GJYKATA SPECIALE – OFENZIVË E VEÇANTË KUNDËR LDK-SË

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale në Hagë, Jack Smith, ia ka dorëzuar Gjykatës Speciale mbi 600 faqe material mbështetës me akuza kundër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë material, kryeprokurori shkruan se ish-krerët e UÇK-së drejtonin një ofensivë të veçantë kundër LDK-së, presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit të qeverisë së atëhershme në ekzil, Bujar Bukoshi.

“Në këtë kontekst, ofensivë e veçantë i drejtohej LDK-së – nën Presidentin RUGOVA dhe Kryeministrin e qeverisë në ekzil Bujar BUKOSHI – anëtarët e së cilës mbronin një politikë të rezistencës jo të dhunshme ndaj shtetit serb. Komunikata 040, për shembull, merr përgjegjësinë për një sulm të mëtejshëm kundër një ‘kolaboracionisti’ dhe thotë se: ‘lëvizja e dështuar pacifiste duhet ta kuptojë që Kosova dhe tokat e tjera shqiptare nuk mund të çlirohen nga zyrat dhe me telefon, por duke u angazhuar seriozisht në mbështetjen për luftën e armatosur. […] Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit BUKOSHI në veçanti të heqin dorë nga frazat boshe dhe të hutuara dhe t’i dorëzojnë fondet që janë mbledhur për çlirimin e Kosovës përfaqësuesve të UÇK-së. Lidhur me bisedimet mbi statusin e Kosovës dhe popullit shqiptar, UÇK-ja nuk do të njohë asnjë marrëveshje pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj në bisedime të tilla […]’”, shkruan Smith.

Ai i ka dhënë rëndësi edhe një deklarate të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi kundër Ibrahim Rugovës, ku siç përshkruhet, ai kërcënonte me vrasje ata që i konsideronin si bashkëpunëtorë të Serbisë, raporton Express.

“Në qershor të vitit 1998, zëdhënësi zyrtar i UÇK-së Jakup KRASNIQI pohoi se ‘luftëtarët e lirisë janë gjithashtu të aftë të marrin vendime politike. Ata që e mbrojnë vendin me gjakun e tyre lejohen të vendosin për fatin e tij: Ai shtoi se UÇK-ja ‘nuk do dhe nuk duhet’ të bjerë nën komandën e Ibrahim RUGOVËS, duke treguar se politika e LDK-së së udhëhequr nga Rugova ka prodhuar vetëm dështime në dhjetë vitet e fundit. ‘Tani për tani, nuk është Rugova ai që vendos për Kosovën, por UÇK-ja’, deklaroi KRASNIQI duke konfirmuar se në rast të tërheqjes së policisë dhe ushtrisë serbe nga Kosova do të ishte UÇK-ja ajo që do ta merrte menjëherë përsipër shtetin. Në të njëjtën intervistë KRASNIQI konfirmoi se ‘bashkëpunëtorët paralajmërohen se ne do t’i vrasim ata nëse vazhdojnë në rrugën e gabuar’”, thuhet në materialin e kryeprokurorit special.

Materiali vazhdon me paraqitjen e parë të UÇK-së dhe deklaratën e Rexhep Selimit në aty.

“Në mënyrë të ngjashme, duke marrë pjesë në paraqitjen e parë publike të UÇK-së gjatë një transmetimi televiziv në nëntor l997, SELIMI pretendoi që përfaqësuesit e tjerë politikë ‘përpiqen ta denigrojnë luftën tonë të shenjtë me pozicionet e tyre pacifiste’, dhe paralajmëroi, “Mjaft, sepse një ditë historia do të të mallkojë ty”. Komunikata 045 kërkon që qeveria shqiptare e Kosovës dhe grupimet politike të pozicionoheshin me shpejtësi në anën e luftës së armatosur të UÇK-së dhe thotë se kushdo që ‘dëmton përpjekjen tonë të luftës’ qoftë nga një perspektivë ushtarake, politike, financiare apo tjetër, ‘do të mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjet e luftës”, thuhet në këtë material.

Sipas kryeprokurorit, komunikatat e UÇK-së dëshmonin për masa ndëshkuese që merreshin ndaj atyre që nuk ndanin të njëjtin mendim me këtë formacion politik e ushtarak. Ai shkruan se anëtarët e UÇK-së shpreheshin se i dënonin dhe do t’i dënonin veprimet që ata konsideronin se i rrezikonin interesat e shqiptarëve.

“Komunikata #48 konfirmon se ‘masat ndëshkuese kundër disa elementeve të pandreqshëm kolaboracionistë’ kanë vazhduar, dhe thotë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së: ‘edhe një herë u bën thirrje të gjitha forcave të shëndosha politike që të vihen në shërbim të atdheut dhe luftës sonë çlirimtare dhe më në fund të distancohen nga politikat internacionaliste mashtruese, përçarëse dhe anarkiste në emër të institucioneve fiktive që përpiqen të eleminojnë institucionet e vërteta kombëtare dhe UÇK-në. Kjo nuk mund të çojë në asgjë përveç përfitimit të armikut dhe vëllavrasjes. Çdo veprim që rrezikon interesat e atdheut dhe qëllimet e luftës çlirimtare do të dënohet dhe dënohet’”, shkruan Smith, duke iu referuar njërës prej komunikatave të lëshuara nga UÇK-ja.

Në vazhdën e ofensivës që e përmend Smith, thotë se një komunikatë tjetër e UÇK-së flet për kërcënimin e radhës ndaj atyre që nuk mendonin se lufta ishte mënyra e duhur për ta zgjidhur konfliktim me Serbinë.

“Komunikata [54] i referohet ‘kolaboracionistëve dhe aktivistëve politikë, të cilët mbjellin disfatizëm, përhapin propagandë kundër UÇK-së dhe i bëjnë thirrje njerëzve të heqin dorë nga armët e tyre drejtuar armikut’ dhe kërcënon se ‘ata që bëjnë luftë speciale, kushdo që të jenë ata, do të trajtohen në përputhje me ligjet në rrethanat e kohës së luftës’”, shkruan Smith.

Ai tutje shkruan edhe për një takim të Hashim Thaçit e Rexhep Selimit me kryeministrin e atëhershëm të qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshin në verën e vitit 1998, ku sipas Smith, ata ia shprehën atij personalisht ato që i shkruanin në komunikata.

“Në verën e vitit 1998, Hashim THAÇI dhe Rexhep SELIMI u takuan me Bujar BUKOSHIN ‘për t’i thënë drejtpërdrejt atë që duhet ta bëjë ai dhe njerëzit e tij, përkatësisht, dhe në përputhje me Komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm, ta mbështesin UÇK-në, përfshirë edhe nga ‘fondi i luftës’ që administronte BUKOSHI. Më 24 qershor 1998, Hashim THAÇI dhe Kadri VESELI, organizuan një takim në Breshance me Ukë BYTYÇIN për të filmuar një deklaratë në skenë, në të cilën BYTYÇI do të njoftonte tërheqjen e tij nga LDK-ja”, shkruan Smith.

Ai shkruan edhe për disa takime të komantantëve të zonave që zhviloheshin me një delegacion të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – përshirë Thaçin, Krasniqin e Selimin. Në këto takime, sipas tij jepeshin urdhra për ndalimin e atyre që konsideroheshin si “bashkëpunëtorë”, dhe për ngritjen e paraburgimeve për ndalimin e tyre.

“Në mënyrë të ngjashme, ka përshkruar një seri takimesh midis Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave – në të cilat Jakup KRASNIQI, Rexhep SELIMI dhe nganjëherë, Hashim THAÇl ishin të pranishëm – gjatë të cilave u lëshuan urdhra për t’u ndaluar bashkëpunëtorë dhe për ambientet e paraburgimit që do të ngriheshin për atë qëllim. Këto udhëzime u zbatuan në mënyrë aktive nga komandantët e zonës”, shkruan Smith.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se është mbeshtetur në 153 dëshmitarë për përpilimin e aktakuzës dhe se synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova. Po ashtu, ZPS thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe material.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top