HENRY KISSINGER PËR UKRAINËN

HENRY KISSINGER – 5 MARS 2014

Diskutimi publik për Ukrainën ka të bëjë me konfrontimin. Por, a e dimë ne se ku po shkojmë? Në jetën time kam parë katër luftëra që filluan me shumë entuziazëm dhe mbështetje frenetike publike, por asnjërën prej tyre nuk dinim si ta përfundonim. Në tri prej këtyre luftërave u tërhoqëm njëanshmërisht, duke mos e kuptuar se detyrë e politikës është ta dijë se si mbarojnë, e jo se si fillojnë luftërat.

Shumë shpesh, çështja e Ukrainës po shtrohet si një përballje me pyetjet se a do t’i bashkohet Ukraina Lindjes apo Perëndimit? Por nëse Ukraina dëshiron të mbijetojë dhe të përparojë, sipas mendimit tim, ajo nuk guxon të bëhet armë e asnjërës palë kundër tjetrës. Ajo, pra Ukraina, duhet të funksionojë si një urë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit.

Rusia, në anën tjetër, duhet të pranojë se një përpjekje ushtarake nga ana e saj për të detyruar Ukrainën të fitojë statusin e satelitit rus, dhe kështu të zhvendosë sërish kufijtë e Rusisë, do ta dënonte Moskën të përsëriste historinë e saj të cikleve vetëpërmbushëse të presionit reciprok me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Perëndimi, në këtë mes, duhet të kuptojë se për Rusinë, Ukraina nuk mund të jetë kurrë thjesht një vend i huaj. Historia ruse filloi në atë që quhej Rusia e Kievit. Prej andej u përhap feja ruse. Ukraina ka qenë pjesë e Rusisë për shekuj të tërë dhe historitë e këtyre dy vendeve janë të lidhura me njëra tjetrën.

Disa nga betejat më të rëndësishme për lirinë ruse, duke filluar me Betejën e Poltavës në vitin 1709, u zhvilluan në tokën ukrainase. Flota e Detit të Zi, arsenali i Rusisë që projekton fuqinë e saj në Mesdhe, bazohet në një qira afatgjatë në Sevastopol, Krime. Madje, edhe disidentët e njohur si Alexander Solzhenitsyn dhe Joseph Brodsky kanë këmbëngulur se Ukraina është pjesë integrale e historisë ruse dhe, në të vërtetë, ajo i takon Rusisë.

Bashkimi Evropian duhet ta pranojë se plogështia burokratike dhe nënshtrimi i elementit strategjik ndaj politikës së brendshme në negociatat për marrëdhëniet e Ukrainës me Evropën, kanë kontribuar në kthimin e negociatave në krizë. Politika e jashtme është art i përcaktimit të prioriteteve.

Ukrainasit janë faktori vendimtar, sepse ata jetojnë në një vend me një histori shumë komplekse dhe përbërje shumëgjuhëshe.

Pjesa perëndimore e Ukrainës u përfshi në Bashkimin Sovjetik në vitin 1939, atëherë kur Stalini dhe Hitleri e ndanë plaçkën mes tyre. Krimea, 60 për qind e popullsisë të së cilës janë rusë, u bë pjesë e Ukrainës vetëm në vitin 1954, atëherë kur Nikita Hrushovi, me origjinë nga Ukraina, e dhuroi atë si pjesë e kremtimit të 300-vjetorit të marrëveshjes ruse me Kozakët.

Pjesa perëndimore e Ukrainës është kryesisht katolike. Në lindje, jetojnë ortodoksë rusë. Perëndimi flet ukrainisht, Lindja kryesisht flet rusisht. Çdo përpjekje nga një krah i Ukrainës për të dominuar tjetrin, përfundimisht do të çonte në luftë civile ose shpërbërje të shtetit.

Trajtimi i Ukrainës si një aset i dobishëm konflikti mes Lindjes dhe Perëndimit, për dekada të tëra do të shkatërronte çdo perspektivë për të futur Rusinë dhe Perëndimin, veçanërisht Rusinë dhe Evropën, në sistemin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ukraina është pavarësuar para 23 vjetëve. Më parë, vendi njihte vetëm sundim të huaj, dhe atë që nga shekulli i 14-të. Nuk është për t’u habitur pra që udhëheqësit e Ukrainës nuk kanë fituar aftësi për të arritur një kompromis, e aq më pak kompromis të një perspektive historike.

Pas fitimit të pavarësisë, politika ukrainase dëshmoi se rrënja e problemit qëndron në përpjekjet e politikanëve ukrainas për të imponuar vullnetin e tyre në pjesët e pabindura të vendit, fillimisht nga një fraksion, dhe më pas nga një tjetër.

Ky është thelbi i konfliktit midis Viktor Yanukovych dhe rivales së tij kryesore politike, Julia Tymoshenko. Këta të dy përfaqësojnë dy krahët e Ukrainës që nuk ishin të gatshëm të ndajnë pushtetin.

Politika e mençur e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës do të kërkonte një mënyrë që të dy pjesët e këtij vendi të bashkëpunonin me njëra-tjetrën. Ne si SHBA duhet të kërkojmë pajtim, e jo ​​dominim të një fraksioni.

Rusia dhe Perëndimi, por edhe fraksionet e ndryshme në Ukrainë, nuk vepruan sipas këtij parimi. Secili e përkeqësoi situatën. Rusia nuk mund të impononte një zgjidhje ushtarake pa u izoluar në një kohë kur shumë nga kufijtë e saj tashmë janë të pasigurt dhe të rrezikuar.

Për Perëndimin, demonizimi i Vladimir Putinit nuk është politikë, por është alibi e mungesës së saj.

Putini duhet të kuptojë se, pavarësisht ankesave të tij, një politikë e imponimit ushtarak ndaj Ukrainës do të prodhonte një tjetër Luftë të Ftohtë.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara duhet të shmangin trajtimin e Rusisë si një krijesë të cilës do t’i mësohen me durim rregullat e sjelljes të vendosura nga Uashingtoni.

Vladimir Putin është një strateg serioz, në premisat e historisë ruse. Të kuptuarit e vlerave dhe psikologjisë së Shteteve të Bashkuara nuk është vullneti i tij i fortë. Por edhe të kuptuarit e historisë dhe psikologjisë ruse nuk ishte pika e fortë e krijuesve të politikës amerikane.

Liderët e të gjitha partive duhet të kthehen në shqyrtimin e rezultateve dhe jo të konkurrojnë në performancë. andaj këtu po ua ofrojë idenë time për rezultatet që janë në përputhje me vlerat dhe interesat e sigurisë për të gjitha palët:

1. Ukraina duhet të ketë të drejtën për të zgjedhur lirisht aspiratën e saj ekonomike dhe politike, duke përfshirë Evropën.

2. Ukraina nuk duhet të anëtarësohet në NATO, është qëndrimi që mbajta shtatë vjet më parë, kur u ngrit kjo çështje herën e fundit.

3. Ukraina duhet të jetë e lirë të formojë qeveri në përputhje me vullnetin e shprehur të popullit të saj. Udhëheqësit e mençur ukrainas do të zgjidhnin më pas një politikë pajtimi midis pjesëve të ndryshme të vendit të tyre. Në nivel ndërkombëtar, ata duhet të marrin një pozicion të krahasueshëm me atë të Finlandës, ku kombi nuk lë asnjë dyshim për pavarësinë e tij dhe bashkëpunon me Perëndimin në shumicën e fushave, por shmang me kujdes armiqësinë institucionale ndaj Rusisë.

4. Është e papajtueshme me rregullat e rendit botëror ekzistues që Rusia të aneksojë Krimenë. Por duhet të jetë e mundur që marrëdhëniet midis Krimesë dhe Ukrainës të vendosen në një bazë më pak të vështirë. Për këtë qëllim, Rusia do të njihte sovranitetin e Ukrainës mbi Krimenë. Ukraina duhet të forcojë autonominë e Krimesë përmes zgjedhjeve të mbajtura në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. Procesi do të përfshinte heqjen e çdo paqartësie në lidhje me statusin e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol.

Këto janë parime, jo reçeta. Njerëzit që e njohin rajonin do ta dinë se jo të gjitha propozimet e mia i kënaqin të gjitha palët. Megjithatë, mos harroni se ky propozim imi nuk ka të bëjë asgjë me kënaqësinë absolute, por me pakënaqësinë e balancuar.

Nëse nuk arrihet një zgjidhje e bazuar në këto ose parime të ngjashme, lëvizja drejt konfliktit do të përshpejtohet. Së shpejti do të vijë koha edhe për këtë.

1 thought on “HENRY KISSINGER PËR UKRAINËN”

  1. Nuk ka mundur, e as nuk do te mundet deri ne diten e fundit te ksaj bote , qe nje Kombi apo nje nacionaliteti tjeter dhe nje religjieoni krejtesisht tjeter , te ia ndaloj idealet dhe qellimet e tyre deri ne konurzimin e projekteve te tyre .Panvarsisht historis te thell dhe te bujshme te rusise , sipas ketij analisti ,Ukraina tash e sa vite ka kufijt vet, dhe administrohet nen admistrimin e vete, me nje popullsi goxha te madhe me 50 milj. Banor .Problem dhe e drejt e saj kryesor eshte Se me ke don ta zgjedh rrugen ne vazhdim, me lindjen apo perendimin. Me Naton apo pa Naton . Askush nuk guxon te sulmoj mbi sovranitetin , kushtetuten dhe drejtat e njeriut te nje vendi tjeter. Shpresoj qe ky Konflikt paradoks ne Shek. 21 te perfundoj sa me pare . Nuk kam mundur dhe nuk mundem Ende te besoj, qe Sot ne mesin e nje familje europiane te botes te civilizuar te ndodhe ky konflikt. Per fat te keq BISHAT nuk kan brina. …

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top