Historia e popujve si pasojë e karakterit të tyre

SHKRUAR NGA GUSTAVE LE BON

Historia e një populli rrjedh gjithmonë nga struktura e tij shpirtërore. Shembuj të ndryshëm. Si rrjedhin institucionet politike të Francës nga shpirti i racës. Pandryshueshmëria e tyre e vërtetë, edhepse ne na duket që ato po ndryshojnë. Partitë tona të ndryshme politike, nën emra të ndryshëm, synojnë qëllime politike të njëjta. Centralizimi dhe asgjësimi i iniciativës vetjake në dobi të shtetit. Si ndodhi që revolucioni françez e realizoi programin e monarkisë së lashtë. Antagonizmi midis idealeve të racës anglosaksone dhe idealit latin. Iniciativa e qytetarit e zëvendësuar nga iniciativa e shtetit. Shtojcë për parimet e parashtruara në këtë studim, për studimin ku krahasohet zhvillimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe republikave spanjollo-amerikane. Shkaqet e lulëzimit të disave e degradimit të të tjerave, pavarësisht nga institucionet e njëjta politike. Format e drejtimit dhe institucionet e kanë vetëm një ndikim shumë të dobët në fatet e popujve. Ky fat përcaktohet kryesisht nga karakteri i tyre.

Historia, në tiparet e saj kryesore mund të shqyrtohet si një parashtrim i thjeshtë i rezultateve që dalin nga strukturat psikologjike të racave.

Ajo rrjedh nga kjo strukturë, ashtu si organet e frymëmarrjes së peshqve nga jeta e tyre në ujë. Pa e njohur mirë strukturën shpirtërore të popullit, historia e tij do të duket si një kaos ngjarjesh që drejtohet nga rastësitë.

Por, kur e njohim shpirtin e popullit, atëherë jeta dhe historia e tij na del si pasojë e drejtë dhe fatale e veçorive të tij psikologjike.

Në të gjitha shfaqjet e jetës së kombit, ne gjejmë si rezultat veprimi shpirtin e pandryshueshëm të racës që e end dhe e përcakton fatin e saj.

Sidomos në institucionet politike shfaqet shpirti suprem i racës. Ne nuk e kemi të vështirë ta provojmë këtë me disa shembuj. Po e marrim në fillim Francën, d.m.th., një nga vendet që ka provuar përmbysjet më të medha, ku brenda disa vjetëve, institucionet kanë pësuar ndryshime në mënyrë rrënjësore, ku partitë duket që janë jo vetëm të ndryshme, por edhe të papajtueshme me njëra – tjetrën. Megjithatë, nëse i shohim këto parti që luftojnë vazhdimisht mes tyre nga pikëpamja psikologjike, atëherë do të konstatojmë se ato kanë në realitet nje fond krejt identik e që përfaqëson me besnikëri idealin e racës së tyre. Radikalët, monarkistët dhe socialistët e papajtueshëm mes tyre, me një fjalë, të gjithë mbrojtësit e doktrinave nga më të ndryshmet, synojnë me anë të etiketave të ndryshme, një qëllim kryesisht të njëjtë. Gllabërimin e shtetit nga individi. Ajo që të dy palët e dëshirojnë me epsh, është regjimi i vjetër e i centralizuar cezarian, shteti që rregullon e përbinë çdo gjë, e që i çliron ata nga domosdoshmëria për të shfaqur qoftë edhe iniciativën e mendimin më të vogël. Nuk ka rëndësi nëse pushteti i vendosur në krye të shtetit quhet mbret, perandor, president, komunë, sindikatë punëtore apo ç’farëdo qoftë, ky pushtet do të ketë patjetër një ideal dhe ky ideal është shprehje e ndjenjave të shpirtit të racës, e asgjë tjetër.

“I tillë është, shkruan vëzhguesi shumë i mprehtë Dypon Uajt, gjeniu i veçantë i Francës. Ajo nuk është në gjendje të ketë sukses në disa gjëra thelbësore e të dëshirueshme që kanë të bëjnë me zbukurimin ose me thelbin e qytetërimit po qe se nuk mbështetet ose nuk rritet nga qeveria e saj”.

Kështu pra, nervoziteti ynë ekstrem, prirja jonë e madhe për të qenë të pakënaqur me ekzistencën dhe ideja se qeveria e re do e bëjë jetën tonë më të lumtur, na çojnë drejt asaj që ne i ndërrojmë vazhdimisht institucionet tona, në kohën kur zëri i fuqishem i të parëve të vdekur që na udhëheq, na qorton, duke na thënë se ne i ndërrojmë vetëm fjalët dhe pamjen, por jo edhe zakonet. Pushteti i pavetëdijshëm i shpirtit të racës tonë është i tillë, saqë ne nuk i vejmë fare re iluzionet, viktimë të të cilave jemi.

Po ta përqëndrojmë vëmendjen vetëm te pamja e jashtme, atëherë sigurisht se është e vështirë të parafytyrosh një regjim tjetër i cili do të dallohej në mënyrë të dukshme nga i vjetri, se sa ai i formuar nga revolucioni ynë i madh. Por në realitet, dhe për këtë nuk ka pse të dyshojmë, revolucioni vetëm se e vazhdoi traditën mbretërore, duke mbyllur çështjen e centralizimit të filluar nga monarkia, disa shekuj më parë. Po qe se Luigi XIII dhe Luigi XIV do ngriheshin nga varret e tyre që të gjykonin të bëmat e revolucionit, atëherë ata pa dyshim do të ishin të detyruar të denonin disa nga veprimet e dhunshme që shoqëronin ato, por ata do e shikonin revolucionin si diçka që shkonte në harmoni të plotë me traditat dhe programet e tyre dhe do të kishin pranuar se në qoftë se ata do të kishin ngarkuar ndonjë ministër të vinte në zbatim këtë program, ai nuk do të mund ta bënte këtë gjë më mirë se e bëri revolucioni. Ata do të kishin thënë se qeveria më pak revolucionare që ka pasur ndonjëherë Franca, është pikërisht qeveria e dalë nga revolucioni.

Përveç kësaj, ata do të kishin konstatuar se gjatë një shekulli, asnjë nga regjimet e ndryshme që i kanë lëshuar vendin njëri-tjetrit në Francë, nuk është përpjekur ta prekë këtë çështje, duke e kuptuar mirë se ajo është produkt i zhvillimit të rregullt, vazhdim i idealit monarkist dhe shprehje e gjeniut të racës. Nuk ka dyshim se këta njerëz do të vinin nga bota tjetër dhe duke pasur një përvojë kolosale do të kishin bërë disa kritika e ndoshta do e kishin përqëndruar vëmendjen në faktin se “rendi i ri”, duke e zëvendësuar kastën shtetërore aristokrate me një kastë burokratike, krijoi në shtet një pushtet pa individualitet më të rëndësishëm se pushteti i aristokracisë së vjetër, sepse vetëm burokracia, duke i rrëshqitur ndikimit të ndryshimeve politike zotëron tradita, shpirtin bashkpunues, papërgjegjësi, përhershmëri etj., pra një sërë kushtesh të cilat detyrimisht e çojnë atë drejt asaj që të jetë sunduesja e vetme në shtet.

Unë, mendoj gjithashtu se ata nuk do të kishin ngulur shumë këmbë në një kundërshtim të tillë, duke mbajtur parasysh se popujt latinë kujdesen shumë pak për lirinë. Latinëve më shumë iu intereson barazia, sepse përmes saj ata e durojnë shumë lehtë çdo lloj despotizmi dhe mjafton që ky despotizëm të jetë pa individualitet. Ndoshta ata do i kishin quajtur krejt të tepërt dhe shumë tiranike ato rregulla e vendime të panumerta, ato mijëra pengesa që sot rethojnë edhe aktin më të vogël të jetës dhe do të kishin vënë re se po qe se shteti do t’i gëlltisë të gjitha, do të vërë pengesa kudo, do t’ua heqë qytetarëve çdo lloj iniciative, atëherë ne do të ndodhemi në majat e “sferave”, ose në mungese të njohurive matematike që na mësojnë se pasojat rriten me progresion gjeometrik ndërkohë që shkaqet ngelen po ato, do t’u kishin dhënë atyre mundësinë të kuptojnë se socializmi nuk është gjë tjetër përveçse shprehje ekstreme e idesë monarkiste, për të cilën revolucioni ishte vetëm një fazë përshpejtuese.

Kështu pra, në institucionet e ndonjë populli ne i gjejmë rrethanat e rastësishme që i kemi përmendur në fillim të ketij studimi, si dhe ligjet themelore të cilat jemi përpjekur t’i përcaktojmë. Rrethanat e rastësishme i krijojnë vetëm emërtimet, pamjen e jashtme, ndërsa ligjet themelore rrjedhin nga karakteri popullor dhe vendosin fatin e kombeve. Shembullit që kemi dhënë më lart mund t’i kundervejmë shembullin e një race tjetër, asaj angleze, struktura psikologjike e të cilës është krejt e ndryshme nga ajo françeze.

Si pasojë vetëm e këtij fakti, institucionet e Anglisë dallohen rrënjësisht nga ato të Francës.

Te anglezët, si e patën në krye një monark (Angli), apo president (SHBA), mënyra e tyre e drejtimit të shtetit do të jetë gjithmonë e njëjtë, me karakteristikën bazë ku veprimtaria e shtetit do të reduktohet deri në minimum, ndërsa veprimtaria e individëve do të shtohet deri në maksimum, diçka që është diametralisht e kundërt me idealin latin. Portet, kanalet, hekurudhat dhe institucionet mësimore do të krijohen e do të mirëmbahen gjithmonë nga iniciativa private dhe asnjëherë me iniciativën e shtetit.

As revolucionet, as kushtetutat e as deputetët nuk munden t’i japin ndonjë populli ato veti e cilësi të karakterit të cilat ai nuk i ka, ose t’ia heqin atij cilësitë e karakterit që i posedon dhe nga të cilat rrjedhin e varen drejtpërdrejt institucionet e tij.

Nuk thuhet kot se çdo popull e meriton atë formë sundimi që aktualisht e përjeton, dhe është gati se e pamundshme që atij populli t’i imponohet diçka tjetër në emër të idealit të lirisë. Është vetëm çështje kohe kur tiparet e karakterit të trashëguar me shekuj shpërthejnë dhe gjejnë zbatim edhe në rrethanat e imponuara.

Arsyetimet e shkurtëra që kam bërë më lart, tregojnë se institucionet e popullit e përbëjnë shprehjen e shpirtit të tij dhe se, ndërrimet në pamjen e jashtme, nuk mund t’a ndryshojnë kurrë bazën e tyre.

Tani do të tregojmë me shembuj edhe më të qartë se deri në cilën shkallë, shpirti i ndonjë populli e drejton fatin e tij dhe se çfarë roli të papërfillshëm luajnë institucionet në fatin e tij historik.

Këta shembuj po i marr në vendin ku banojnë krah për krah, pothuajse në të njëjtat kushte mjedisore, dy raca europiane njësoj të qytetëruara e të zhvilluara, por që dallohen vetëm nga karakteri i tyre.

E kam fjalën për Ameriken, e cila përbëhet nga dy pjesë që ndahen nga një rrip toke. Madhësitë e secilës pjesë janë pothuajse identike, tokat janë shumë të ngjajshme. Njëra pjesë u pushtua e u banua nga raca angleze, ndërsa tjetra nga ajo spanjolle. Të dyja këto raca jetojnë nën kushtetuta të njejta republikane, sepse të gjitha republikat e Amerikës së jugut i kopjuan kushtetutat e tyre nga kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Kështu pra, nuk kemi asnjë shkak që të shpjegojmë fatet e ndryshme të këtyre popujve, përveçse ndryshimeve racore dhe le të shohim se ç’farë kanë prodhuar këto ndryshime.

Le të paraqesim më parë me disa fjalë tiparet e racës angleze që ka populluar Shtetet e Bashkuara. Në botë, nuk ekziston asnjë strukturë që i afrohet kësaj race.

Tipat mbizotërues të kësaj strukture shpirtërore nga pikëpamja e karakterit janë: vullneti (i afërt me të romakëve), energjia e pashterrshme, iniciativë private shumë e madhe, vetpërmbajtje absolute, ndjenja e pavarësisë që shkon deri atje, që ata i bënë shumë pak të shoqërueshëm, aktivitet shumë i fuqishëm, ndjenja fetare shumë të qëndrueshme, një moral shumë i qëndrueshëm dhe një kuptim shumë i qartë për detyrën.

Nga pikëpamja intelektuale është e vështirë të japësh një karakteristikë të posaçme pa i spikatur ato cilësi të veçanta të cilat nuk i gjen dot te kombet e tjera të qytetëruara. Mund të flasim vetëm për logjikën e shëndoshë që i lejon ata të heqin dorë fluturimthi e të kthehen në anën praktike e pozitive të gjërave, duke mos u endur shumë gjatë me kërkime të kota. Qëndrimi i tyre shumë i gjallë ndaj fakteve dhe qëndrimi i qetë e i ekuilibruar ndaj ideve të përgjithshme e traditave fetare.

Kësaj karakteristike të përgjithshme duhet t’i shtojmë edhe atë optimizëm të plotë të njeriut, rruga jetësore e të cilit është krejt e qartë, e i cili as që mendon ta ndërrojë këtë rrugë me një tjetër më të mirë. Ai e di gjithmonë se çka kërkon atdheu, familja dhe feja e tij. Ky optimizëm shkon deri aty sa e bënë atë të shikojë me përbuzje çdo gjë të huaj. Në Angli, kjo përbuzje për të huajt dhe zakonet e tyre, ia kalon edhe asaj përbuzje që ndjenin romakët në epokën e madhështisë së tyre për barbarët. Përbuzja është e tillë, saqë, në lidhje me të huajin, zhduket çdo rregull morali. Nuk ka asnjë politikan anglez, që në lidhje me të huajt, të mos i quaj krejt të ligjshme ato veprime që mund të shkaktojnë zemërim të përgjithshëm po qe se do beheshin krime ndaj bashkatdhetarëve të tij. Nuk ka dyshim që kjo përbuzje për të huajt, nga pikëpamja e mirëqenjes popullore, rezulton të jetë tepër e dobishme.

Siç e ka vënë mirë në dukje gjenerali anglez Uollsej, kjo përbuzje ndaj të huajve është njëra nga ato cilësitë që e formojnë fuqinë e Anglisë. Dikush e ka thënë shumë me vend, lidhur me refuzimin e anglezëve (e meqë ra fjala krejtësisht të bazuar) që të jepnin leje për ndërtimin e një tuneli nën La Mansh, e i cili do ti lehtësonte marrëdhëniet e Anglisë me kontinentin, se anglezët bëjnë po aq përpjekje sa edhe kinezët për të penguar çdo ndikim të huaj që të depërtojë tek ata.

Të gjitha vetitë që i përmendëm më lart mund t’i gjesh te shtresat e ndryshme të popullsisë. Nuk mund të përmendësh asnjë element të qytetërimit anglez, ku këto cilësi të mos e kenë vënë vulën e tyre të dukshme.

A nuk e mahnit ky fakt çdo të huaj që shkon për herë të parë në Angli? Ai, i huaji, e vë re kërkesën për një jetë të pavarur në banesën e punëtorit më modest, banesë vërtetë e vogël dhe e ngushtë, por e mbrojtur nga çdo detyrim dhe e veçuar nga çdo lloj fqinjësie. Në stacionet më të frekuentuara, rregullin e mbajnë vetë qytetarët, pa pasur nevojë që këtë rregull ta mbajnë policët apo xhandarët. I huaji në Angli do e gjejë dhe sheh me sy energjinë e racës, qoftë në punë, ashtu edhe në zellin e nxënësit apo studentit, i cili, i mësuar të kujdeset për veten e tij që kur ka qenë i vogël, e vazhdon këtë kujdes duke e ditur se në jetë, askush nuk do merret me fatin e tij, përveçse atij vet. Në Angli, i huaji do të shohë që profesorët studiojnë dhe i japin rëndësi e i kushtojnë vëmendje të veçantë përpunimit të karakterit, të cilin e quajnë një nga motorët më të mëdhenj të botës.

E ngarkuar me kompetenca nga mbretëresha e Anglisë për të përcaktuar kushtet e marrjes së çmimit të përvjetshëm që ajo e cakton për kolegjin e Uellingtonit, princi Albert vendosi që ky çmim do t’i ndahej jo atij studenti që ka përparuar më së shumti në përvetësimin e shkencave, por atij që do të çmohet se e ka karakterin më të mirë e më të lartë.

I gjithë arsimi ynë (duke kuptuar me këtë atë që ne e quajmë arsim i lartë), konsiston në detyrim për rininë tonë që të thotë e të riprodhojë leksionet që japin profesorët dhe, rinia, më vonë e ruan këtë zakon deri në atë shkallë, saqë vazhdon të përsëritë po ato gjëra që ka mësuar gjatë gjithë jetës së saj.

Duke vërejtur jetën shoqërore të qytetarit anglez, i huaji do të shohë, se aty ku lind nevoja për të meremetuar burimin e ujit në fshat ose të ndërtohet një port detar apo një hekurudhë, anglezët i drejtohen gjithmonë iniciativës private e jo shtetit. Duke vazhduar me vrojtimet e tij, i huaji shpejt do të mësojë se ky popull, pavarësisht nga të “metat” që e bëjnë atë si kombin më të padurueshëm në sytë e të huajit, është i vetmi popull i lirë, sepse vetëm ai e ka mësuar artin e vetadministrimit dhe ka arritur t’i lërë qeverisë një minimum të pushtetit real.

Po të lexosh mirë dhe me vëmendje historinë e popullit anglez, do të shohësh se ai ka qenë populli i parë që ia ka arritur të çlirohet nga çdo sundim, si nga sundimi i kishës, ashtu edhe nga sundimi i autokratëve. Që në shekullin e XV Fortesko i kundërvuri ligjit romak, që është trashëgim i popujve latinë, ligjin anglez. I pari është i mbushur me frymë autokratike në dëm të individit, ndërsa tjetri është punë e vullnetit të përbashkët e i gatshëm të mbrojë individin.

Një popull i tillë, kudo që shpërngulet në rruzullin tokësor, dalngadalë do të bëhet sundues dhe do i vejë themelet e perandorive të fuqishme.

Po qe se raca e shkallëzuar prej tyre, për shembull lekurëkuqtë në Amerikë, është e dobët dhe e padobishme, ajo do të ç’rrënjoset sistematikisht. Por në qoftë se raca e skllavëruar, për shembull popujt e Indisë, është shumë e madhe në numër që të mund të asgjësohet dhe ndërkohë që ajo mund të bëjë punë produktive, atëherë ajo do të vendoset në një varësi të ashpër dhe do të jetë e detyruar të punojë për zotërinjtë dhe padronët e saj.

Për një vend të ri, të tillë si Amerika, mund të vërejmë veçanërisht ato suksese të mahnitshme që janë pasojë e e strukturës shpirtërore të racës angleze. Të shpërngulur në një vend pa kulturë, të populluar nga disa fise të egra, e duke mos pasur mundësi të mbështeten e ndihmohen nga askush, por vetëm nga vetja e vet, raca angleze i ka arritur ato që nuk i ka arritur askush para saj. Atyre iu deshën më pak se një shekull që të dalin në radhën e parë të shteteve të mëdha të botës dhe sot nuk gjendet askush që të jetë i zoti të hyjë në garë me ta. Unë ju rekomandoj të lexoni librin e M.Ruzesë për Shtetet e Bashkuara, për formimin e ndërmarrjeve të mëdha, për themelimin e qyteteve, shkollave, porteve, hekurudhave etj. etj. Veprimtaria private është ajo që e bëri maksimumin, kurse veprimtaria e shtetit u reduktua deri në një shkallë të tillë, sa që, neve na duket se atje pushteti shtetëror nuk ekziston më. Përveç policisë dhe përfaqësive diplomatike, nuk e gjen dot se për çfarë tjetër ju duhet shteti. Në Shtetet e Bashkuara mund të merresh me veprimtari bamirësie vetëm me kusht që të kesh veti të karakterit, të tilla si ato që sapo i përmenda më lart dhe ky është shkaku, që emigrimet e të huajve nuk munden ta ndryshojnë shpirtin bazë të racës. Madje, kushtet e ekzistencës janë të tilla, saqë, ai që nuk i ka këto veti, është i dënuar të marrë fund.

Në këtë atmosferë të ngopur me pavarësi e energji mund të jetojë vetëm anglo-saksoni. Italiani atje, vdes nga uria, ndërsa irlandezit i duhet të bëjë vetëm punët e rëndomta.

Sigurisht që kjo republikë e madhe është toka e lirisë, por ajo nuk është as toka e barazisë, e as toka e vëllazërisë. Në asnjë vend të botës, seleksionimi natyral nuk ndjehet më fort se atje. Ai shfaqet atje pa pikën e mëshirës dhe pikërisht për hirë të kësaj mungese mëshire, raca për formimin e të cilës ai seleksionim ka kontribuar, e ruan fuqinë dhe energjinë e saj.

Në tokën e Shteteve te Bashkuara nuk ka fare vend për të dobëtit e të paaftët. Individë të veçantë dhe raca të tëra janë të dënuara të vdesin vetëm e vetëm për shkakun se ata janë racë e ulët.

Lëkurëkuqtë, meqenëse ishin të padobishëm, u asgjësuan me zjarr, hekur e uri. Punëtorët kinezë, puna e të cilëve përbën një konkurrencë shumë të pakëndshme, do të pësojnë së shpejti të njëjtin fat. Ligji, sipas të cilit ata duhet të dëboheshin, nuk mund të zbatohej për shkak se kërkonte shpenzime kolosale për t’u vënë në jetë. Por, edhe pa këtë ligj, ata do të asgjësohen sistematikisht, gjë që ka filluar të praktikohet në disa rajone. Të tjera ligje janë votuar tani vonë me qëllim që të pengohet hyrja në territorin amerikan e emigrantëve të varfër. Për sa u përket zezakëve që shërbyen si pretekst për luftën, luftë mes atyre që ishin pronarë skllevërish dhe atyre që vetë nuk zotëronin skllevër por që nuk donin të linin edhe të tjerët të zotërojnë skllevër ekziston një pikë bashkuese. Te dy palët, zezakët nuk i durojnë në shoqëri, për shkak se ata janë gjithmonë të lidhur me ato veprime të ulëta, me të cilat nuk do të donte të merrej asnjë qytetar amerikan. Në teori, ata i kanë të gjitha të drejtat, por në praktikë, me ta sillen si me ca kafshë të dobishme që mundohen t’i heqin qafe kur ato bëhen të rrezikshme. Ekzekutimi i shpejtë, sipas gjyqit të Linçit, pranohet kudo si ligj korrekt për ta. Në krimin e parë serioz që kryejnë, ata i pushkatojnë ose i varin. Statistika që pasqyron vetëm një pjesë të këtyre ekzekutimeve, ka regjistruar 1100 të tilla vetëm në shtatë vitet e fundit. Sigurisht që kjo është anë e errët e medaljes po qe se do të duhej të përcaktonim me një fjalë të vetme ndryshimin ndërmjet Europës kontinentale dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA përfaqëson në vetvete maksimumin e iniciativës private, ndërsa Evropa është maksimumi i asaj që mund të japë rregullorja zyrtare. Në SHBA, iniciativa private është krejtësisht e lirë nga çdo regullore zyrtare. Këto dallime thelbësore janë pasoja të karakterit. Socializmi europian nuk ka shansa të përshtatet e të zërë vend në truallin e kësaj republike të ashpër. Duke qenë shprehja e fundit e tiranisë shtetërore, socializmi mund të lulëzojë vetëm te racat e vjetra që i janë nënshtruar gjatë shekujve regjimeve që u kanë hequr çdo aftësi për t’u vetëdrejtuar.

Ne po e shohim se ç’farë ka krijuar në njërën pjesë të Amerikës raca që ka një strukturë të njohur shpirtërore dhe në të cilën mbizotërojnë energjia dhe vullneti. Tani na mbetet të shpjegojmë se çka ka ndodhur me një vend pothuajse të njejtë, e që ndodhet në duart e një race tjetër shumë të zhvilluar, por që nuk i posedon ato cilësi të karakterit për të cilat folëm më lartë.

Amerika e Jugut nga pikëpamja e pasurive të saj natyrore është një nga vendet më të pasura të rruzullit. Dy herë më e madhe se Europa dhe me popullsi dhjetë herë më të vogël. Ajo nuk njeh mungesë për tokë dhe ndodhet si të thuash në dispozicion të secilit. Popullsia e saj mbizotëruese është e prejardhjes spanjolle dhe është e ndarë në shumë republika, si: Argjentina, Brazili, Kili, Peruja etj. Të gjitha këto republika e kanë huazuar rendin politik nga Shtetet e Bashkuara dhe jetojnë rrjedhimisht nën të njëjtat ligje. Por, megjithatë, vetëm si pasojë e ndryshimit në racë, d.m.th. si pasojë e mungesës së atyre vetive themelore që i ka raca që i popullon Shtetet e Bashkuara, të gjitha këto republika, pa asnjë përjashtim, janë viktima të përhershme të anarkisë më të përgjakshme dhe pavarësisht nga pasuritë përrallore të truallit të tyre, njëra pas tjetrës falimentojnë dhe bien pre e grabitjeve dhe despotizmit. Duhet të lexoni studimin e mrekullueshëm e të paanshëm të Çajlldit për republikat amerikano-jugore që të mund të kuptoni përmasat e rënies së tyre. Shkaqet e kësaj gjendje i kanë rrënjët në strukturën shpirtërore të racës që nuk ka as energji, as vullnet, e as moral. Sidomos situata e moralit ia kalon të gjitha të këqijave që na ndjekin ne në Europë.

Duke sjellë si shembull një nga qytetet më të rëndësishme, Buenos Airesin, autori e shpallë qytetin si krejtësisht të pamundur për banim për ata që kanë ruajtur qoftë edhe sadopak moral e ndërgjegje. Lidhur me një nga republikat më pak të rrënuara, Argjentinën, po ky autor shton: “Studijoni këtë republikë nga pikëpamja tregtare dhe ju do të mahniteni nga amoraliteti i cili këtu del në pah në çdo hap”.

Për sa i përket pra institucioneve, asnjë shembull nuk na tregon më mirë se deri në ç’shkallë ato shpërfaqin produktin e karakterit racor dhe se sa e pamundur është që t’i transplantosh institucionet nga njëri popull te tjetri. Do të kishte qenë me interes të madh të dinim se çdo të bëhet me këto institucione liberale të Shteteve të Bashkuara, po qe se ato transplantohen te një racë më e ulët.

“Këto vende, vë në dukje Çajlld, duke folur për republikat e ndryshme spanjollo-amerikane, ndodhen nën pushtetin e presidentëve që kanë po aq pushtet personal sa edhe Sulltani i Perandorisë Osmane, madje pushtet edhe më të pakufizuar, meqë ata janë të mbrojtur nga bezdia dhe ndikimi i diplomatëve të Europës. Personeli administrativ përbëhet vetëm nga shërbëtorët e tyre. Qytetarët votojnë për atë që u duket më e mirë, por ata nuk i kushtojnë asnjë vëmendje votave të tyre.

Republika e Argjentines, është republikë vetëm sa i përket emrit, kurse në realitet, ajo është një oligarki njerëzish që e ngatërrojnë politikën me tregtinë e leverdishme për ta.”

I vetmi vend që i ka shpëtuar sadopak kësaj rënie të madhe është Brazili, dhe kjo ka ndodhur për shkak të regjimit monarkist që e kufizon pushtetin dhe e lufton korrupsionin. Por, ky regjim mjaft liberal për këto raca pa energji e pa vullnet, në fund të fundit u përmbys dhe menjëherë vendi ra në anarki të plotë. Për dy apo tre vjet, njerëzit që erdhën në pushtet e grabitën arkën e shtetit deri në atë nivel, saqë u desh të rriteshin taksat me 60%.

Sigurisht se rënia e racës latine që popullon Amerikën e Jugut shfaqet jo vetëm në politikë, por edhe në të gjithë elementet e qytetërimit.

Të lëna në mëshirë të fatit, këto republika fatkeqe do të ishin kthyer në një barbarizëm të pastër. Por, e gjithë industria dhe e gjithë tregtia ndodhen në duart e të huajve, anglezëve, amerikanëve e gjermanëve. Valparaiso është bërë një qytet anglez dhe në Kili nuk do të kishte ngelur më asgjë po qe se në te nuk do të ishin të huajt. Vetëm për hirë të tyre këto vende kanë ruajtur njëfarë lustre të jashtme që ta kujton Europën. Republika e Argjentinës numëron 4 milion të bardhë të origjinës spanjolle. Nuk e di a është e mundur që nga ata të përmend ndonjë emër përveç të huajve që të jetë në krye të ndonjë ndërmarrje të madhe.

Kjo rënie e tmerrshme e racës latine në krahasim me lulëzimin e racës angleze që ndodhet në të njëjtin vend, përbën një nga eksperimentet më të dhimbshme dhe më mësimdhënëse për të vërtetuar ligjet e psikologjisë së popujve.

Nga këta shembuj, ne e shohim se populli nuk mund të shpëtojë nga ajo që rrjedh si pasojë e strukturës së tij shpirtërore, por edhe po qe se arrinë të shpëtojë disi, kjo ndodhë në momente shumë të rralla, ashtu si rëra e ngritur lart nga stuhia që duket sikur u shkëput nga ligji i tërheqjes universale, por, ky vrojtim, pas një kohe, shndërrohet në atë iluzionin për të cilin kam folur gjerë e gjatë.

Për mendimin tim, të besosh se format e qeverisjes dhe kushtetutat kanë një rëndësi të caktuar për fatin e një populli, kjo është sikur të shohësh ëndërra fëminore në nivelet akademike. Fatin e popullit e ka ai vetë në dorën e tij dhe ky fat nuk mund të imponohet nga rrethanat e jashtme. E tëra që mund ta kërkosh nga qeveria, është që ajo të jetë shprehëse e ndjenjave dhe ideve të popullit të cilin ajo e drejton. Nuk ekzistojnë mënyra drejtimi ose institucione për të cilat mund të themi se ato janë absolutisht të mira ose absolutisht të këqija.

Unë pohoj që drejtimi i mbretit të Dakomeit është drejtim shumë i mirë për popullin që ai drejton. Edhe kushtetuta më e stërholluar europiane do të kishte qenë për këtë popull më e padobishme se regjimi i formuar prej tij. Ja pra se çfarë injorojnë për fat të keq shumë burra shteti që mendojnë se forma e drejtimit është e eksportueshme dhe se kolonitë mund të drejtohen me institucionet e metropolit. Do të ishte njësoj sikur të përpiqeshim t’i bindnim peshqit që të jetonin në ajër, meqë të gjitha kafshët jetojnë duke marrë frymë në te. Si pasojë e vetme e ndryshimit në strukturën shpirtërore, popujt e ndryshëm nuk munden të rrijnë më gjatë nën të njëjtin regjim. Irlandezi dhe anglezi, sllavi dhe hungarezi, arabi e françezi mund të mbahen nën të njëjtat ligje me vështirësi shumë të mëdha, me çmimin e revolucioneve të pandërprera nga ana e tyre.

Perandoritë e mëdha që përbëhen nga popuj të ndryshëm janë të destinuara të kenë një ekzistencë të përhershme, e në rastet kur ato kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, si perandoritë e mongolëve dhe pastaj anglezët në Indi, kjo nga njëra anë ka ndodhur sepse racat vendase kanë qenë të shumta në numër dhe aq të ndryshme e rrjedhimisht edhe aq armiqësore me njëra-tjetrën, saqë, as që mund të mendonin që të bashkoheshin kundër të huajve. Nga ana tjetër, këta të huaj, sundues, kanë pasur një instinkt politik mjaft të zhvilluar dhe e kuptonin se zakonet e popujve të robëruar duhet të respektohen dhe i lejonin ata të jetonin sipas zakoneve të tyre.

Duhet të shkruhen shumë libra e madje të rishkruhet e gjithë historia, duke e parë atë nga një këndvështrim krejt tjetër po qe se studiuesit do t’i vinin vetes si qëllim të tregonin të gjitha pasojat që rrjedhin nga struktura psikologjike e popujve. Studimi më i thellë i saj mund të bëhej bazë për politikën dhe për pedagogjinë. Madje, ne mund të themi se ky studim do t’i shpëtonte njerëzit nga moria e gabimeve dhe nga shumë përmbysje politike, nëse popujt në përgjithësi, do të mund të evitonin të këqijat që rrjedhin nga cilësitë e racës së tyre. Kjo do të ndodhte, nëse zëri i arsyes nuk do të mbytej gjithmonë nga zëri autoritar i paraardhësve pushtetmbajtës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top