Zbardhet përralla e Edi Ramës dhe e Aleksandër Vuçiçit së bashku, se Donald Trump është shprehur kundër shqiptarëve dhe në mbështetje të serbëve. Kryeministri Rama përsëriti edhe dje gënjeshtrën se Trump është kundër Kosovës, por në emisionin e Larry King në 1999-n, presidenti i ri i SHBA ka kërkuar ndërhyrjen e trupave tokësore në Kosovë.
Shqiptarët e Kosovës duket se janë frikësuar pa arsye se Presidenti i sapo zgjedhur i SHBA-së Donald Trump, është kundër Kosovës. Këtë e tha mesditën e sotme edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Por si është e vërteta. Ja deklarata e plotë e presidentit të ri të SHBA, dhënë për Larry King në vitin 1999, ku ai kërkonte që në Kosovë të ndërhyhej me trupa tokësorë për t’i dhënë fund luftës.
Deklarata e plotë e Donald Trump për Kosovën: “Do të veproja ndryshe, edhe pse e di se do të tingëllojë çuditshëm te shumëkush. Shiko kaosin që kemi shkaktuar në Kosovë. Unë mendoj që ne mund të themi se kemi humbur vetëm disa njerëz. Padyshim se ne ishim 10 mijë metra larg me aeroplanë prej ku po hidhnim bomba. Por shiko çfarë i bëmë atij vendi, atyre njerëzve; sa shumë vdekje dhe vuajtje u kemi shkaktuar. Ne do të duhej të shkonim atje me trupa tokësore, do të kishte vrasje edhe në këtë opsion por më pak. Nuk do të ishte situata kaq kaotike sa është tash. Njerëzit u përzunë nga tokat e tyre, nga territoret e tyre, çdokush po ikën kah po mundet dhe askush nuk po e di se çfarë po ndodh. Janë me mijëra të vrarë”. Serbët përmes një interviste të pavërtetë, muajin e kaluar kishin thënë se Trump u ka kërkuar falje serbëve për ndërhyrjen ushtarake të vitit 99. Ai normalisht e mohoi intervistën. E vërteta është se paska mbrojtur qëndrimin më radikal të ndërhyrjes në Kosovë.
Kush ja ka thënë Ramës “deklaratën” e Trump kundër Kosovës?
Në kulmin e fushatës elektorale presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një revistë e njohur serbe Nedeljnikas, provokoi fortë shqiptarët duke njoftuar se dispononte një intervistë të kandidatit Trump, ku ai kishte deklaruar se kërkonte falje për ndërhyrjen dhe bombardimet e NATO-së të udhëhequra nga SHBA në Serbi në vitin 1999, kur president ishte Bill Klinton. Pavarësisht se ky lajm i bujshëm për serbët, por veçanërisht për shqiptarët të frustuar fortë deri në ato moment kundër Trump edhe nga deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama ishte periferik, stafi i fushatës së Donald Trump ka reaguar urgjentisht duke e përgënjeshtruar atë. Këshilltarët e presidentit të sotëm Trump, jo vetëm e mohuan që miliarderi të ketë dhënë një intervistë për revistën serbe javore, por sqaruan se kandidati amerikan nuk i ka kërkuar asnjëherë falje popullit serb. “Trump nuk ka dhënë asnjë intervistë për revistën serbe javore Nedeljnijkas siç është raportuar në mënyrë të gabuar. Ky është një mashtrim dhe do të kërkojmë një përgënjeshtrim nga të gjitha palët e përfshira”, deklaroi atëherë këshilltari i komunikimit të Donald Trump. Më herët kryeministri i Shqipërisë në disa intervista brenda dhe jashtë vendit, madje në media prestigjioze si CNN dhe Zëri i Amerikës, jo vetëm që është deklaruar kundër zgjedhjes së Trump si president, por ka shkuar edhe më tej duke paralajmëruar se kjo zgjedhje është rrezik për marrëdhëniet strategjike dhe të shkëlqyera mes dy vendeve, pavarësisht se kush ka qenë president në SHBA, apo kryeministër në Shqipëri. Nëse propaganda serbe ka qenë në të drejtën dhe brenda misionit të saj, për të përhapur perceptimin se Trump është pro serb dhe anti shqiptar, sot shtrohet pyetja; Po kryeministri shqiptar nga është nisur, çfarë informacionesh dispononte, prej kujt, kur deklaron hapur se miqësia mes popujve shqiptar dhe atij amerikan është në rrezik me Donald Trump president?
Nëse ai si kryeministër dhe jo si Ed Rama, ka vërtet informacion se bashkë me presidentin, SHBA do të ndryshojnë edhe politikën mbi 100-vjeçare ndaj kombit shqiptarë, duhet të japë urgjentisht shpjegime; i ka këto të dhëna nga Washingtoni, Rruga e Elbasanit, Beogradi, apo qoftë edhe nëse janë thjesht fantazi dhe idiotësi, të prodhuara nga deliri i vetë atij… Është një shpjegim që nuk ka për ta shmangur dot sa të jetë kryeministër dhe në politikë, prandaj mirë është ta bëjë sa më shpejt, sepse të paktën “mediat e kazanit” nuk do të lënë rast pa ja kujtuar.
Gazeta 55