Grueja Shqyptare (Amë E Bi)

Ka ra rrezja ndër bajama!
T’ bin’ e vet kshtu e pvetë e ama:
– Ç’ke, moj bi, qi kjan e fshan?
Kjan e fshan, e vetllat vran? –

– Kjava shum, mori lum nana,
Tuj qindisë e m’ ra gjylpana;
M’ ra gjylpana nen balkue,
E jam ulë tash me e kerkue. –

– Po çka kje qi lodt t’ i xori?
Ku kje dhima, a ku kje zori?
A por, drue, mos m’je harlisë,
Qysh se kjan – o tuj qindisë.

Pasha nanen nuk mund t’ bari,
Qi t’më ndezet bija zhari!
Do t’ a dije e zeza nanë,
Pse ti vetllat shpesh m’ i vranë;

Pse ç’ kah mot, moj, buza s’ t’ qeshet
E n’ argtime zemra s’ t’ ndeshet. –

– Nuk a’ gja, moj nanë s’ a’ gja;
Por po t’ tham, se as kot s’ jam vra:
Diçka vlon n’ ket çerdhe zanash;
Vlon dashtni, si n’bija nanash!
Nane, dashtnija m’ ka molisë,
Prandej kjaj – o tuj qindisë! –

– T’u thafët goja, bi, ç’ po thue?
A kaq shpejt ti m’ je terbue?
Po shikjo, moj bi’ kercuna,
Se, po bana ‘i herë e t’ xuna,
Bana e t’ pava tuj m’ dalë n’ derë,
Nuk m’ ke pshtim, jo metsha e mjerë! –

– Jam shqyptare e bi’ shqyptari,
E ato fjalë, nanë, s’ mund i bari:
S’ ke me m’ pa, jo, tuj dalë n’ derë,
Si kujton, pse m’ ke per nderë;
As, moj nanë, nuk jam harlisë
Veç pse kjaj – o tuj qindisë,
E shka n’ zemer m’ ka pengue,
Asht gja e dejë, o nanë, per mue. –

Fillon nana tash me u vra:
Diçka nakel së mjerës i asht ba;
Don me çilë të ngriten gojë;
Por dro e mjera mos t’ gabojë:
– Fol, moj bi, mos m’ len nder grepa,
Mos më mshef gja, moj, se do djepa
I kam luejtë der tash e m’ ke
Dhelpen t’ vjetër: Ty sot be
T’ paça lshue, tash me m’ diftue,
Se pse zemra peshë t’asht çue. –

– Nanë, dashtnija m’ ka molisë,
Prandej kjaj – o tuj qindisë. –
Bindej nana, gja s’kuptote,
Por, të miren kah i a dote
Muer me t’ amel e i tha e mjera:
– Mori bi, moj si prendvera,
Pash njat diell e pash njat hanë,
Pash njat Zot, qi kthiell e vranë,
M’ difto sot, ç’ sokol ke xanë? –
– Ç’ farë sokolit thue, moj nanë?

T’ thaçë, moj, t’ thaçë se s’ m’ a ban ndera,
S’ m’ a ban shpija, as s’ m’ a ban dera
Me luejtë mendsh, moj nanë, mas kuej:
S’ i kam dhanë, jo, fjalë kurrkuej.
E po t’ tham: Se n’ t’ endun t’ motit,
Po t’ tham, po, me besë të Zotit,
Ty due fjalët me t’ i ndigiue,
As s’ kam mend me t’ u largue.
Zemren dysh un s’ mund e daj:
M’ len t’ qindisi, m’ len të kjaj! –

U ngri nana, lodt i pshtuen;
Para s’ bis fort syt i u xuen.
Kaluen dit e kaluen net,
Vajza ma me gojë s’ po flet:
Me gojë s’ flet edhe na a’ smue,
Rat e mjera a’ tuj lingue:
Lingon keq n’ at shtroje deket
E shpesh paket edhe meket.
Ftyra e sajë porsi flok bore;
Mndash, gjylpanë s’ i hjekë prej dore;
Por punon e tuj punue,
Shef pelhuren se a’ marue:
I lshon syt mi te me mall
Edhe e puthë e e ven në ball.

Nana vajzen tuj dihatë
Shpesh e ndien e: – Mori e ngratë,
A njimend s’don me m’ diftue,
Se pse zemra peshë t’ asht cue? –

– Nanë, dashtnija m’ ka molisë;
Kjava mjaft-o tuj qindisë!
Kjava mjaft… – Ma desht t’ligjrojë,
Por i u kput ksajë fjala n’ gojë.
Si fjalë tjera nuk mund të xori,
Mndash, gjylpanë prap n’ dorë i mori;
Por dy duerët, porsi florini,
Mi pelhurë deka i a ngrini.
– Kuku nana kjan me lot,
Se ç’ më gjet mue t’mjeren sot!
Se ç’ e gjet të zezen nanë
Nën ket diell e nën ket hanë! –

Merr pelhuren, qi pat enë
Bija e sajë; kishte pasë kenë
Kuq e zi e m’ te qindisë
Gjet dashtnin qi e kisht’ molisë.
N’ krye t’ flamurit kisht’ punue,
Per rreth shqypje, m’ dorë prarue,
Fjalët e hershme, fjalët e të Parve,
Se Shqypnia asht e Shqyptarve;

E nder skaje fjalët “liri”.
Merr nanë-shkreta e pshtiell at bi,
Qi, pa njofët tjeter dashtni,
Ishte shkri veç për Shqypni.
Eni bija, zana malit,
Ju qi kjani n’ dekë t’ njij djalit,
E, permysë mi ket bujare,
N’ te nderoni bin shqyptare;
E tuj puthë e mall e vajë
Njat flamur, qi dora e sajë
Diejti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht’ molisë;
Lidhniu tok: Për herë dashtnija
Per vend t’ uej t’ u jet stolija;
Pe, po kje qi, si kjo bi,
Rriten vashat në Shqypni,

N’ vend do të shkojë-o fjala e t’ Parve,
Se Shqypnia asht e Shqyptarve.

Lidhniu tok, si bajshin motit
Ato bijat e Kastriotit,
E broh’ritni n’ gzim e n’ vajë:
Rrnofte Shqypnija e flamuri i sajë.

Ndre Mjeda

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top