Guzhinjer Mikelanxhelo!

Shkruan: Ksenofon M. DILO

Mbledhjet e këshillit pedagogjik, mbledhjet me prindërit, mbledhje rrufe… Na ishte bërë jeta mbledhje. Dhe ç’ishte më e keqja kur ishe në qëndër të vëmendjes, jo vetëm që nuk mund të mungoje, por as duhet të të mungonte durimi të dëgjoje të shfrynin për reaksionarët, natyrisht që flitej për mua, kur flisnin për të deklasuarit, një isha, vetëm unë, për armiqtë e pushtetit… E, sado që kur ziheshin në gojë këto terma, të gjithë kthenin kokën nga unë, nuk e bënja veten. Më ishte regjur lëkura. Si i thonë, më ishte bërë shollë e trashë. Duroja në heshtje dhe ngadalë ngadalë filluan të fashiten e po më dukej vetja pak a shumë i barabartë me të tjerët.

Mbledhja u zhvillua si gjithmonë me ritmin e saj të zakonshëm dhe, mbase ashtu do të mbaronte. Mësuesi i letërsisë kërkoi fjalën në një moment kur po bëheshin gati për një pushim të vogël.

Presidiumi në të cilin kishte njerëz të rëndësishëm atë ditë, si kandidat i K.Q. Hajdar Aranitasi, emrin e vëllait të të cilit kishte dhe shkolla jonë 11 vjeçare, dhe të tjerë kuadro nga rrethi, në momentin kur kërkoi fjalën kolegu i drejtuan vështrimet e lodhura e po prisnin ç’do të vendoste drejtuesi i mbledhjes. Drejtuesi i mbledhjes i dhe fjalën kolegut.

Foli me një gjuhë të lirë e dukej se qe një fëmijë i përgëdhelur sepse kur dëgjonte që dikush kollitej apo bënte diçka që tregonte se nuk e ndiqte me vëmendje folësin, ky i fundit i hidhte një vështrim qortues dhe si të ishte gjyshja e familjes e ngrinte edhe zërin edhe gishtin tregues për t’i tërhequr vëmendjen, të pavëmëndshmit.

-Habitem- tha papritur, duke pulitur sytë si ato kukllat e lira! -Habitem vazhdoi pas pak, sepse enkas kishte bërë një qëndrim pas habitjes së parë, që të nxirte në pah të dytën, të cilën e shqiptoi me zë më të lartë dhe urdhërues,- se si këtu në gjirin tonë mbajmë dhe arsimtarë me biografi bërllok. Goja ju ngatrrua disi në këtë fjalë e shyqyr që nuk ngrita sytë ta vështroja sepse ashtu diagonal në të djathën time, me vështrimin tim shigjetë do të kishte thyer 2-3 dhëmbë ose do të kish kafshuar atë gjuhën e tij aq hollake sa pa frikë mund ta krahasoje me gjuhë gjarpri.

–Unë – vazhdoi duke u përdredhur, nuk mund të punoj me reaksionarë…

Këtu njëri nga të presidiumit tha:

E kini fjalën për mësuesin që ka në kujdestari klasën e 8-Të B? Sa herë përpara kishit erdhur e ishit ankuar për këtë klasë. Ja dhamë mësuesit Ksenofon në kujdestari dhe që atëhere fjalët më të mira dëgjojmë për këtë klasë ish rebele. Ç’kini të thoni për këtë?

Mora drejtqëndrim në karrigen ku isha ulur dhe në mendje më kaluan çapajevët e klasës sime Fitim Nuellari, Shkëlqim Dervishi, Hëna Xhaferi, Ilir Malindi, Vjollca Halilaj, Astrit Lamçe… Më kaluan përpara atë të rinj të mrekullueshëm që më parë se t’i merrja nën kujdestarinë time, nuk ishin aspak rebelë. Të gjallë e të shkathët ishin, e kur mora në kujdestari klasën u bëmë shokë….

Ai ju drejtua kolegut që po gëlltitej sepse nuk ja arriti qëllimit që donte e nuk e priste sulmin e personit që i doli reaksionarit në mbrojtje.

-Pushim- tha drejtori- 10 minuta pushim. Dolëm nga salla e mbledhjes e kush pinte cigare e ndezi, të tjerët po prisnin të kalonin minutat e të rihynin në mbledhje. Iu afrova si pa të keq kolegut dhe e pyeta i shkujdesur në e pinte duhanin.

–Unë ? –tha ai si ta kisha akuzuar për diçka- unë nuk pi e as do pi kurrë duhan. Apapa.

-Dhe shumë mirë bën!- aprovova unë duke bërë sikur përgjigja e tij më dha kënaqësinë më të madhe.

-Po ama një darkë e mirë, do ishte kënaqësi , apo jo? – e pyeta si pa të keq. Bëri të më aprovonte por unë vazhdova si të flisja me vete. Ku ta gjesh se, atë darkën e mirë. Ky guzhinjeri këtu është baltë fare. Guzhinjeri i mrekullueshëm është… Mikelanxhelo!Ti ke dëgjuar për atë. Bën ca pjata të mrekullueshme. Pikturon dreqi, i stolis! Dhe.. ç’të hash? Mrekullia vetë është…

10 minutat mbaruan. E lashë me gojën të hapur kolegun që kur pa se kishte shtangur, ndërsa të tjerët po futeshin në sallën e mbledhjes, vrapoi si ta kishte pickuar grera dhe ndërsa të tjerët po uleshin me qetsi, u dëgjua zëri i tij qaraman.

-Me leje , shoku drejtor! Kisha shumë të drejtë përpara që fola për të deklasuarit. A e dini se çfarë më tha tani në pushim ky mësuesi. ?Më tha se guzhinjeri këtu është i keq e se vetëm Mikelanxhelo ishte guzhinjer i mirë. Ai i pikturon pjatat –më tha..

Se si shpërtheu e qeshura në sallë merret me mend. Shokët e kolegët e dinin që shakara të tilla i bëja nganjëherë dhe, si të thuash më kishin mësuar se kush isha e, ndoshta prandaj dhe më donin…

-Ulu- i tha drejtori folësit që nuk po kuptonte akoma se ç’kishte ndodhur e kish mbetur me gojën hapur. Donte të vazhdonte të fliste por një ulu tjetër më e fortë se e para e detyroi të nemitet e të ulet si i shastisur…

Kur mbaroi mbledhja drejtori mu afrua dhe…

-Pra , ai Mikelanxhelo, pikturon pjatat ë? I stolis!!!

E pashë dhe kuptova se nuk kishte asgjë arnmiqësore në të folurën e tij.

-Është piktor i madh, shoku drejtor- thashë duke tundur kokën nga lart poshtë. Pikturon shumë bukur.

Drejtori u largua me një buzëqeshje të pafajshme, kurse unë ja kisha arritur qëllimit tim. Injorantët duhet më parë të hiqnin nga sytë perden e injorancës pastaj të flisnin për armiq e reaksionarë e të deklasuar…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top