HIJA E DIKTATORIT DHE DËNIMI I KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

New York Times i kushtonte një artikull të gjatë në faqen e parë, ish-komandantit komunist Alexandru Visinescu, i akuzuar për krime monstruoze në Rumani, deri në shembjen e regjimit të Çausheskut. E, megjithatë, sipas ekspertëve, Visinescu duket se do t’ia hedhë paq. Ai jo pa qëllim është akuzuar për gjenocid. Duke pasur parasysh që gjenocidi aplikohet për rastet e asgjësimit, pjesërisht ose tërësisht, të një grupi etnik ose fetar, dhe jo për represion politik, akuza sipas ekspertëve duket si një mjet për ta mbyllur dosjen pa asnjë rezultat.

E megjithatë, Rumania, që ashtu si Shqipëria janë ndër të vetmet vende në Evropën Juglindore dhe Qendrore që nuk i kanë dënuar krimet e komunizmit, duket se ka një shoqëri civile dhe intelektualë që po përpiqen të vënë përposhtë kulturën e mosndëshkimit, e cila ka nxitur korrupsionin e papërmbajtur në shoqëri dhe ka ngadalësuar përparimin e vendit.

A mund të thuhet e njëjta gjë në Shqipëri?

Përulja para monumentit të “Nënës Shqipëri” më 29 Nëntor, me foton e diktatorit më të egër të Evropës Juglindore në sfond, është një shenjë e qartë që jo. Sigurisht që kryeministri i vendit, apo aleati i tij në qeverisje, nuk e kishin parashikuar një gjë të tillë, çka padyshim do t’i dëmtojë jo pak në imazh, por protokolli neglizhent dhe mungesa e theksuar e vëmendjes tregon edhe një herë sa nevojë kemi për të shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën tonë makabre 50-vjeçare komuniste.

E pra, sot, kur vazhdimësia midis elitës komuniste dhe postkomuniste na çukit vazhdimisht në kokë përmes medias apo formave të tjera, ky i djeshmi duket një fakt kokëfortë që e shpjegon qartë se pse në Shqipëri ekziston ende një rezistencë e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist. Në këtë situatë, nëse të gjitha palët, duan të dalin të lara, është koha për të marrë një nismë serioze për të dënuar krimet e regjimit gjakatar komunist.

Rënia e regjimit që përdhunoi masivisht të drejtat e njeriut përmes vrasjeve dhe ekzekutimeve individuale e kolektive, vdekjeve në kampet e përqendrimit, vdekjeve në tharjet e kënetave, vdekjeve nga uria e torturat; me dëbime, internime, terror fizik dhe psikologjik, nuk u pasua me një hetim të krimeve; aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë me drejtësinë dhe nuk u kërkuan as falje viktimave të krimit komunist.

Jo më kot, dy rezoluta të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe konkretisht: Rezoluta 1096 (1996) “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” dhe Rezoluta 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, kërkojnë me ngulm dënimin e këtyre krimeve.

Ky dënim është tejet i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e brezit të ri për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Vetëm njohja dhe denoncimi i këtyre krimeve do të miredukonte brezat e rinj, do të respektonte sadopak viktimat e krimeve të regjimit totalitar komunist, si dhe familjet e tyre, si dhe do të ish një shenjë mirënjohjeje për qëndresën e tyre ndaj diktaturës. Të mos harrojmë: ky dënim do të siguronte edhe vlerësimin e atyre figurave që vërtet luftuan për idealin e lirisë së vendit, por u lanë në harresë, u retushuan nga propaganda e regjimit, ose akoma më keq u eliminuan nga pushteti i diktatorit. Vetëm kështu mund të mësojmë kush ka qenë vigan, e kush pigme.

Ka ardhur koha që klasa politike të dënojë krimet e komunizmit, e tok me median, shoqërinë civile e botën akademike të nisin një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë së sëmurë komuniste, duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeve, rivlerësimin e figurave të asaj periudhe, si dhe ngritjen e memorialëve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërshtinë e rezistencën ndaj regjimit totalitar.

Gabimi më i madh nuk është rënia në kllapi, por moszgjimi prej saj.

Gazeta Shqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.