SHKRUAN: EDISON YPI
Groshën e marr në një restorant popullor. Ma mbyllin në një govatë alumini. E ha në shtëpi. Para ca ditësh, i mërzitur nga kjo procedurë, vendosa t’i bëj groshët si bëheshin gjërat në kohën e kurvit, me forcat e mia.
Para se të vija në provë forcat e mia, bëra disa konsultime. Njëra nga komshiet me të cilën u konsultova nuk e bëri të qartë sa duhet skuqur qepa. Tjetra nuk më tha se në cilën fazë të zjerjes duhet hedhur kripa. E treta nuk e përcaktoi se sa duhet të jetë niveli i ujit. E katërta e la në errësirë të plotë nëse duhet skuqur apo jo salca. Kur ua vura në dukje me takt këto mangësi, të katra lëshuan të njëjtën klithëm; Ua, po as kaq gjë nuk di ti ?!
Pas përvojës së dështuar me komshiet, një dibran riparues motoçikletash, duke u betuar disa herë rrjesht për kryt e kalamajve, më spjegoi pse grosha nuk bëhet me mish, por vetëm me kocka. Që po të hash groshë dit’ për ditë gjithë jetën nuk të gjen asnjë e keqe, për këtë çështje kaq delikate, duke sjellë shembuj nga vetja, më foli një kuksian që bën vetrata. Kur në kafene pyeta lidhur me përdorimit e salcës u hap një debat aq i egër sa për pak përfundoi në grushta. Pyeta dy të moshuar që po luanin domino në një qoshe; Ore, çfarë do të thotë sipas jush shprehja; Më polli groshi ?! Ngritën supet kërcënueshëm. Në tenxhere të zakonëshme apo me presion ? Varet nga durimi që ke dhe me çfarë fortësie preferon t’i hash kokrrat e groshës, që përgjigja e njërit i cili para ca ditësh kishte blerë një MAZDA të re. Më mirë grosha e Dibrës apo ajo e Korçës ? Një pukjan dhe një përmetar ishin të njëjtit mendim; Meqënëse çdo groshë ka pordhën e vet, pra meqënse grosha groshës nuk i ngja’, zgjedhja duhet bërë duke pasur parasysh çfarë lloj pordhësh durojnë ata që të rrethojnë. Nëse nuk të rrethon askush, pra nëqoftëse jeton vetëm, që është rasti yt, zgjidh atë lloj groshe, me atë lloj origjine, që gjeneron atë lloj pordhe, që i korespondon asaj lloj ere, që ta merr mendja se të vlen.
Për ta zbatuar këtë porosi, pra për të realizuar llojin e preferuar të pordhës së groshës, zbatova këshillën e një kolonjari, i cili, edhe ai bazuar në përvojat personale, tha se për këtë, kryesore është të llogaritet mirë distanca kohore nga ngrënia tek pjerdhja, dhe iku kolonjari, duke fërshëllyer apo duke pjerdhur, s’e mora vesh. Pas këtyre konsultimeve j’u futa punës. I lashë në ujë të ftohtë disa orë dhe ua ndrrova ujin e parë që groshët të çvisheshin nga lëkura. Me masë, me kujdes. Se jo të gjitha kokrrave të groshëve u duhet çveshur. Grosha është si femra. S’është mirë ta çveshësh krejtësisht. Për më tepër, po j’a hoqe të gjitha lëkurat të gjitha kokrrave të groshës, nuk pjerdh kurrë. Po s’ja hoqe lëkurën asnjë kokrre, rri gjithë kohën duke pjerdhur. As e para as e dyta s’janë të udhës. Duke grirë qepën, mu kujtuan ca që thonë se Lasgush Poradecit i ka ikur koha, dhe nga inati gjakosa gishtin. Heqja e lëkurës së karrotës me atë paisjen që çvesh pataten, mu shoqërua me përfytyrimin e çveshjes me të njëjtën teknikë të lëkurës së disave që thonë se qeveritë tona janë hajdute. Coptimi i një speci më solli ndërment diçka makabre nga bota televizive, që më mirë s’po e them. Kur erdhi momenti që brenda ujit të përvëluar të hidhja qepën e Korçës, karrotën e Rrogazhinës, specin e Fierit, groshët e Dibrës, më erdhi ndëment Bashkimi Kombëtar. Flaka e gazit paksa anash nën tenxhere që grosha brenda tenxheres të qarkullojë në formë cikloni, këtë e shpika vetë. Kripa në fund. Grosha gati.
Po pres ta ha në momentin e duhur kur pordhët e groshës së drekës të më vijnë kur të kenë nisur muhabetet televizive të mbrëmjes. Kur të parën pordhë të mundem t’ja hedh në surrat atij që do flasi me shpërfillje për të vetmin Mbret që kemi pasur. Tjetrën pordhë t’ja zbraz në turi atij që do flasi me “keqardhje” për të përndjekurit. Me pordhën pasardhëse do godas dikë që do flasi me simpati për filmat e diktaturës. Do ja fus gjumit kur afër mesnatës të mos më ketë mbetur asnjë nga pordhët e groshës time, që janë arma ime.