Shkruan: Maks Rakipaj
Në vitet e para pas “ç/lirimit” diktatura e egër që u vendos në Shqipëri filloi menjëherë luftën e klasave duke çfarosur familje të tëra. Atëhere vendi numëronte më pak se 1 milion banorë. Sipas mësimeve nga jugosllavët dhe më pas sipas direktivave të Stalinit, në vitet e para u bë asgjësimi i atyre që quheshin “klasa të përmbysura”. Një pjesë e tyre arritën të arratisen. Ata që nuk mundën, provuan pushkatimet me dhe pa gjyq, burgosjet, dëbimet dhe internimet, apo u detyruan në mënyrë poshtëruese të bashkëpunojnë me sigurimin e shtetit për të mbijetuar. Nuk lanë pas dore as luftën brënda llojit, të cilën e kishin filluar që gjatë luftës. Enveri qe deri në vitin ’48 një vegël qorre e jugosllavëve. Në ministrinë e brendëshme deri vonë ka punuar si këshilltar specialist një ish SS gjerman që kërkohej nga çekët per krime lufte. U ngritën kampe të lemerishme, si ai i kënetës së Maliqit dhe plot të tjerë. Kam njohur njerëz që e kanë provuar Maliqin. Kam dëgjuar tregimet e tyre duke u rrënqethur. Kam parë deri sot kush e di se sa filma ku tregohen mizoritë në kampet nazistë të përqëndrimit. Nuk kanë të krahasuar me krimet e kryera nga komunistët shqiptarë ndaj shqiptarëve. Nuk është bërë asnjë film për Maliqin, për Palermon, për genocidin në Mirditë, në Malësinë e Madhe.
TV shtetëror jep herë pas here vetëm ndonjë filmim nga arkivat e ish sigurimit. Nuk di të jetë bërë ndonjë përçapje nga qeveritë e pas viteve ’90 për të mbledhur dëshmi, kujtime të atyre që janë ende gjallë nga ato kampe mizore. Në se ndokush prej nesh përpiqet të shkruajë ndonjë kujtim, duhet të gjejë një sponsor per t’i botuar. Duhen parà, që ish të dënuarit politikë, që janë ende gjallë, nuk i kanë. Por e kisha fjalën te lufta e dashur për e.hoxhën dhe këlyshët e tij, “luftën e kllasave”. Pasi u prish me Titon, kryetitisti E.Hoxha zhduku te gjithë ata, që sipas tij qenë projugosllavë! Filloi dashuria me Bashkimin Sovjetik. Ditë e natë radio Tirana jepte muzikë sovjetike, përkthehej vetëm letërsi sovjetike, dhe ashtu si më parë kampion i dashurisë për Jugosllavinë e Titos, tani kampion i dashurisë për B.Sovjetik, ishte përsëri e. hoxha. Kur u prishëm me B. Sovjetik, (ky është një mister që nuk mund ta zgjidhin historianë si Kristo Frashëri) hynë në burg pro-sovjetikët, që gjetën aty anti-sovjetikët e burgosur para vitit ’61. Filloi dashuria e zjarrtë me Kinën e Mao Ce Dunit, në burg anti-kinezët.
Në ’73 u prishëm edhe me Kinën. E kishin radhën pro-kinezët, që edhe pse nuk kishte, u sajuan dhe u pushkatuan ose u burgosën. Mendja dhe shpirti i sëmurë i diktatorit mendonte vetëm për të gjetur armiq. Kur mbaroi punë me “kllasat e përmbisura” ja filloi mbarë luftës kundër popullit të tij. Si në luftë dikur: “pa dallim feje, krahine, ideje”. Varfëria shtohej dita ditës. Por tensioni i krijuar nga tirani në popull nuk i linte njerëzit të mendonin për mirëqenien, që në ato kushte ishte e pamundur të arrihej. Parulla e ditës pas viteve ’70 ishte “TË LUFTOJMË PA MËSHIRË ATA QË VEPROJNË KEQ, QË SILLEN KEQ, QË MENDOJNË KEQ”. U ndalua edhe të mendoje pa le të thoshe atë që mendoje. Ish studentët shqiptarë, (kuptohet, ata me biografi të mirë) që kishin qenë në universitetet e ish kampit socialist, kujtonin me mall vitet e kaluara atje. Kaq mjaftonte që të cilësoheshin “armiq” dhe të hetoheshin për spiunazh. Nëse nuk arrinin ta vërtetonin akuzën, punë e madhe! Dënoheshin njësoj! E pakta 10 vjet për “agjitacion e propagandë, për minimin, rrëzimin e pushtetit popullor”. Tani dënohej kushdo. Sa më e lartë pozita, aq më i rëndë ishte dënimi. Për anëtarët e Byrosë politike: vetëm pushkatim, apo “vetëvrasje” ose “sëmundje e papritur”. Populli kënaqej. Makina e madhe propagandistike e PPSH e drejtuar prej Goebelsit tonë – Ramis Alia vazhdonte të rrëfente mençurinë e të “lavdishmit” e. hoxha. Kuçkat plaka komuniste binin në dalldi, si të kalonin në orgazëm: “Pupupu, o Enver djali, shyqyr që shpëtove! Deri ku na qenka futur armiku!” Kur kujton sot këto gjëra, duken të pabesueshme për fëmijët tanë, për ata që nuk i kanë jetuar ato tmerre.