Gjermania është përjashtuar nga bisedat e fshehta për ndryshimin e kufijve të Kosovës

Profesori shkencave politike nga Universiteti në Grac të Austrisë, Florian Bieber, ka përshtypjen se për Kosovën po bisedohet prapa dyerve të mbyllura, për ndryshimin e kufijve të saj.

Këtë ndryshim kufijsh, sipas tij, po e përkrahin disa vende perëndimore, por jo edhe Gjermania, e cila, ka thënë ai, është e papërfshirë në këto biseda.

Për Bieberin, i cili zhvilloi një bisedë për agjencinë e lajmeve FoNet, është problem i madh pse Gjermania është përjashtuar nga tregimi “për ndryshim kufijsh”, pasi, siç tha ai, nuk ka kurrfarë negociatash që e përjashtojnë Gjermaninë e që ato të sjellin ndonjë rezultat të suksesshëm.

Ai ka pohuar se Kosova është shkaku kryesor që Komisioni Evropian e shikon ndërmjet gishtërinjve presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, sepse, ka thënë ai, “në BE edhe më tej ekziston shpresa se ai do ta zgjidhë këtë problem”.

Duke folur për protestat që po zhvillohen në Serbi, Biber ka thënë se për një pjesë të anëtarëve të BE-së protesta janë problem, pasi me to po largohet vëmendja nga tema kryesore që është Kosova.

Sipas interpretimit të Bieberit, deklarata kohë më parë e Thaçit për “një korrigjim të vogël” të kufijve, i shkon për shtati edhe Rusisë në tezën e saj “mbi bisedimet prapa skenës”.

Ai tërheq vërejtjen se “ndryshimi i kufijve është tregim që hap më shumë probleme se sa që i mbyll ato”.

“Problemet e serbëve që do të mbeten në Kosovë nuk i zgjidhë këmbimi i territoreve”, pohon Bieber.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top