Shkruar nga Prend BUZHALA
Gjon Buzuku do të mund të quhej Hero i vërtetë i Kulturës dhe i identitetit të Librit shqip. Ai është ballafaquar me heroizëm kundër gjendjes kulturore, në të cilën po jetonte përdhunshëm populli shqiptar nën Turqinë; ashtu sikundër ky ballafaqim nuk do të reshtet deri tek Naimi. Buzuku është shembull i guximit të rrallë intelektual, i cili pa pasur përpara një kodifikim gjuhe, një trashëgim të njohur të librit shqip, një alfabet shqip, një gramatikë të shqipes, apo, së paku, një fjalor të shqipes; kishte marrë guximin të shkruajë shqip.
Amza e letrave shqipe:
Humanizmi e Rilindja buzukiane
Madje, gjuhës së Arbanit ai i dha edhe emrin gjuhë shqipe. Po shkruante në kohën, kur sulltan Bajaziti i Perandorisë turke, kishte shpallur dekretin perandorak që e dënonte me shfarosje shtypjen e librave edhe në shqip. Po shkruante për fenë që qëndronte në raporte armiqësore me fenë zyrtare të pushtuesit dhe, së këndejmi, po prekte Olimpin e perëndive të pushtuesit. Po shkruante shqip, ndryshe nga latinishtja zyrtare, e cila po hiqej nga skena e historisë evropiane, mbas dhjetëra shekujsh përdorimi, sepse kishte ardhur koha e lërimit të gjuhëve kombëtare e që ndërlidhet me epokën e Humanizmit e të Rilindjes evropiane. Dihet se në këtë epokë pati një lulëzim të jashtëzakonshëm të arteve, pati stile të shumta e të ndryshme, parti kryevepra artistike, pat interesim të shtuar për njeriun, realitetin dhe historinë njerëzore, që, në një mënyrë ose tjetër, konsiderohej si “shkëputje” nga tematika religjioze. Por pati edhe zhvillim të arteve sakrale, të një humanizmi të krishterë, i cili është pranishëm, si dimension literature, deri në ditët tona. Buzuku u fut në valët e kësaj lëvizjeje qytetëruese e kulturore evropiane, për të parë “thuo, prift, qi vjen shqip Atih ynëh”, karshi mendësisë së sunduesit. Vetë Buzuku na e thotë se nuk kishte tjetër libër të tillë në shqipet. “Meshari” është, madje, vepra e parë e mirëfilltë letrare shqipe. Pse mund të thuhet kështu?
Secili religjion, në një mënyrë ose tjetër, ka edhe natyrë poetike, kurse shkrimet e tyre teologjike, tek konsiderohen të frymës hyjnore, në strukturën e tyre tekstore e ngërthejnë edhe aktin e krijimit artistik. Ashtu sikundër që letërsitë antike greke e romake dolën nga mitologjia; ashtu sikundër që të gjitha letërsitë kombëtare evropiane lindën e u shkruan në gjuhët e tyre kombëtare në kontakt me krishterimin e me Biblën; po kështu ndodhi edhe me Letërsinë shqipe, duke zënë fill me “Mesharin”. Nga ana tjetër vlen të theksohet se as Historia e letërsisë shqipe, as studimet letrare shqiptare, nuk kanë arritur t’i trajtojnë ende shumë çështje që kanë të bëjnë me Letërsinë e vjetër shqipe, sikundër janë çështjet e sistemit zhanror, kryesisht të sistemit të pasur zhanror artistik të literaturës së krishterë. Pos studimeve të veçanta, ende nuk janë trajtuar e studiuar as çështje të poetikës së kësaj letërsie, do të thoshim çështje të letrarësisë së kësaj letërsie, pos disa zërave në dekadën e fundit, që ndërlidhen me 440-vjetorin (1995 e këndej) e me 450-vjetorin që u shënua këtë vit. Në librin e tij Buzuku, ndër të tjera , ka përzgjedhur edhe shprehjen “misteret shenjte”. Ndër to, kjo shprehje përafrohet (të më lejohet kjo fjalë “përafrohet” që është e krijuar nga Buzuku) me raportet letërsi – Shkrim i Shenjtë. Për Buzukun, si për humanistët e krishterë, këto ishin e njëjta gjë: kulmi i vlerave të kësobotshme. Gjon Buzuku pranon ta përqafojë atë rrymë letrare që njihet si humanizëm i krishterë (pak i trajtuar ndër ne) dhe që karakterizohet me trajtimin humanist (domethënë: jo sipas parimeve të ngurta dogmatike) edhe të temave religjioze. Ndryshe, nuk do t’i kishte hyrë, po me atë guxim intelektual, një strukturimi krejt origjinal të librit, ndryshe nga librat e shpërbesave fetare.
Njeriu i “Mesharit” të Buzukut
Cili është Njeriu i “Mesharit” të Buzukut, karshi Hyjit, si kryeprotagonist i artit të deriatëhershëm letrar?
Së pari, është vetë Dom Gjon Buzuku, i biri Bdek Buzukut, i cili, gjithnjë në frymën e humanizmit, e afishon hapur autorësinë e tij (“duo të mbaronj vepërënë teme”; pra, e quan ndërgjegjshëm vepër të tijën); ai është autor i librit. Madje, autor i trajtës së madhe të shkrimit, që quhet libër “n Së Shkruomit Shenjtë”. Jo autorë të të gjitha kohëve, kanë nënvizuar mundimet krijuese të librit. Së këndejmi, krijimi i një libri krahasohej me mundimet e lindjes së fëmijës; autori po i jep jetë një krijese që quhet libër: “U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh nuk kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit shenjtë, ensëh dashunit sëh botësë sanëh desha dhe u fëdigunëh për saa mujtah meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh.. …E seh për fat nëh keshë kun enbëh endonjë vend fëjyem u duoh tuk të jetëh fajtëh, aih qi tëh jetë maa hi ditëshin seh u’ atah fajh u lus tah tajtojnëh endë e mirë. Përseh nukë çuditem seh në paēa fëjyem, këjo tueh klenëh maa e para vepër e fort e fështirëh për tëh vepëruom ëmbëh gluhët tanëh.” Koncepti “libër” te Buzuku tingëllon posi tek humanistët: për ta bërë më të mirë botën (“e ju tue ndjekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrembbënë”). Pra, na del edhe themelues i një etike fetare-shqiptare. Të tillë e donte Njeriun e Kohës së tij. Njeri që iu kishte hyrë rreziqeve, përballë tiranisë së ndalesave të pushtuesit. Njeriun e kohës së tij ai dëshiron ta pajisë me qëndresën ndaj mendësisë e fesë së pushtuesit (më i pari mëkat, “anshtë vetë të banem turk”). Dëshiron ta pajisë me pasurinë e urtisë, posi tek librat biblikë të urtisë (Buzuku i përkthen pjesët e zgjedhura nga Libri i Urtisë, nga Libri i Fjalëve të Urta, nga Libri i Jobit, nga Libri i Siracidit, nga Kënga e Këngëve dhe nga Libri i Barukut, po edhe përzgjedhje dromcash urtie nga psalmet). Ngulmon ta formojë këtë njeri (shqiptar) me ndjenjat patriotike, sikundër vepron me përkthimin e psalmeve dhe të të dënuarve (N. Ismajli), aty ku të dëbuarit e të mërguarit, nuk i shkëpusin kujtimet dhe lidhjet me Atdheun. Ndryshe, e gjithë vepra është shkruar për dashurinë ndaj botës së Arbrit, ashtu sikundër janë edhe katër poezitë-urata, që janë krijime të tij origjinale e që i kushtohen Arbanit/Arbërit. Ai e kishte përkthyer vetë Letrat e Shën Palit dërguar Korintianëve, në të cilat thuhet që, “nëse gjuha juaj nuk flet fjalë të kuptueshme, si do të merret vesh çka thoni? Fjalë në erë!” 9(! Kor 14,9). E pra, Ai shkruan që t’iu dalë në ndihmë priftërinjve shqiptarë, nëpërmes Librit të Orëve (pjesa e parë e “Mesharit”) dhe vetë teksti i Mesharit (pjesa e dytë). Ai gjakon që prijësi fetar (ashti si ishte vetë) të jetë një rabin (“rabi që do me thanë mjeshtrë”, thotë Buzuku në “Meshari” LXXXII(XCII),IV), për të përcjellë “dijet tek brezat e rinj” (Sh. Sinani). Në rolin e “mjeshtërit” janë shenjtorët popullorë që i përzgjedh Buzuku, ashtu sikundër është edhe Jezui, kryemjeshtri e udhërrëfyesi shpirtëror. Buzuku është krijues edhe i fjalës liri/ i liruomi: “me klenë liruom” (“Meshari” XXV,I), apo “tëh purguomit e tëh liruomitëh” (Meshari, LII, I); apo: “ende vertyt tande kloftë bam paqi e tëh lirët endë turët të tu“(Meshari, X,13). në këtë frymë, ai e di se nëpërmes krishterimit ka depërtuar në histori e në vetëdije ideja e lirisë, e cila është mbështetur në idenë e njeriut si përngjasim i Hyjit e kjo është në kundërshtim me idenë e fatumit. Ashtu sikundër nuk kishte shqip para vetes gjedhe a sisteme figurative të periudhës letrare, të cilën ai e krijoi; po kështu Gjon Buzuku u shtrëngua, që, format, tipat, funksionin semantik e estetik të shtresës së sistemit figurativ ta ballafaqojë me përvojat evropiane, duke sjellë një përvojë krejtësisht të panjohur të lëndës gjuhësore poetike, të burimeve tematike e të një periudhe letrare të panjohur në literaturën shqiptare. Sado që dija jonë letrare e ka vlerësuar “Mesharin” si vepër fetare, pra, që nënkuptonte edhe vlera më të pakta artistike, megjithatë Çabej, Zija Xholi, Justin Rrota, Gaetano Petrotta, Namik Resuli, Mahir Domi, Selman Riza, Injac Zamputi, Mario Roques, Willi Kamsi, Rexhep Qosja, Emil Lafe, Stefan Çapaliku, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Isak Ahmeti, Robert Elsie, Kolë Ashta, Nuhi Ismajli, Shaban Sinani, Moikom Zeqo e studiues tjerë buzukianë, e pranojnë që kjo vepër ka vlera të mirëfillta artistike dhe e nxjerrin në dritë vlerën letrare dhe, përciptazi, edhe letrarësinë e “Mesharit”. Ndër ta Çabej nënvizon bukurinë stilistike që ka vepra, me shembuj të shqipes klasike.
Metaforat e “Mesharit”
Në këtë kuadër, poetika e letërsisë së vjetër shqipe, ashtu sikundër ndodh në letërsitë e popujve evropianë, interpretohen me anë të ekzegjezës patristike e të disiplinave tjera teologjike, retorike e letrare, brenda të cilës interpretohet edhe sistemi figurativ i kësaj letërsie. E, ndër të tjera, edhe përdorimi i metaforës, apo, sikundër e quante Aristoteli, të mbretëreshës së tropeve. Ashtu sikundër ligjëron tradita evropiane që nga Aristoteli e deri te Derrida, metaforika shfaq esencën e qenies shumëdimensionale, shumëplanëshe, shfaq kuptime të shumta (shih shëmbëlltyrat alegorike-metaforike të teksteve bilike edhe te “Meshari”).
Që në hapje të librit (po e quajmë kushtimisht hapje tekstin që lexohet nga faqja e tetë, mbasi faqet e para nuk janë ruajtur), me anë të përdorimit të metaforës Buzuku i poetizon si atmosferën e përshkruar, ashtu edhe kallëzimin biblik; si thëniet origjinale të autorit, ashtu edhe historinë religjioze, historinë e shpëtimit apo të shëlbimit, historinë e apostujve, ashtu edhe psalmet e përkthyera. Pra, të gjitha llojet letrare biblike, si letërsia e profetizmit, letërsia e apokalipsit, himni, lutja, falënderimi, poema religjioze, miti, parabola, alegoria, kallëzimi biblik, legjendat biblike, trajta e përrallës biblike etj etj përmbajnë thënien e figurshme buzukiane, ashtu sikundër ngjyrosen edhe me thënien metaforike. Kështu, në fjalinë e parë Shën Mëria quhet “Amë e përmëshiershme”, duke e leksikalizuar në kuadër të kësaj metafore fjalën e moçme Amë, e cila shënjon amësinë, burimin e çdo gjëje që na rrethon e që është krijuar nga dora e demiurgut. Ajo ka lindur e virgjër “me na e qitun jashtë ferënë”, kurse këtu metafora e ferrës shpreh një gjykim etik mbi vlerat, duke i kontrastuar ato me metaforat virgjëri/ferrë me pastrimin e mënjanimin e mëkateve sipas besimit të krishterë. Metafora të tjera jo të pakta, spontanisht e provokojnë një emocion, kurse në planin e komunikimit ekspresioni metaforik përqendrohet mu në substancën e mesazhit e që e ngërthen funksionin poetik të thënies së bartur, çfarë e posedon çdo metaforë. Në të tilla funksione, metaforika e Buzukut e realizon rolin e saj semantik në pjesë të ndryshme të tekstit të “Mesharit”: siç janë: “Kanka e Xakarisë profet”, “Komemoraciona e gjithë Shenjtët”, të 28 pslamet e përkthyera, uratat, lutjet, hymnet, rite liturgjike, “Kanka e Zonjës Shën Mëri”, “Kanka e Simonit profet”, “Kanka e Zonjës”, “Antifona”, “Oratiot” e shumta, Letanie-t, (M)katet mortare, Xgjedhjet nga profetët, si Ezaia, Danieli, et, apo Lekcionet e Ezaisë, Pistulat (letrat) e Shën Palit, “Të zanunit nfill t’Ungjillit porsi shkrou Gjoni”, “Të zanunit nfill t’Ungjillit porsi shkrou Matheu”, “Të zanunit nfill t’Ungjillit porsi shkrou Luka”, “Të zanunit nfill t’Ungjillit porsi shkrou Marku”, Zgjedhje e pistullës së Ezaisë, Zgjedhje e pistullës së Ezekielit, Oriatorio in pasione, etj etj. Këso pjesësh brendatekstore këmbehen e ndërkëmbehen, posi në tekstet antike, deri në fund të librit, me të njëjtën frymë kompozicionale-metaforike. Vetë strukturimi i tillë kompozicional e tematik i librit, është një kumbim e një thurje e bukur metaforike. Kumbime të bukura metaforike përmbajnë shprehjet e tilla tek psalmet: “Ty të falemi, o uilli i detit, o Amë e denjë e Tinëzot”, ose “Të gëzonjë shkretëtirë”, ose “Hinje se dimni shkoi e shiu vote”, “Pëllumbi em, ndë plasët të gurit, ndë enfshehunat e gjirdhevet”, “dëftomë të klenët tat…të panët të tat anshtë të dëshëruom” etj. Madje tek (M)katet Mortare, që në të parin mëkat ai rrezaton idetë kombëtare e kulturore, të shprehura tek “Pasthënia”: se më i pari mëkat, “anshtë vetë të banem turk”, duke sugjeruar bjerrjen e dhunshme të identitetit nga turqit, nëpërmes besimit. Prozat poetike të “Mesharit” Çabej i vlerëson si shembuj të një shqipeje klasike. Ndërsa këndimi shqip i psalmeve, në trajtën e prozës poetike buzukiane, e ngërthen poetiken si kategori letrare; poetikja e “Mesharit” i sintetizon hapësirat e jashtme të përshkrimit me zbulimet metaforike të hapësirave të brendshme, shpirtërore të njeriut; e zbulon dimensionin teologjik e hyjnor të kësaj vetëdijeje. Shumë kallëzime biblike të “Besëlidhjes së Vjetër” e të “Besëlidhjes së Re”, (ato rëndom quhen shëmbëlltyra/parabola), edhe në shkrimin buzukian kanë trajtë metaforike-alegorike, sikundër janë “Djali plangprishës”, në të cilën dalin prirjet shprehëse-narrative të ligjërimit metaforik popullor; apo kallëzimi biblik për shëmbëlltyrën e mbjellësit (“Meshari” LX), në të cilin ferrat, toka dhe subjekti narrativ metaforizojnë punën me besimin e me vlerat universale humaniste. Te e fundit, çdo përkthim përbën edhe një akt krijues. E secil akt krijues identifikohet me frymëzimin, me muzën. Pra, frymëzimi identifikohet me misteriozitetin, me mitin, kurse te autorët e krishterë identifikohet me fshehtësinë hyjnore. Dhe kur Buzuku ligjëron për fëdigën (mundimin) e të shkruarit të librit të parë, metaforikisht ai na e sugjeron se fjalët iu ngjanë mundimit të lindjes së fëmijës nga nëna. Pra, fjala është dhunti hyjnore. Libri konsiderohej si ringjallje e asaj bote të Arbanit, që të mos e lërë të bjerret; konsiderohej Shkrim i Shenjtë, në të cilin ngërthehen të gjitha urtitë e botës e të universit. Por që mbetet aktuale edhe për sot: se asgjë nuk mund ta zëvendësojë Fjalën e Shkruar.