Frika

SHKRUAN: EDISON YPI

Nuk kishe frikë të haje bukë me miza dhe spango thasësh brenda. Askush nuk kishte vdekur duke ngrënë bukë të tillë. Nga frika e ilaçeve shpëtoje duke mos i gëlltitur. Oborret e spitaleve ishin plot me tableta dhe kapsula që pacientët i flaknin nga dritaret.

Por mund të kishe frikë nga dashuria. Për tu çliruar nga frika e dashurisë kishe dy mënyra; Duke mos u martuar, ose duke u bërë si gruaja.

Komshiu i katit të dytë ishte spiun. Le të ishte. Që spiuni të mos të spiunonte duhej ta siguroje se nuk kishe frikë, se në kokë nuk kishe lakra dhe në mendje nuk kishe mendime mikroborgjeze.

Të kishe frikë mos të shkelte ndonjë makinë në rrugë, nuk bëhej fjalë. S’kishte as rrugë as makina.

Nga armiqtë e jashtëm që mezi prisnin të na pushtonin nuk kishim frikë sepse ne bënim Zborr ndërsa ata tigra prej letre nuk e kishin idenë çfarë ishte zborri.

Nuk kishe asnjë arësye të kishe frikë nga ndonjë sulm i befasishëm i NATO-s që mund të rrezikonte tejkalimin e planit, fitoret, mësimet e partisë. Falë syçelësisë së popullit, fitoret i ruante Sigurimi.

Ishte e kotë të kishe frikë se mund të internonin. Ta sillnin Skodën në çdo çast që tu tekej, pa të pyetur në kishe a s’kishe frikë.

Kishte gjithandej tabela “Ruhu nga qeni”, “Ruhu nga treni” “Ruhu nga vinçi”. Pra partia i kishte marrë masat të mos kishe frikë nga kafshimi i qenit të kufirit, dalja nga shinat e trenit që ecte me 20 kilometra në orë, rrëzimi i vinçave që ndërtonin veprat e pesëvjeçarëve. Por gjithsesi, sa kohë gjarpër ose spiun ishin të gjithë, nuk kishe frikë as nga spiuni as nga gjarpëri. Për rrjedhim, tabelat “Ruhu nga spiuni” dhe “Ruhu nga gjarpëri” konsideroheshin të tepërta.

Sekretari e kishte surratin si të skuthit, komisari si të çakallit, komandanti si të zhapikut, shkrimtari si të kunadhes, poeti si të nëpërkës, kompozitori si të gaforres. Megjithatë s’kishe pse të kishe frikë nga ata surretës. Nuk i kishin zgjedhur vetë. Ua kishte dënuar Zoti.

Llafet se Zërin e Amerikës mund ta dëgjoje me frikë, ishin rrena. Zërin e Amerikës e kishte zaptuar Sigurimi. Mund ta dëgjoje si të doje, haptaz, fshehtas, me frikë, pa frikë. Ata që duhej të kishte frikë nga Zëri i Amerikës ishin amerikanët të cilëve Sigurimi u ishte ulur tinëz në sofër.

Dukej sikur arratisja ishte e frikëshme. Arratisja nuk ishte e frikshme në asnjë kombinacion, sepse;

Po të arrije të hidheshe matanë, ata që do lije këtu do ti kalbnin nëpër baltra, por ty do të mbulonte gazi dhe hareja.

Po të sharronin mbi tela me kalashnikov, do vdisje në vend dhe nuk do kishe mundësi për të pasur frike.

Po të kapte ushtari ose qeni, do të fusnin në burg derisa të vdisje, ku mes gjithatyre vuajtjeve për frikë dhe trimëri as mendja nuk do të shkonte.

Po ta kishe frikë partinë, marksizëm leninizmin, diktaturën e proletariatit, çka edhe mund të ndodhte, ishte shenjë e sigurtë se burgun e kisha hak.

Prandaj, e mira ishte të mos i kishe frikë ata, por të kishe frikë frikën se mos i adhuroje.

Meqënse qorrimin prej parakalimeve, shurdhimin prej duartrokitjeve, torollepsjen prej propagandës, i ndreqte mjekësia falas, prej tyre s’mund të kishe frikë.

Çmendja ishte problem, dhe mund të shkaktonte frikë. Por përderisa nuk dihej në cilin moment do ndodhte, frika nga çmendja ishte frikë e kotë.

Nuk kishe frikë nga rrufeja që dihet se nuk bie në hale.

Një rast frike disi i vështirë ishte frika nga humbja e ëndërrave, brenda të cilave frika nuk mund të depërtonte. Që të mos kishe frikë nga ëndërrat, duhej ti vrisje. Vrasja e ëndërrave bëhej në dy mënyra. Duke pushkatuar gjumin ose duke therur zgjimin. Pra të vazhdoje të gjalloje duke ndejtur zgjuar natën e duke fjetur ditën. Çka ishte e panatyrshme dhe pas pak sillte vdekjen, që ishte më e ëmbël se frika.

Derri, dosa, zhaba, qeni, bushtra, kërrmilli, keci, viçi, lopa, ishin paqësorë, bënin çdo mbrëmje xhiro në bulevardin Stalin. Prej të tilla kafshëve shtëpiake s’kishe asnjë frikë.

Ziliqarët sajonin shpifje dhe dërgonin nëpër komitete letra anonime për të të burgosur. Le të sajonin çfarë të donin. S’kishe frikë prej tyre. Në burg ishe.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top