HEROI SALI ÇEKAJ – E VËRTETA HISTORIKE E LUFTËS POLITIKE DHE USHTARAKE PËR PAVARËSINË SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Arbër Gashi, fjalë rasti në Akademinë Përkujtimore – 22 Prill 2017

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar organizator,
Vëllezër e motra shqiptarë!

Për mua personalisht, kjo është një mbrëmje e rëndësisë së veçant, sepse, Akademi Përkujtimore për heroin e kombit, Sali Çekaj, do të mbahen me siguri të plotë edhe në vitet e dekadat e ardhshme, por, ata ose ato që do të ligjërojnë, dikur nuk do ta kenë mundësinë dhe nderin e madh, që ligjëratën e tyre të rastit ta mbajnë në prani të protagonistëve, në praninë e familjarëve të afërt dhe në praninë e bashkveprimtarëve e bashkluftëtarëve të heroit. Andaj, kjo ligjëratë, në këtë Akademi Përkujtimore, bazohet në dëshmi dhe gjetje nga një proces i kujdesshëm hulumtimi, nga përvoja ime personale, ajo e protagonistëve të kohës, si dhe trashëgimia e pasur juridike, ushtarake e kulturore, e Mendimit dhe Veprimit Politik Shqiptar.

Zonja dhe zotërinj, jam plotësisht i vetëdijshëm, se përveç prezantimit dhe pranimit formal të dëshmive, kjo ligjëratë do t’i nënshtrohet detyrimisht edhe kritereve shkencore të vlerësimit, do të verifikohet nga gjykimi i kohës, si dhe nga bashkpunëtorët e bashkluftëtarët e heroit, disa prej të cilëve sonte i kemi këtu, dhe besoj se ata, mëpastaj do t’a japin mendimin e tyre përmes referencës, vërejtjes dhe vlerësimit personal.

Të nderuar të pranishëm, kur thellohemi në studim dhe analizojmë rrugën që e kanë trasuar heronjtë e luftës dhe të Mendimit Politik Shqiptar në shekullin e XX-të, kur ballafaqohemi me rezultatin që ka sjellur veprimtaria e tyre, qoftë si produkt final, apo si pasojë e logjikshme juridike e veprimtarisë së bazuar mbi bazat e këtij Mendimi, të gjithë ne, protagonist, studiues, gazetar apo të interesuar, do të ballafaqohemi me një mori pyetjesh tjera që kërkojnë përgjigje, që na ftojnë të hulumtojmë, të ballafaqohemi me faktet e shumta, të reflektojmë mbi gjetjet dhe, të gjitha këto sëbashku, të dokumentuara mirë e mirë, t’ia ofrojmë si vlerë të trashëgimisë së pasur historike, gjeneratave të ardhshme të kombit tonë.

Andaj, të mbedhur sonte këtu, në numër të mjaftueshëm dhe cilësi për admirim, do ta themi dhe do ta dëgjojmë me vëmendje të vërtetën shqiptare për heroin e kombit tonë, për Sali Çekajn, veprimtarinë dhe heroizmin e të cilit e stolisin atributet më të çmuara, më domethënëse dhe më përmbajtësore, e të cilat, si kritere të vlerësimit kombëtar, i ka vendosur trashëgimia jonë e pasur kulturore dhe historike.
Zonja dhe zotërinj,

Sali Çekaj, hero i kombit, si udhëheqës i grupeve të para të rezistencës ushtarake për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesi serb, duke i shërbyer me përkushtim të jashtëzakonshëm autorizimit të institucioneve të posaformuara shtetërore, duke i qëndruar besnik në çdo sfidë jetësore Deklaratës së Pavarësisë (2 Korrik 1990) dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës (7 Shtator 1990), në vitin 1991, pas përgatitjeve intenzive ushtarake në Shqipëri, sëbashku me ushtarët tjerë besnik të shtetit të posalindur, u kthyen të armatosur në Kosovë, duke kryer kështu me sukses të plotë, akcionin e parë të thyerjes së kufirit ndarës të trojeve shqiptare, në siujdhesën ilirike.

Sali Çekaj, sëbashku me heronjtë e kombit, Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin, kanë qenë shtyllat e para dhe kryesore të mbrojtjes institucionale e ushtarake të vullnetit politik dhe demokratik të popullit të Kosovës, të shprehur përmes Deklaratës së Pavarësisë (2 Korrik 1990), Kushtetutës së Republikës së Kosovës (7 Shtator 1990) dhe Referendumit për Pavarësi (26 Shtator 1991).

Shprehja e vullnetit demokratik të popullit të Kosovës përmes akteve përkatëse juridike, si dhe krijimi i institucioneve shtetërore që synonin materializimin e këtij vullneti, i hapën rrugë luftës politike, diplomatike dhe asaj ushtarake për çlirimin e trojeve shqiptare, të ripushtuara padrejtësisht pas Luftës së Dytë Botërore, nga ish-Jugosllavia komuniste.

Këto ndryshime cilësore, radikale, antikomuniste dhe demokratike në politikbërjen e shqiptarëve të Kosovës, në fund të viteve të 80-ta dhe në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, nuk erdhën rastësisht. Ato ishin pasojë e një rezistence aktive kombëtare me intenzitete të ndryshme, si dhe rezultat i kombinimit të metodave të luftës politike, diplomatike dhe më në fund, edhe përballjes heroike ushtarake për çlirimin përfundimtar të Kosovës, nga kthetrat e pushtuesit gjakpirës serbomadh.

Këto ndryshime cilësore, radikale, antikomuniste dhe demokratike në politikbërjen e shqiptarëve të Kosovës, shkatërruan në themel Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë, duke i dhënë asaj goditjen fatale, nga e cila nuk arriti të mëkëmbet kurrë.

Këto ndryshime cilësore, radikale, antikomuniste dhe demokratike në politikbërjen e shqiptarëve të Kosovës, i hapën rrugë procesit të çlirimit nga izolimi i hekurt dhe ishin vendimtare për fillimin e demokratizimit të jetës politike e shoqërore në Republikën e Shqipërisë, duke e vënë para aktit të kryer udhëheqjen e atjeshme komuniste, këtë krijesë antishqiptare e kolaboracioniste të Beogradit zyrtar, e cila, u detyrua më në fund t’a pranoj humbjen e turpshme, si dhe dështimin e tërësishëm të politikës sllavo-komuniste, synim i së cilës ishte asimilimi ideologjik dhe ndarja e përhershme shpirtërore e shqiptarëve.

Këto ndryshime cilësore, radikale, antikomuniste dhe demokratike në politikbërjen e shqiptarëve të Kosovës, i mundësoi vepra heroike e Sali Çekajt, bashkveprimtarëve dhe bashkluftëtarëve të tij, atyre që krijuan realitete të reja juridike, politike, institucione shtetërore dhe të cilët, po kryenin akcione të suksesshme guerile dhe po përgatisnin intensivisht përballjen përfundimtare, për t’i larguar me turp dhe humbje frontale, njëherë e përgjithmonë, forcat ushtarake dhe policore të okupatorit sllavo-komunist, nga trojet shqiptare.

Këto ndryshime cilësore, radikale, antikomuniste dhe demokratike në politikbërjen e shqiptarëve të Kosovës, në ballë të të cilave, përmes veprave dhe kontributeve të mëdha ishte edhe heroi i kombit, Sali Çekaj, historia e kombit tonë do t’i vlerësoj me notën më të lartë atdhetare, duke ju dhënë kundërshtarëve të tij politik e ushtarak, pjellës puçiste sllavo-komuniste, dënimin më të rëndë të mundshëm.

Zonja dhe zotërinj, kur flasim e shkruajmë për Sali Çekajn, heroin e kombit tonë, e kemi për detyrim të flasim e të shkruajmë edhe për ata që e penguan procesin e natyrshëm të shtetbërjes, përmes metodave të kombinuara të luftës diplomatike dhe asaj ushtarake.
Prandaj, ne jemi të ftuar ta themi botërisht dhe të mos i mbetemi borgj gjeneratave që vijnë pas nesh, se askush tjetër përpos revanshistëve komunist, nuk ishte kundërshtar i luftës së organizuar institucionale për liri, pavarësi dhe demokraci të mirëfilltë në Kosovë, në Shqipëri dhe të gjitha viset tjera shqiptare. Ishin revanshistët komunist, bijtë e tyre, stalinistët e përbetuar, ata të cilët, duke gëzuar mbështetjen logjistike e propagandistike të ish-kuadrove staliniste e bolshevike të PPSH-së, u vunë në ballë të kësaj vepre të koordinuar dhe të shëmtuar antishqiptare.

Revanshi komunist, njësoj siç kishte vepruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i dalur në ndihmë Serbisë dhe interesave të saj, duke likuiduar përmes atentateve komuniste zyrtarët e shtetit dhe duke i shkatërruar tërësisht institucionet e Mbretërisë së Bashkuar Shqiptare, edhe në fund të shekullit XX, e sabotoi luftën e përbashkët të shqiptarëve, pasi që mori sërish përsipër detyrën antikombëtare dhe u vu në veprim, duke sulmuar pandërpre përfaqësuesit zyrtar dhe institucionet legjitime shtetërore të Republikës së Kosovës.

Revanshi komunist, grupet puçiste të komunistëve shqipfolës, me apo pa adresë, të mbështetur nga Beogradi dhe të maskuar e të preferuar nga revanshistët komunist të Tiranës zyrtare, duke keqpërdorur amblemën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në RTSH, për të cilën, në fillim të procesit të formimit të saj nuk e kishin dhënë asnjë kontribut, sabotuan për interesa të pushtetmarrjes me çdo kusht, luftën diplomatike dhe luftën e armatosur institucionale të Republikës së Kosovës, për liri dhe pavarësi të plotë shtetërore.

Vëllezër e motra shqiptarë!

Siç e thash në fillim, kjo është një mbrëmje e rëndësisë së veçant, sepse, në mesin tonë ndodhen bashkluftëtarët dhe bashkveprimtarët e heroit të kombit, Sali Çekaj, të cilët, përmes Shoqatës me të njëjtin emër, ndër të tjera, janë duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të zbardhur të vërtetën historike dhe për të nxjerrur në dritë, vlerat e mirëfillta të luftës tonë çlirimtare.

Andaj, nuk është rastësi, që për shqiptarët në Zvicër dhe vendet përrreth, Shoqata „Sali Çekaj“ dhe anëtarët e saj, sëbashku me kontributdhënësit e shumtë, sot prezantojnë institucionin më të besueshëm te mërgata shqiptare në kontinentin europian.

Nuk është rastësi, që ne shqiptarët e mërguar në vendet europiane, kur dëgjojmë të flitet për kontributet e shumta të Shoqatës „Sali Çekaj“ në Zvicër, mendja na shkon në Koshare, aty ku heroi i kombit sëbashku me bashkluftëtarët e tij, thyen për të dytën herë kufirin ndarës të trojeve shqiptare.

Nuk është rastësi, që ne shqiptarët e mërguar në vendet europiane, kur dëgjojmë të flitet e shkruhet për kontributet e shumta të Shoqatës „Sali Çekaj“ në Zvicër, mendja na shkon në Loxhë, aty ku beteja kundër pushtuesit tregoi forcën e veprimit profesional të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Nuk është rastësi, që ne shqiptarët e mërguar në vendet europiane, kur dëgjojmë të flitet e shkruhet për kontributet e shumta të Shoqatës „Sali Çekaj“ në Zvicër, mendja na shkon në Prekaz, aty ku Historia e Njerëzimit e gjenë të skalitur dhe të praruar si askund tjetër, Flamurin e Fitores Kombëtare dhe vlerën e mirëfilltë të luftës institucionale të shqiptarëve të Kosovës, për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.

Nuk është rastësi, që ne shqiptarët e mërguar në vendet europiane, kur dëgjojmë të flitet e shkruhet për kontributet e shumta atdhetare e humanitare të Shoqatës „Sali Çekaj“ në Zvicër, mendja na shkon në Prizren, aty te shtëpija e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, te Fanari Ndriçues i së ardhmes tonë kombëtare, e cila na e rikthen në kujtesë kolektive thënjen profetike të Apostullit të Shqiptarizmit, Mit’hat Abdyl Frashërit, pararendësin e liderit historik, Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. „Pa Kosovë e Çamëri, s’ka Shqipëri“!

Nuk është rastësi, që sonte, në këtë Akademi Përkujtimore për heroin e kombit, Sali Çekaj, në emër të Sekretariatit Koordinator të Ballit Kombëtar Demokrat në Mërgim dhe në emër të Këshillit Koordinator të Ballit Kombëtar Demokrat për Shqipërinë etnike, ne ballistët, pjesmarrës të kësaj Akademie, ndajmë dy Mirënjohje, përmes të cilave, institucionet e Ballit shprehin admirimin e tyre të thellë për veprën atdhetare të kontributdhënësve, anëtarëve dhe kryesisë së Shoqatës „Sali Çekaj“.

Zonja e zotërinjë, vëllezër e motra, duke ju falënderuar për vëmendjen Tuaj, ftoj kryetarin e Shoqatës „Sali Çekaj“ që të pranojë Mirënjohjet tona.

Zoti e Bekoftë dhe e trashëgoftë brez pas brezi, veprën e heroit të kombit shqiptar, Sali Çekaj!

Shqipëria Shqiptarëve – Vdekje Tradhtarëve

Ju falemnderit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top