GJYKATA KUSHTETUESE KËRKON SQARIME SHTESË NGA HASHIM THAÇI

Gjykata Kushtetuese ende nuk i ka kthyer përgjigje Hashim Thaçit në kërkesën e tij për të sqaruar nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga ushtruesi i detyrës së presidentit konsiderohen të ratifikuara ose nëse patjetër duhet të ratifikohen edhe nga Kuvendi. Madje, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar sqarime shtesë nga Zyra e Presidentit. Afati i fundit për dorëzimin e këtyre sqarimeve është 24 dhjetori

Më 4 shtator, ushtruesi i detyrës së presidentit, Hashim Thaçi, kishte kërkuar interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës nga Gjykata Kushtetuese, duke specifikuar pjesën e cila ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Hashim Thaçi kishte kërkuar që Gjykata të sqaronte nëse konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga ushtruesi i detyrës së presidentit, pa pasur nevojë që këto marrëveshje të dërgohen në Kuvend për miratim me votat e dy të tretave të deputetëve.

Deri më sot, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë përgjigje në këtë kërkesë, madje, ajo ka kërkuar sqarime shtesë nga parashtruesi i kësaj kërkese. Kjo është konfirmuar për gazetën “Zëri” nga Zyra për Informim e Presidentit. Afati për dorëzimin e këtyre sqarimeve përfundon sot.

“Më 12 shtator të këtij viti Gjykata Kushtetuese na ka njoftuar për regjistrimin e kërkesës lidhur me rastin KO 131/18 dhe më 11 dhjetor nga Gjykata Kushtetuese kemi pranuar kërkesë për sqarim lidhur me rastin KO 131/18, ku komentet tona kemi mundësi t’i dërgojmë deri më 24 dhjetor të po këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit për gazetën “Zëri”, por pa treguar se për çfarë sqarime bëhet fjalë.

Ndërsa vet Gjykata Kushtetuese, në një përgjigje me shkrim për “Zërin” ka thënë se ende është duke e shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe se nuk ka ndonjë afat kohor që përcakton se kur duhet të merret vendimi.

“Kjo kërkesë e presidentit është ende në fazën e shqyrtimit. Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, ndonëse nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top