Kosovën e ka kapluar kriza e thellë politike që nga momenti kur drejtimin e institucioneve të saj e kanë marrë në dorë puçistët e Shtabit të Stankovecit. Që nga ajo kohë, Kosova dhe shqiptarët nuk njohën asnjë fitore diplomatike kundër akteve gjenocidale të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Përkundrazi, ardhja e Shtabit të Stankovecit në pushtet, e ka forcuar dhe legjitimuar pushtetin e strukturave paralele, politike, ushtarake dhe policore të Serbisë në tërë territorin e Kosovës.
Nëntoka parapolitike e drejtuar nga Hashim Thaçi, Adem Grabovci dhe Kadri Veseli, të cilën, Xhejms Rubin dikur e këshilloi të largohet nga skena politike për hirë të interesit nacional të Kosovës dhe shqiptarëve, ka vendosur që pushtetin e saj politik dhe ekonomik ta forcojë edhe më tej përmes zyrtarizimit të Asociacionit gjenocidal, terrorist dhe antishqiptar të Serbisë së Madhe në Kosovë.
Zyrtarizimi i Asociacionit të Serbisë së Madhe në Kosovë, do të thotë heqje dorë e shqiptarëve të Kosovës nga e drejta e tyre për të kërkuar dëmshpërblimin e merituar për shkak të akteve të gjenocidit njëshekullor serbomadh.
Zyrtarizimi i Asociacionit të Serbisë së Madhe në Kosovë, do të thotë rikthim i forcave policore serbe dhe rikthim i atyre kuadrove ushtarake që kanë dhunuar mbi 20 000 qytetarë e qytetare të Kosovës.
Zyrtarizimi i Asociacionit të Serbisë së Madhe në Kosovë, do të thotë rikthim politik, ushtarak dhe policor i pushtetit serbomadh në tokën shqiptare.