe një oficier me emrin Agron dhe thanë se ai që del nga këtu pa u pajtuar do ta marrë barrën e Ushtrisë Çlirimtare në shpinë. Edhe pse ata nuk donin të pajtoheshim, unë thashë po, unë dua pajtimin.

Fehmiu tha: – Do t’i qërojmë hesapet deri në fund që nga dita e sotme! Unë thashë: – Nuk kam çka të qëroj hesape me askënd, se pushkë për shqiptarë nuk kam, por nëse dikush më del në rrugë do mbrohem! Nga unë kërkonin t’i dorëzoja armët dhe të më burgosnin, sipas një ushtari të Prellofcit (polic ushtarak) ma kishin caktuar edhe «burgun» në një kaçak të pulave. Pastaj i thashë Fehmiut se nuk doja të luftoja me vëllezër, sepse kishte mjaft forca serbe në Skenderaj, policë, ushtarë, paramilitarë etj. U propozova të shkonim e t’i sulmonim.

– Ejani – thashë – me mua kush të doni dhe e bëjmë një trimëri në Skenderaj. Kështu i shkaktojmë një dëm Serbisë po kryhet edhe puna jonë, se shkijet lehtë nuk na lëshojnë. Pra e bëjmë një punë patriotike kundër Serbisë e nuk na shan askush për vëllavrasje! U thashë se: -Nëse një shqiptar i afrohet tankut të shkaut njëqind metra, unë do t’i afrohem pesëdhjetë, e nëse dikush i afrohet pesëdhjetë metra, unë do t’i afrohem njëzet, po nëse dikush i afrohet tankut të shkaut dhjetë metra unë do ia ngjes shkaut për veshi! Kështu edhe kryhet puna me ne! Këtë ua përsërita dy herë. Këtë ia kam thënë edhe Rexhep Selimit edhe Fehmiut më herët në Likoc. Pastaj Sami Lushtaku insistoi dhe u pajtuam. Pas kësaj më pyet Fehmiu, se ushtar i kujt isha. I thashë se jam ushtar i Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e përsëriti pyetjen. Unë iu përgjegja përsëri:

– Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e Republikës së Kosovës!
– Jo! – tha – UÇK është vetëm UÇK!

– Prit, ngadalë! – i thashë – ta shpjegoj edhe unë qëndrimin tim: Unë njoh Ibrahim Rugovën për President të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshin kryeministër, Adem Demaçin përfaqësues të përgjithshëm të UÇK-ës, të cilin vetë ju e keni emëruar. Pra i njoh edhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ndërsa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e njoh se jam ushtar i saj dhe po e njeh tërë bota. UÇK-në e njoh se kam njohur si Komandant të saj Adem Jasharin, ushtar i të cilit kam qenë që nga viti 1991. Por nuk kam dëgjuar që ka kund në botë ushtri të rregullt pa qeveri dhe institucione! Atëherë Fehmiu tha:
– Ka puç ushtarak!?

– Po, nëse ka puç ushtarak, ndërrojini ata njerëz që përmenda! Ne dikush duhet të na prijë. Për mua s’ka shumë problem, se unë kam hyrë në luftë për të çliruar Kosovën e jo për të bërë puçe ushtarake! Mandej e pyeti vëllaun tim, pastaj iu drejtua Mehmet Gjelit: – Po ti ushtar i kujt je? – Jam ushtar i popullit tim! Pastaj i bërtiti; – A je ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? – Po more! – u përgjegj – dhe jam krenar për këtë! – Po ti? iu drejtua Haxhi Gecit, vëllaut tim i cili u përgjigj: – Jam ushtar i Republikës së Kosovës! I pyeti edhe të tjerët dhe përgjigjet ishin identike. Atëherë tha: – Do t’i shënoj këto gjëra dhe do t’i çoj në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së!

– Shënoj se nuk po flasim fshehtas! – i thashë – Fundja Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kam formuar edhe vetë, aksionet e para në Drenicë i kam bërë vetë! Jam nga luftëtarët e parë të Adem Jasharit dhe ku ka kërkuar ndihmë Drenica dhe Kosova i kam shkuar brenda mundësive. Prandaj shënimet tua për mua nuk kanë peshë! Ky rol i hetuesit, si i komisarëve politik nuk më ka pëlqyer tek Fehmi Lladrofci, përndryshe ka qenë një luftëtar trim dhe patriot e që për Kosovën dha edhe jetën, ra në fushën e nderit në fshatin Gllanasellë.
Por këta i komandonin nga Tirana njerëzit që nuk e kishin parë kurrë frontin me sy.

1 thought on “HISTORIA ËSHTË SHKRUAR…”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top