SHKRUAN: ADEM SALIHAJ
Hashim Thaçi, i detyruar nga kërkesat e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të Gani Gecit dhe familjes së tij, në prag të ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale, detyrohet t’i kërkojë falje atij për komunikatën numër 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Por, përsëri , sikur edhe herat tjera, nuk zbardhë asgjë, nuk tregon kush e shkroi atë komunikatë, duke u munduar që fajin t’ia lërë individëve anonimë, të cilët gjoja abuzuan dhe shkruan komunikata nga banhofat.
Hashim Thaçi, mohon vazhdimisht krimet që ka bërë, i shkruan letra prokurorisë për zbardhjen e vrasjeve politike, shkon në familjet e viktimave dhe ua kumton emrat e vrasësve të rrejshëm, i shpallë viktimat heronj.
Harron Hashim Thaçi se ka qenë në krye të UÇK-së, se ka qenë njeriu numër një i saj, dhe ka qenë i pari që u është kërcnuar të gjithë ushtarëve dhe strukturave të UÇK-së që nuk ishin pjellë e LPK-së, por ishin anëtarë apo simpatizantë të LDK-së dhe të Presidentit Rugova.
Po harron Hashim Thaçi se vrasjet dhe lufta vllavrasëse ishte e nxitur drejtpërdrejt nga ai dhe njerëzit rreth tij. Të gjithë e dinë, madje ai ka pohuar edhe vetë, se nuk ka qenë fare në frontin e luftës, por ka shkruar komunkata nga banesa apo banhofat në Zvicër apo nga hoteli Rogner në Tiranë. Madje, edhe kur ka qenë në Kosovë, ka qëndruar larg frontit të luftës. Ku ishte Hashim Thaçi atëherë kur u shkrua komunikata në. 59, ku ishte Hashim Thaçi kur u tentua të vritej Gani Geci gjatë luftës, ku ishte Hashim Thaçi kur u tentua të vritej Gani Geci pas luftës, kur u plagos dhe u mjekua në kampin amerikan Bondsteel? Ku ishte Hashim Thaçi deri me tash, qe më tepër se 20 vjet, që nuk dha asnjë sqarim për qindra vrasje, plagosje, tentimvrasje e kidnapime të veprimtarëve të LDK-së dhe veprimtarëve e patriotëve të tjerë? Pse nuk dha sqarime menjëherë pas vrasjeve, pse nuk i gjykoi dhe dënoi vrasësit menjëherë atëherë kur u kryen ato, por këtë po mundohet ta bëjë pas njëzet vjetësh?
Këto janë vetëm kërkimfalje hipokrite të Hashim Thaçit, i cili po mundohet ta mjegullojë rolin e tij kyç si nxitës, urdhërues dhe ekzekutues i vrasjeve politike gjatë luftës dhe pas saj. Sot, askujt nuk i duhet kërkimfalja hipokrite, e vonuar 20 vjet, e Hashim Thaçit. Sot, viktimave dhe vetë Kosovës, i duhet përgjegjësia para gjykatës e Hashim Thaçit për të gjitha krimet që ka bërë deri më tash. Vetëm atëherë do të shkojë drejtësia në vend dhe familjet e të vrarëve do ta kenë së paku një satisfaksion moral. Hashim Thaçi kot e ka, nuk do të mund ta mashtrojë askë me kërkimfaljet e tija hipokrite.