Heroi komunist i bulevardit, përpjekja heroike për të përdhunuar shoqen shifrante të Sigurimit

SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI

Shoqërisë shqiptare i imponohen heronj të rremë për ta lënë atë gjithnjë peng të batakut komunist, një prej regjimeve më mizore që ka njohur toka shqiptare. Komunistët janë mjeshtër të krijimit të miteve të rrema nëpërmjet agjitacionit figurativ. Në kohën kur i kishin vetë të gjitha në dorë, kanë bërë heronj me shumicë mbi baza fisnore, krahinore dhe politike, ndonëse te figurat e tyre nuk ka asgjë shembullore. Qëllimi i tyre është që askush mos të diskutojë faktet rreth figurave që ata pretendojnë se janë heronj, por njerëzia, si dele, të shkojë qorrazi në nderim të tyre. I tillë është edhe një “hero i bulevardit” me uniformën e oficerit të Sigurimit të Shtetit. Edhe ky partizan i vitit 1944. Pas lufte u emërua me detyra të ndryshme në organet terroriste të regjimit si në Brigadën e 1-rë të Mbrojtjes së Popullit dhe më pas në organe të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit e cila u shndërrua në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në MPB. Gjatë kohës që punonte si shef i nënseksionit të Sigurimit të Shtetit në Sarandë, “heroi i bulevardit”, kur mbante gradën e togerit, iu vardis shoqes Seniha me punë shifrante aty. Në një kohë që të dy bënin pjesë në një komitet partie dhe ishin të zënë deri në fyt duke rrjepur tregtarët e duke torturuar njerëzit e ndershëm, shoku toger, më vonë hero, e më vonë akoma me foto në bulevardin e Tiranës, iu vardis shoqet Seniha, e cila e lodhur nga shifrat e telegrameve që i vinin nga shokët e qendrës kishte nevojë të tmerrshme për gjumë. Për veprimin e kryer, shefi i Seksionit të Sigurimit të Shtetit në Gjirokastër, kapiten Jashar Kasimati, e dënoi me 5 ditë arrest të rëndë (duke mos dalë nga dhoma ku flinte) dhe 5 ditë arrest të lehtë (duke mos dalë në treg).

***

Pjesë nga raporti i datës 9.11.1946, me objekt togerin kundër shifrantes Semiha

Të dy këta, bëjnë pjesë në Komitetin e Partisë dhe një natë kishin qëndruar vonë për arsye pune. Pastaj secili shkuan për të fjetur se banonin në një lokal në dhoma të veçanta. Në atë shtëpi, banon edhe një familje tjetër. Mbas 10 minutash, si kishin rënë për gjumë, togeri shkon në dhomën e shoqes dhe i kërkon që të flejë me pretekstin se në dhomën e tij kishte shkuar një shok. Senihaja nuk e pranoi këtë kërkesë dhe mbas shumë biseda, ai kërkoi pëlqimin e saj dhe nga ana tjetër kërkoi të binte në një krevat me të. Shoqja konstatoi se togeri kishte vendosur të plotësonte dëshirën e tij me anë të forcës, menjëherë doli jashtë, por ky i hedh dorën dhe kërkon të kryejë qëllimin për të cilin kishte shkuar. Në këtë moment, Senihaja bërtet, del menjëherë në sallon dhe i flet familjes që banonte atje me qëllim që të largohej togeri, por ky vazhdonte të qëndronte në dhomë deri sa tentoi ta kapte dhe njëherë në sallon. Por Senihaja hyri në dhomë brenda dhe mbylli derën me çelës, duke e mbajtur me dorë sepse nuk kishte çelës. Togeri nga jashtë kërkonte që të thyente derën duke i rënë me shkelma e me grushte, por nuk e hapi dot.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top