Shkruan: Florim ZEQA
Publikimi i përgjimeve të aferës skandaloze “Pronto 2” nxori në sipërfaqe shumë të vërteta, për të cilat më parë flitej vetëm në mënyrë hipotetike. Pas bërjes publike të përgjimeve telefonike, folën ata që heshtën, ndërsa po heshtin ata që folën deri dje!
Thonë në disa raste, “heshtja është flori”, e në të tjera “miratim i së keqes”.
Mirëpo heshtja e dy krerëve shtetëror, e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa lidhur me përgjimet telefonike të “Pronto 2”, nuk u përket dy varianteve të sipërpërmendura. Heshtja e tyre është e llojit të veçantë, është heshtje që flet më shumë se një mijë fjalë.
Heshtja e dy krerëve shtetëror, është heshtje e turpshme, e cila në vete ngërthen dy gjëra; frikën nga Gjykata Speciale dhe servilitetin e skajshëm ndaj ndërkombëtarëve.
Bashkimi i Thaçit e Mustafës në koalicionin qeverisës, është bashkim i dy figurave kontroverse politike, i dy nëntokave politike, është bashkim i dy klasave diametralisht të kundërta,…por që kanë edhe disa gjëra të përbashkëta si; korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi dhe kapja e shtetit,…të përbashkët e kanë edhe të kaluarën e tyre gjatë periudhës së luftës çlirimtare, në “vjeljen” e mërgimtarëve përmes fondeve të 3 %-it dhe “Vendlindja Thërret”.
Ishin dhe janë dy grupacione politike, përveçse përfituan nga shpërdorimi i djersës së mërgimtarëve, u ngritën në majat e pushtetit duke bashkëpunuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin.
Ashtu si në luftë, edhe në paqe u bënë milionerë në kurriz të popullit të tyre
Përderisa heshtja e presidentit Thaçi, është e lidhur me pazarin politik për Kosovën me ndërkombëtarët në dëme të bashkëpartiakëve dhe ish bashkëluftëtarëve, për të shpëtuar “lëkurën” nga Gjykata Speciale,…kryeministri Mustafa hesht nga frika e keqpërdorimit të fondit të 3 % dhe bërjes publike të aferave korruptive dhe nepotizmit partiak dhe familjar.
Kryeministri i vendit, edhe para lidhjes së kurorës qeverisëse me rivalin partiak, i kishte punësuar njerëzit e vet nëpër Borde dhe Agjencione përmes SHIK-ut dhe nëntokës politike të PDK-së.
Ndërsa pas lidhjes së kurorës qeverisëse në mënyrën më të turpshme, me aktin e tradhtisë ndaj bllokut paszgjedhor V-LAN dhe elektoratit të LDK-së në veçanti, Isa Mustafa fillon invazionin e gjerë të punësimit të njerëzve të vet, militantëve partiak dhe argatëve të 3 % -it nga Diaspora,…duke i shpërblyer kështu me punësimin e familjarëve të tyre, anipse argatët e tij dhe vet ai, përveç shfrytëzimit të djersës së mërgimtarëve, asnjëri nga ta nuk e ka derdhur asnjë cent në fondin e 3 %-it.
Specifikë e argatëve të Isa Mustafës në Diasporë është fakti, se para lidhjes së kurorës qeverisëse me PDK-në e Thaçit “hajshi çelik” me dhemb nën sloganin mashtrues; “kurrë koalicion me PDK-në”, duke sharë e fyer strukturat e PDK-së, e në veçanti ish liderin e saj Hashim Thaçi.
Menjëherë pas rehatimit të djemve të tyre nëpër institucione shtetërore dhe qeveri nga ana e Mustafës me ndihmën e strukturave të SHIK-ut famëkeq dhe grupit mafioz “Pronto”, i ndryshuan fjalët, i harruan të gjitha premtimet, filluan së ngrënuri “qershiat e lagura”, duke i thurur edhe himne koalicionit qeverisës PDK-LDK.
Tani Isa Mustafa me sejmenët (argatët) e tij heshtin, nuk e flasin më asnjë fjalë të vetme për të bëmat e SHIK-ut, ndërsa gjithë ata që ngrisin zërin kundër kësaj qeverisje të keqe, i luftojnë në mënyra të ndryshme përmes metodave komuniste, duke i etiketuar si “përçarës politik dhe armiq të brendshëm partiak e deri në armiq të kombit shqiptar”!
Mjerimi i presidentit Thaçi
Heshtja ndaj përgjimeve të grupit “Pronto” dhe thirrja publike e presidentit Hashim Thaçi drejtuar qytetarëve të vendit, për mbështetjen ndaj “detyrimeve” që ka pranuar nga bashkësia ndërkombëtare për Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, si kushtëzime fillestare për liberalizimin e vizave, formimin e FAK-ut dhe proceset tjera integruese,…e vërtetonë katërçipërisht vasalitetin dhe mjerimin e presidentit të shtetit, të dorëzuar para presionit ndërkombëtar dhe kapitullimin para invazionit politik të fqinjëve tanë.
Fjalimi i Hashim Thaçit dhe përuljet e fundit para varrezave serbe në Grackë dhe Gorazhdec, në memorialin e të cilave, në gjuhën serbe shkruan; “Žertve shiptarskog terrora” (Viktimat e terrorit shqiptar), me ç’rast i bën përgjegjës shqiptarët për dyja rastet e pandriçuara akoma.
Me këto veprime të papërgjegjshme dhe qyqare Hashim Thaçi për më tepër i gjason një presidenti të zënë rob nën prangat e korrupsionit dhe shantazhit politik se sa një presidenti të shtetit më etnik dhe sovran (mbi 92% të popullatës shqiptare) në Ballkan.
Deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ditën kur duhet të votoni për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, duhet ta dini që jeni para një përgjegjësie historike, andaj ju të zgjedhurit e popullit me mosratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, përveçse e mbroni shtetin nga tkurrja territoriale, i çlironi presidentin dhe kryeministrin nga pengmbajtja ndërkombëtare,…për t’i hapur kështu rrugë sistemit të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare që të merret me fatin e tyre, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të vazhduar me grupin mafioz “Pronto” dhe nëntokat tjera politike dhe parapolitike në Kosovë.