Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe përmasat e efektivit të ushtrisë së tij

SHKRUAR NGA PAULIN ZEFI, LEZHË

Aty nga muaji maj i vitit 1444, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizoi një ushtri të përhershme, e cila përbëhej nga 8.000 trupa, që mund të plotësoheshin me një forcë rezervë prej 10.000 burrash, kryesisht kalorës të lehtë dhe të armatosur me shpata, heshta, shtiza dhe harqe me shigjeta, të cilët mund të mobilizoheshin me shpejtësi në kohë krize. Ushtarët më me përvojë ishin 6.000 kalorës dhe 3.000 këmbësorë të lehtë. Kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm, zakonisht forcat ushtarake arrinin nga 18.000 deri në 20.000 burra, por në raste të veçanta, numri total shkonte nga 30.000 deri në 35.000 veta. Kurse për çlirimin e kështjellës së Sfetigradit, më 1449, sipas Murgut Anonim Rus, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mblodhi një ushtri prej 38.000 vetash. Po i njëjti autor thotë se në betejën e zhvilluar me Sinan Pashën dhe më pas me Hasan Pashën, në Mokër (27 gusht 1462), ai mblodhi rreth 50.000 ushtarë. Këta dy njoftime nuk gjenden te asnjë autor tjetër apo në ndonjë burim dokumentar dhe natyrisht që në këtë rast, kemi të bëjmë me hiperbolizim. Grupimet e ushtrisë arbëre, që krijoi menjëherë pas zgjedhjes së tij si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë nga Lidhja e Lezhës, asnjëherë nuk kanë qenë të njëllojta në përbërje dhe në madhësi. Në varësi të situatës, terrenit dhe kushteve meteorologjike, ato përbëheshin herë prej 4.000 deri në 6.000 ushtarë, kur vepronin në dy drejtime dhe 10.000 deri në 15.000 kur veprohej vetëm në një drejtim. Në raste të caktuara, si për shembull në betejën e parë të Mokrës (1445), ka angazhuar vetëm 3.000-3.500 ushtarë, 2.000 prej të cilëve kalorës dhe ndërsa në betejën e Talmiranës (1448) vetëm 3.100 ushtarë: 2.800 këmbësorë dhe 300 kalorës.

Grupimet e vendosura nëpër kështjella përbëheshin nga garnizone prej 400 deri në 2.000 këmbësorë dhe artilerë. Kur e kishin pyetur për numrin e vogël të ushtarëve që angazhonte nëpër beteja, sipas M.Barletit, ai ishte shprehur se: “Kapedani apo komandanti, që nuk di ta thyejë armikun me 8.000 ushtarë ose 12.000 e shumta, ai s’ka sesi t’ia arrijë me asnjë mënyrë fitores me forca shumë më të mëdha, sepse moria e forcave dhe mizëria e ushtarëve, kanë qenë më të shumën e herës shkak rrëmuje dhe pengesë për fitoren.” Të njëjtin njoftim e ndeshim edhe te J.C.L.Simonde de Sismondi, C.C.Moore, A.K.Brackob dhe shumë historianë të tjerë. Edhe P.Giovio vëren se Kastrioti pohonte se fitoret nuk përgatiten me numër të madh, por me ushtarë të sprovuar dhe të përzgjedhur. Po ashtu, filozofi i madh i Rilindjes Franceze dhe një ndër personalitetet më me ndikim në Europën Perëndimore dhe më gjerë, Michel de Montaigne (1533–1592), shkruan se: “Skendërbeu, një gjykatës i mirë dhe shumë ekspert (bon iuge & tres-expert), ishte mësuar të thoshte se 10.000 ose 12.000 luftëtarë besnikë (dix ou douze mille combattans fideles) duhej të ishin të mjaftueshëm për një udhëheqës ushtarak, mbi të cilët ai do të bazohej për të garantuar reputacionin e tij me fuqinë e plotë të nevojës ushtarake.” Në fakt, edhe Sun Tzu shkruan, se: “Në luftë, të pasurit e një ushtrie të madhe në numër nuk përbën në vetvete një avantazh.”

Në bazë të njoftimeve të shumta bashkëkohore, mund të arrihet në konkluzionin se Heroi jonë Kombëtar vlerësonte drejt sasinë dhe cilësinë e ushtrisë dhe në pamundësi për të shtuar numrin e efektivit ushtarak si rezultat i kushteve në të cilat ndodhej vendi jonë, ai i kushtoi një rëndësi të veçantë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përgatitjes politike-morale dhe luftarake të efektivit ushtarak që kishte në dispozicion. “Gjithmonë me një grusht njerëzish, ai vuri në arrati trupa të panumërta”, shkruan avokati francez dhe shkrimtari poligraf i shek. XVIII, Jean-Antoine Guer (1713-1771), i cili shton se: “Trimëria dhe forca e tij janë të njohura në mbarë botën.” Të gjitha fitoret kundër turqve osmanë, por edhe venecianëve (1447-1448) dhe anzhuinëve (1461-1462) u arritën kryesisht falë tmerrit që shkaktoi emri i tij në rradhët e ushtrive armike dhe ishte pikërisht ky emër i lavdishëm, i cili përbënte armën kryesore dhe më të fuqishme në arsenalin e ushtrisë arbëre. Prandaj është shumë i drejtë konstatimi i Jean René Durdent, i cili thekson se: vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, personalisht, vlente sa një ushtri. Ndërsa, Rev. F.X.McGowan, thotë se: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte një hero emri i të cilit vlente më shumë se një ushtri.

Pra, si përfundim, mund të thuhet se ashtu si Aleksandri i Madh i Maqedonisë (356-323 p.k.) dhe gjenerali i shquar ilir i Perandorisë Romake të Lindjes, Flavius Belisarius (500-565), i cili njihet si një ndër “Ultimus Romanorum (I fundmi i Romakëve – P.Z.)”: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu demonstroi se njësitë e vogla ushtarake, të stërvitura mirë, të disiplinuara, shumë të lëvizshme, të sigurt në pajisjet e tyre dhe me besim të plotë në aftësitë e veta, por sidomos te udhëheqësi i tyre, janë përbërësit kryesorë, që garantojnë fitoren në luftë edhe kundër një kundërshtari shumë më të madh në aspektin numerik.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top