GUXIMI I VASFIJE KRASNIQIT MA KUJTOI AKTIN HEROIK TË ZYLË KRASNIQIT TË ZHILIVODËS

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Këtë muaj jam ndier keq. Madje shumë keq. Pas rivarrimit të Ahmet Krasniqit, erdhi rrëfimi tronditës i Vasfije Krasniqit nga Zhilivoda. Rrëfimi tronditës i saj m’i ktheu në kujtesë shumë ngjarje që i kam dëgjuar nëpër oda. Rrëfimet e Haxhi Hamitit për pjesëmarrjne e tij në luftën e Galipolit (Çanakalasë). Rrëfimin e Veli Alisë (Haxhi Velisë), gjyshit të poetes Fahrije Krasniqit – Kllokoqi, për vuajtjet e tij në burgun e Vushtrisë, pas LDB. Rrëfimet dhe vuajtjet gjatë aksionit të mbledhjes së armëve. Pastaj, rrëfimet për Qerim Shabanin (gjyshit të humanistes, Arta Krasniqit) dhe qëndresën e tij shembullore kundër represaljeve të çetnikëve në kohën e Aziz Zhilivodës. Rrëfimet për Jakup Qerkinin, i cili është ende gjallë dhe qëndresën e tij në një dollap të ngushtë (dy javë) dhe maltretimet tjera për të treguar se ku strehohej Aziz Zhilivoda. Rrëfimet për katragjyshin e Vasfijes, Januz Zhilivodën, fisnikun mjekërbardhë që rrinte ul buzë rrugës dhe përshëndeste secilin që merrte rrugën kah Lisi Madh, në fund të fshatit Zhilivodë.

Kujtim pas kujtimi, u ktheva në kujtimet e vitit 1919, të cilat i kam degjuar nëpër oda me qindra herë. Ja se si rrëfente axha im Alushi:

Viti 1919

– … Në këtë vit forcat serbo çetnike kishin masakrruar 74 shqiptarë nga fshatrat e Artakollit. Ndër këta të vrarë dhe të masakruar, 14 ishin nga Zhilivoda dhe një femer në mesin e tyre, e bija e Avdullit e cila emrin e vërtet e kishte Zylë, por për hirë që babai i saj nuk kishte djalë e thirrnin me emrin Sylë. Ajo punonte , luftonte bashk me meshkujt, nuk dallohej dhe nuk ndahej prej tyre. Ajo vishej si mashkujt e tjerë, me tirq dhe xhemedan. Kur dikush e thirrte Zylë ,hidhërohej, sepse ajo thoshte emrin e kam Sylë, prandaj gjithmonë shkonte në punë me meshkujt dhe kudo shoqërohej me ta, nëpër sheti dhe lojna të ndryshme. Sipas Alush Krasniqit, 85 vjeçar nga Zhilivoda, këta të vrarë ishin: Isufi (gjyshi im-v. ime), Limani, Jetullahi, Veseli, Shabani, Zyla, Zenullahi, Maliqi, Zeqiri, Zeneli, Ferati, Jashari, Meha, Zymeri, Elezi , Aliu, Selmani. Kështu në mesin e këtyre 74 shqiptarëve edhe Zyla ishte arrestuar. Ai tregon se Serbët çetnikë, më parë, i kishin ngujuar të gjithë, në një ahër në fshatin Shipitullë, në një familje Mjekiqi. Ishin rrah dhe maltretuar tërë kohën. Eprori serb ishte njohtuar se në mesin e të arrestuarve gjendet një femër. Kryetari (kagjobashi) i fshatit Limon Hasani e kishte njohtua. Ai pastaj pasi e kishte vërtetua, e kishte liruar Zylën, por edhe Limonin. Mirëpo ata nuk kishin pranuar që të ndahen nga shokët, prandaj nga kjo ekspeditë serbo çetnike, të nesermën, në mes të fshatit Likoshan dhe Gradicë, serbët i kishin pushkatua të gjithë… (Kujtime : Faik Aziz Krasniqi).

Për hir të vërtetës, këto tema kam dashur t’i hapë disa herë, sidmos një që më ka bërë shpesh të mendoj për fshatin tim – Zhilivodën. Por, pasi është temë e ndieshme, vazhdimisht kam hazituar.

Rrëfimi i Vasfijes dhe një shkrim i Bajram Mjekut me titull : « A jemi fëmijë nënash të dhunuara? », më kanë dhënë edhe më shumë kurajo të pyes bashkëfshatarët e mi, a ju kujtohen edhe juve bisedat e gjysheve, plakave të katundit kur thonin ; « në xhami na kanë munu shumë ». A ju ka shkuar mendja ndonjehre që nënat e gjyshet tona nuk kanë mundur të thonë haptas që kanë qenë (ndoshta) të dhunuara nga çetnikët në periudha të ndryshme të historive tragjike të këtij fshati? Ndoshta, ato nuk e kanë ditur as termin « dhunim » !?

Unë, ju them haptas, Fazën, nënen time, sa herë e kam pyetur, çka ka ndodhur në xhaminë e fshatit që po flasin nëpër oda, ajo me ngurrim përgjegjej, por thoshte : « tybe, bre djali jem na kane munu fort shkjetë ». Sa herë më thoshte kështu, unë ndjeja një neveri për atë shtepi të kultit, duke menduar që aty janë bërë dhunime dhe, përveç serbëve, edhe ajo ka faj. Por, kjo xhami, bashkë me fshatin e kanë pasur të njëjtin fat, sepse forcat serbe e kanë bërë rrafsh me tokë, më 22 shtator 1998 – heret në mëngjes, madje para se të jepet lajmi në mjetet e informimit për vrasjen e Ahmet Krasniqit në Tiranë, një natë më parë.

Kjo është Zhilivoda, fshat i buarrave dhe grave të dhunuar që kurrë nuk iu ka dorëzuar serbit, por u braktis e është shkretuar pas “çlirimit” të komandatëve të Rognerit, të cilët, 20 vjet pas luftës, po mundohen të fshihen pas bythës së Vasfijes, ndërsa i kanë dhënë rrogë dhunuesit, në cilësinë e policit të Kosovës deri në vitin 2017. As gjykatsja Lushta, nuk paska marrë guximin të thotë një fjalë, edhe pse paska qenë anëtare e panelit e trupit gjykues të Gjykatës Speciale që i ka liruar dhunuesit.

E dashur Vasfije, ty nuk të njoih, por ta njoh katragjyshin, Januz Zhilivodën, gjyshin – Dalipin, babain- Shaipin, axhen – Mulla Mexhidin etj.
Jemi krenarë me guximin tënd!
Jemi krenarë edhe me Fahrijen – poeten !
Jemi krenarë edhe me Arten – humanisten !
Ju jeni shmebulli më tipik i genit të familjeve më fisnike dhe patriotike që kam njohur në fshatin Zhilivodë.
Ju jeni nderi i të gjallëve në katër anët e botës ku jetojnë Zhilivodasit, por edhe nderi i shtatë palë varreve që e rrethojnë Zhilivodën.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top