HASHIM THAÇI, KULLA E AJFELLIT DHE MARRËVESHJA ME RUSINË

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI (2013), SEKRETARIATI KOORDINATOR I BALLIT NË MËRGIN

Marrëveshjen  politike, në të vërtetë territoriale,  Hashimi, në të vërtetë SHBA, nëpërmes Hashimit,  e  nënshkroi me Rusinë, pasi Serbia, ditë më parë,  nuk e pati nënshkruar në Bruksel.

Kjo i bien njësoj sikur Hashim Thaçi të kishte qenë kryeministër i Francës dhe, nën presionin e miqve amerikanë, të pranojë ta shiste Kullën e Ajfellit për skrap. Përndryshe, kush do dhe qysh do ta analizojë marrëveshjen e Hashimit, për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, do ta kuptojë lehtë sesi Hashimi  gjithë kohën ka luftuar për formën, ndërsa Rusia për thelbin (përmbajtjen).

Pse Hashimi (SHBA) për formën e pse Rusia për përmbajtjen?

Sepse shqiptarët e kanë në  gjak madhësinë, lexo mendjemadhësinë, dhe ketë ves na a njohin të gjithë, prandaj neve na duhet diçka që na e mbush syrin sikur Kulla e Ajfellit, e cila mund te jetë prej hekuri, por edhe prej letre. Që rrëzohet nga fryma s’na prish punë, pasi me vite do të mund të tregojmë për një kullë të madhe që dikur e kemi pasur, e nuk ka lidhje që më s’e kemi.  Pra, neve ende na pëlqen historia e Mujit e Halilit! Këtë ves na e dinë tash shumë mirë edhe amerikanët dhe vetëm na e gjuajnë një kockë e ne bëhemi copë e grimë duke vrapuar pas saj, sepse na vjen nga amerikanët. Një mik i imi, një ditë,  më tregonte, se një diplomat amerikan, disa ditë pa vdekur Rugova, ua kishte treguar (me hamendje)  ditën e vdekjes “parisë” së atëhershme se LDK-së. Por, Rugova paskësh vdekur disa ditë para asaj date dhe e mjera “pari” naive e LDK-së, nuk e kishte shpallur datën e vdekjes së Presidentit Rugova derisa kishte ardhur data e thënë me hamendje e diplomatit amerikan.  Patjetër, se amerikanët duhet t’i kemi shumë për zemër, sepse na ndihmuan të bëhemi atë që ëndërruan me shekuj shumë gjenerata, por nëse na shtrëngojnë shumë, kemi drejtë t’iu themi, miq të dashur amerikanë, kujdesuni për ne sikur për veten tuaj, mos na e rëndoni këtë dashuri, se na e këputët kurrizin!

Ndërsa, Rusia e Serbia na njohin edhe më mirë, sespe nga të dy anët e kufirit ua kemi bërë shumë vite argatë. Madje edhe ua kemi bartur e  ngritur  shumë lartë flamujt duke e harruar e ndërruar tonin;  herë shqiponjën me kurorë mbretërore, herë me yll, herë me gjuhë më të gjatë, herë me krih të thyer, herë me kthetra më të ashpra,  etj. Ata pra, duke na njohur se neve na duhet forma, vetë  luftojnë për përmbajtjen, për nëntokën e Trepçës, për planifikimin hapësinor, për mos praninë e ushtrisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës, për komandantin e policisë, i cili mund të jep urdhër sipas zinxhirit komandues të Prishtinës apo të Beogradit, sikur gjenerali anglez  Jakson që, kur i kishte kërkuar Wesly Clarck të gjuaj në forcat ruse, i kishte thëne se ai merrte urdhra nga ministri i Mbrojtjes së Anglisë. Dhe kështu, Rusia duke ndryshuar e shtuar pikët e marrëveshjes, i tha Daçiqit, “shko rregulloje punën me Kosovën”. “Pikën e 14, ku flitet për ulësen në OKB, mos na e leni në qafë, prandaj zëvendësojeni me karrige në BE, sepse edhe ashtu ende asnjëra nuk jeni anëtare aty”. Ndërsa, ushtria e Kosovës mund të vijë në Veri, vetëm nëse e fton komandanti i KFOR-it.

Hashimit i ka luajt damari i zemrës dhe papritmas e ka parë Çekun në uniformën e KFOR-it, jo për hir të realitetit, por për qefin e formës! Edhe dëftesat do ta kenë në titull Republika e Kosovës dhe vula e Kosovës (forma), por librat dhe materiali tjetër vjen nga Serbia (Rusia). Edhe infrastruktura mjekësore do të jetë me Made In Kosova (forma), por gjilpërat dhe barërat Made in Serbia (Rusia).

Hashimi, mund të kritikohet, t’i shkelet gishti i këmbës edhe krejt këmba deri t’i del gjak, e madje edhe të pështyhet në lule të ballit (për formë) sikur ky që dikur ia bënte Rugovës, por  kushdo që propozon vrasjen e Hashimit, i takon  plotësisht kazanit të Rusisë (përmbajtjes).

Unë s’pajtohem me përmbajtjen serbo-ruse!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top