GJITHMONË NË RASTE KRIZASH, E VËRTETA ËSHTË VIKTIMA E PARË

SHKRUAN: FRANK SHKRELI

Ata që më njohin dhe ata që mund të kenë lexuar, nga koha në kohë, shkrimet e mia modeste e dinë se sa për “për zemër” e kam lirinë e fjalës në përgjithësi dhe lirinë e shtypit në veçanti –mbështetjen ndaj të cilës e kam konsideruar gjithmonë, pothuaj, si një mision i jetës.  Mbështetjen dhe promovimin e lirisë së fjalës, e kam si një obligim moral personal por dikur edhe si një detyrim profesional për 30-vjet pranë Zërit të Amerikës, gjatë luftës së ftohtë midis lindjes komuniste dhe perëndimit.  Madje edhe në pension pas më shumë se 15-vite që jam larguar nga VOA, vazhdon të më mbetet një subjekt ky, gjithnjë, tepër i rëndësishëm për shoqërinë amerikane ku jetoj për një gjysëm shekulli, por edhe për çdo vend tjetër në botë.  Është një subjekt të cilin e kam trajtuar në dyzina artikuj këto vitet e fundit.  Edhe ky shkrim modest është në rrjedhën a dyzina të tjerëve më parë, ku kryesisht kam shprehur shqetësimet e mia ndaj kërcënimeve që i bëhen fjalës së lirë këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës ku liria e fjalës vazhdon të shkelet, të abuzohet dhe të mos respektohet,– përfshir edhe trojet shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.

Por, këtë artikull nuk po ia kushtoj mungesës së lirisë së shtypit dhe as nuk po promovoj lirinë e fjalës në vende dikatoriale ose autoritare të njohura botërisht për shkeljet flagrante të fjalës së lirë – siç janë Rusia, Kina, Turqia, Irani, Arabia Saudite, e tjera e të tjera, por atyre që Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qëndër në Nju Jork, Joel Simon, i cilëson si një, “mori presionesh, fyerjesh dhe abuzimesh që dalin nga goja e Presidentit Trump”, kundër gazetarëve këtu në Shtetet e Bashkuara.

Sipas një njoftimi për shtypin të (KMG), në një raport të botuar më 16 prill i sponsorizuar nga Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, thuhet se, “prej shumë mënyrave të ndryshme që ka përdorur Administrata Trump në sulmet e saja kundër gazetarëve, ndër më efektivet dhe më të rrezikshmet është përpjekja për të shkatërruar kredibilitetin e medias, duke minuar të vërtetën dhe konsensus-in, ndërkonë që pandemia e koronavirusit kërcënon të shkaktojë vdekjen e dhjetëra mijëra amerikanëve.”

Në raportin me titull, “Administrata Trump dhe Media” e botuar të ënjtën, me 16 prill, përgatitur nga Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Arizonës dhe ish-kryeredaktori i gazetës the Washington Post,  Leonard Downie, Jr me bashkautoren Stephanie Sugars, përfshihen intervistat me mbi 40 gazetarë dhe ekspertë të medias, akademikë si dhe zyrtarë të administratës Trump.

Në njoftimin për media me këte rast, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon, shprehet se, “ Gazetarët në Shtetet e Bashkuara, kryesisht, nuk i janë penguar aspak, (në kryerjen e punës së tyre) nga kritikat, fyerjet dhe presionet e përditshme që vijnë nga Presidenti Trump, por megjithëkëtë, shtoi ai, “ato kanë ndikuar në minimin e besimit të publikut tek media si një institucion publik”, gjë që sipas tij është diçka e rrezikshme, sidomos në mes të një krize shëndetësore.

Për më tepër, thekson Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, kritikat e Presidentit Trump ndaj gazetarëve, “inkurajojnë dhe fuqizojnë autokratët anë e mbanë botës, të cilët janë duke shkelur liritë e medias dhe lirinë e fjalës me një ashpërsi dhe vendosmëri të paparë, në një kohë kur informacioni i vërtetë, nevojitet më shumë se kurrë.”

Në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qëndër në Nju Jork, përfshishen një numër rekomandimesh – https://cpj.org/reports/2020/04/trump-media-attacks-credibility-leaks.php#11 — për administratën Trump, përfshir nevojën për të folur publikisht në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndërsa (KMG) i ka dërguar Shtëpisë së Bardhë edhe një letër, https://cpj.org/2020/04/cpj-calls-on-trump-to-improve-press-freedom-in-us.php, bashkangjitur me raportin Adminstrata Trump dhe Media, me të cilën i kërkohet edhe një takim  në Shtëpinë e Bardhë, për të biseduar mbi këto çështje.

Ndërkaq, gjatë takimit me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, Presidenti Trump zgjodhi Zërin e Amerikës, për ta venë kësaj radhe në shënjestrën e kritikave të tij.  Në raportin e transmetuar mbi këtë çështje nga Zëri iAmerikës në gjuhën shqipe, të enjtën https://www.zeriamerikes.com/a/trump-congress-voa-bennett/5374257.html, në kritikën e tij ndaj Zërit të Amerikës, Trump përmendi si shembull një postim në llogarinë e Zërit të Amerikës në Twitter, të një videoje të agjencisë Associated Press.  Videoja tregonte një shfaqje dritash në Wuhan për të shënuar riahpjen e qytetit, ku COVID-19 u diktua për herë të parë.  Në këtë ndërkohë, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi dje se kritikave të Presidentit Trump iu përgjigj Drejtoresha e Zërit të Amerikës të mërkurën në mbrëmje, duke i hedhur poshtë kritikat e Presidentit Trump, ndërsa theksoi se Zëri i Amerikës “ka diskredituar shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria kineze dhe media e kontrolluar prej saj”.  Për më tepër, Drejtresha e VOA-s, Amanda Bennett u shpreh se, “Për mbi 75 vjet, Zëri i Amerikës ka ndjekur misionin e tij për të treguar historinë e Amerikës në vende të tjera dhe për të dhënë informacion objektiv, bazuar në fakte, në vende në gjithë botën që nuk kanë qasje në këto informacione.  Siç kemi thënë për një kohë të gjatë, ne përhapim (parimet) e Amendamentit të Parë (që përfshin lirinë e shprehjes dhe medias)”, citohet Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në një deklaratë për dtafin dhe median.  Ajo shtoi duke thënë se, “Unë besoj në atë mision.  Dhe duke gjykuar nga mënyra se si po zgjerohen audiencat tona, duke kërkuar informacion të besueshëm gjatë kësaj krize të koronavirusit, edhe bota beson në misionin tonë.  Është punë e vështirë, punë e rëndësishme, ndoshta sot më shumë se kurrë më parë”, vazhdon deklarata e Drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Amanda Bennett.

VOA në gjuhën shqipe citon gazetën New York Times të ketë shkruar në lidhje me kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s, se “Akuzat drejtuar agjencisë 75 vjeçare të transmetimit, dukeshin aq të tepruara saqë disa lexues shprehën shqetësimin se hakerat mund të kishin depërtuar në rrjetet e Shtëpisë së Bardhë”.

Edhe për mua – bazuar në përvojën time 30-vjeçare me Zërin e Amerikës, kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s janë aq të pakuptimta sa edhe të çuditshme për një president.  Jo se VOA, në gjuhë të ndryshme të mos ketë bërë ndonjë gabim, nga koha në kohë, në lidhje me ndonjë lajm ose raportim te cilësdo natyrë qoftë.  Por, çdo gjë tratohej ndryshe.  Na vinte ndonjë kërkesë për ndonjë shpjegim, jo vetëm nga Shtëpia e Bardhë por edhe nga Kongresi, nga Departamenti i Shtetit e tjera ente qeveritare, përfshir ambasadat.  Më kujtohet një rast kur një zyrtar i lartë amerikan po interesohej për një lajm të VOA-s nga Evropa Lindore, në periudhën e Solidaranostit.  “Po interesohem, tha ai, për atë lajm jo se nuk i besojmë VOA-s, por nëqoftse jeni gabim, për arsye të besueshmërisë së madhe që gëzoni në rajon, mund të shkaktohet një luftë. Prandaj, nëqoftse ishte lajm i gabuar të kërkoni falje dhe ta tërhqini.   Pas një shqyrtimi të shpejt të programeve, lajmi i VOA-s doli i sakt dhe as nuk shpërtheu ndonjë luftë, si rrjedhim.   Dua të them se gjërat trajtoheshin krejt ndryshe, dikur.

Është e vërtetë se gazetarët në Amerikë nuk shqetësohen shumë për kritikat ndaj tyre, madje qoftë edhe kur ato vijnë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, që konsiderohet njeriu më i fuqishëm në botë.  Falë nderës të Madhit Zot dhe baballarëve të këtij Kombi që kanë lënë pas një Kushtetutë dhe që krijuan institucione të forta qeveritare dhe jo-qeveritare, të cilat i qëndrojnë dhe kundërshtojnë – pa frikë ndëshkimi – abuzimin me pushtet të cilitdo president ose degë qeveritare qoftë.  Jo më kotë garancia e fjalës së lirë zen vend në artikullin e parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.  Nuk e luan as topi!

Por, sot më shumë se kurrë, Amerika dhe bota kanë nevojë për lirinë e medias, për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe për mbështetjen e të vërtetës.  Bota ka nevojë për ente dhe burime lajmesh, kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është Zëri i Amerikës, i cili që nga themelimi i tij në fillim të Luftës së Dytë Botërore, është angazhuar të thotë të vërtetën.  Përgjatë ditëve të errëta të Luftës Botërore, trazirave të Luftës së Ftohtë, përballë terrorizmit, apo në krah të përpjekjeve të njerëzimit për të fituar lirinë, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës si shembulli i ruajtjes së parimeve të shtypit të lirë.  Karta e Zërit të Amerikës përmbledh tre vlera themelore.  Së pari, Zëri i Amerikës shërben si një “burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse.”  Janë këto vlera themelore të një shtypi të lirë që duhet të mbrohen nga të gjithë ata që besojnë në liri, por mbi të gjithë nga ata përgjegjësia kushtetuese e të cilëve është që t’i mbrojnë ato vlera dhe liritë bazë të njeriut – madje edhe në kohë krize, nepër të cilën po kalon sot Amerika dhe bota.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *