Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit

SHKRUAN: ELVI SIDHERI

Ditët e 6 dhe 7 shtatorit 1955, do të mbeten në historinë moderne të Stambollit, të njollosura nga mësymjet e dhunshme të organizuara kundër pakicës së krishterë në qytetin gjigant në brigjet e Bosforit, midis Europës dhe Azisë, në Stambollin ku akoma ruhen gjurmët e perandorive të shkuara, nga romakët te bizantinët, gjer te osmanët të fundit në radhë, përpara se megalopolisi turk t’i linte vendin Ankarasë si kryeqytet në shekullin XX.

Gjithsesi, ende në mesin e viteve 50 të shekullit të shkuar, në Stamboll vijonin të jetonin rreth dyqind mijë të krishterë, kryesisht grekë (ose grekofonë, përfshirë edhe plot shqiptarë ortodoksë, pjesë të një komuniteti shqiptar të kësaj feje, të ngulitur në Konstandinopojë prej disa shekujsh dhe të shquar në disa profesione të veçanta dhe sipërmarrje e njerëz të njohur e të suksesshëm, siç kam hasur në kërkimet e mia), por edhe armenë, gjeorgjianë, asirianë, levantinë katolikë, etj.

Ndërkaq, mbas ngjarjeve që në histori do të cilësoheshin Pogromi i Stambollit, këtij komuniteti do t’i jepej thuajse përfundimisht dërrma, teksa qenë shkatërruar shumica e pronave, kishave dhe shtëpive e varreve të tyre, nga turmat e ndërsyera të ardhura kryesisht nga jashtë Stambollit për zbatimin e këtij plani ogurzi.

Në kontekstin e ashpërsimit të problemit të Qipros, dhe ndarjes komunitare mes grekëve dhe turqve të Ishullit të Afërditës, një shpërthim do të ndodhte sakaq në Selanik, pikërisht në Shtëpinë e Ataturkut në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, më 5 shtator 1955, në kopshtin e kësaj godine historike, duke thyer vetëm disa qelqe dritaresh, por gjithsesi të nesërmen, falë edhe nxitjes së turmave në një gazetë turke (Ekspres), do të fillonin trazirat në Stamboll.

Ngjarjet filluan së pari në Beyoğlu dhe sulmet do të përfshinin shtëpitë dhe vendet e punës së pakicave në Kurtuluş, Nişantaşı, İstinye, Yeniköy, Eminönü, Yedikule, Bakırköy, Fatih dhe Eyüp. Ngjarjet u përhapën gjithashtu në Moda dhe Ishujt e Princit.

Përkundër mefshtësisë së autoriteteve, në disa raste edhe banorët turq do të ndihmonin fqinjët e tyre, duke u thënë mësymësve se në shtëpitë përreth nuk kishte grekë, por veçanërisht një njeri edhe sot e kësaj dite mbahet mend botërisht për mbrojtjen e ofruar ndaj pakicës së krishterë në këto rrethana të frikshme.

Ky njeri quhet Reşat Mater, i lindur në Shkup në vitin 1911, dhe në ditët e këtyre ngjarjeve të tmerrshme, ishte kapiten i Forcave Ajrore Turke (me detyrën Shefi i Shtabit i Komandës së Shkollave të Aviacionit).

Familja Mater jetonte në një shtëpi trekatëshe prej druri në Muhasebeciler Sokağı, në lagjen Cevizlik, zonë që gjendej ngjitur me İstanbul Caddesi në Bakırköy, pikërisht në vendin ku do të shpërthenin sulmet dhe plaçkitjet ndaj të krishterëve.

Plaçkitësit që patën synuar të hynin në këtë lagje do të gjenin ushtarakun Reşat Mater si pengesë të pakalueshme për realizimin e planit të tyre sidoqoftë.

Ky ushtarak i lartë i forcave ajrore turke, fatmirësisht pati qëlluar të ishte me leje atë javë dhe kish ardhur në Stamboll për të ndejtur me familjen e tij.

Reşat Mater, kur pati dëgjuar për plaçkitjet e dhunshme, menjëherë do të dilte vetë jashtë për të mbrojtur fqinjët e tij grekë dhe armenë, veshur me uniformë dhe armë në dorë, e kur burrat e lagjes së tij do ta shihnin ushtarakun në rrugë, patën vrapuar bashkërisht për ta ndihmuar atë me mjete rrethanore mbrojtëse në duar.

Papritmas ngrihet një barrikadë në hyrje të rrugës kundër mësymësve, e ndërkaq Mater i kish marrë në mbrojtje fqinjët e tij grekë dhe armenë brenda në shtëpinë e tij dhe plaçkitësit e ardhur në lagje qenë habitur së tepërmi duke gjetur një ushtarak të armatosur përballë tyre.

Grupet e ndërsyera me njerëz të dhunshëm do të detyroheshin të ktheheshin mbrapsht rrjedhimisht dhe atë natë, falë Reşat Mater, asnjë shtëpi apo dyqan i vetëm në pronësi të pakicave të krishtera nuk do të dëmtohej në lagjen Cevizlik, që përbëhet nga gjashtë rrugë.

Mater do të bëjë shumë emër me kalimin e viteve në ushtri dhe katër vite pas këtyre ngjarjeve, ai do të gradohej gjeneral brigade duke u emëruar në Komandën e 3-të të Forcave Ajrore.

Ai gjithashtu do të shërbente si Shef i Logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm me gradën Gjeneral Major. Më pas gradohet gjeneral në 1967. Një vit më vonë, ai bëhet edhe Komandant i Forcave Ajrore në vitet 1968-1969.

Thënë ndryshe, ai do të bëhet ushtarku i tretë për nga rëndësia në Ushtrinë Turke.

Mater ndërron jetë më 22 qershor 1989 dhe djali i tij, Tayfun Mater, i cili ishte gjashtë vjeç në kohën e ngjarjeve tragjike në fjalë, ende mban lidhje dhe takohet me fëmijët e fqinjëve të tij grekë që patën emigruar në Greqi pas kësaj dhune.

Përveç respektit dhe vlerësimit për qëndrimin heroik të këtij njeriu, ajo që bie në sy është padyshim origjina e tij nga Shkupi, që jo rastësisht është edhe vendlindja e tij.

Reşat Mater vjen nga një famlije e madhe shkupiane, ku bëjnë pjesë edhe myftiu i Shkupit Ali Durak Efendi dhe Guvernatori i Jemenit Mehmet Mefahir Bey.

Në Stamboll ai studion në Akademinë Ushtarake dhe Shkollën e Artilerisë, krahas Shkollës së Aviacionit në vitet 1930, ndërsa bashkëshortja e tij është Meliha Mater, sërish me origjinë nga një derë e fisme nga Shkupi, me mbiemrat Vardarlılar dhe Vardar, ku bëjnë pjesë pinjollë të njohur si deputetë të parlamentit turk, gazetarë, mjekë të famshëm, ushtarakë të lartë, biznesmenë e shkrimtarë.

Siç shihet nga biografia dhe nga origjina e familjes së Reşat Mater, Shkupi është vendlindja e njeriut që pati shpëtuar me vetëmohim fqinjët e tij të krishterë në valën e dhunës kundër kësaj pakice me rrënjë mijëravjeçare në Stamboll, gjatë ditëve të Pogromit famëkeq ndaj tyre, por gjithashtu Shkupi është origjina e familjes së bashkëshortes së tij, dhe ky fakt dëshmon edhe më tepër rrënjët shqiptare të këtij heroi që vijon të kujtohet me respekt në Turqi e jashtë saj, për gjestin e tij guximtar, në një kohë kur shumëkush nuk pati lëvizur as gishtin për të ndihmuar këta njerëz të përndjekur.

Për këtë arsye Reşat Mater meriton edhe të njihet nga lexuesit shqiptarë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top