Fragment nga libri – Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën

SHKRUAR NGA REXHEP SHAHU

… po mendoja gjithë kohës se të përndjekurit politikë që dolën nga burgjet e diktaturës, besoj e lanë lirinë dhe administrimin e saj në duar të pista, në duar biznesmenësh dhe njerzish të pa realizuar në asgjë në jetën e tyre që për pasuri e pak emër, për pak dukje, për një copë zyrë, e shesin a e falin lirinë…

Ende sot e gjithë ditën ka më shumë liri e mundësi me fole në shtyp e media për diktatorin Hoxha, se sa për ty Havzi. Kanë filluar të mos e quajnë diktator. Kanë filluar të artikulojnë “arritjet e tij të jashtëzakonshme” dhe të mos guxojnë të përmendin krimet e tij, mungesën e lirisë, dhunën, vrasjet, burgjet, tmerret, frikën, urinë, mungesën e ushqimit.

Rilindja ktheu Enverin, ku është ai s’mund të jesh ti Havzi.

Të shpallurit si disidentët më të mëdhej, apo pronarët e disidencës shqiptare, të antikomunizmës, të “luftës” kundër diktaturës e trashëgimisë së saj, janë nga Blloku komunist, bij të Bllokut, nipa, mbesa të Bllokut, viktima të Sulltanit të kuq që ai i ndëshkonte sa herë i kërcënohej pushteti, i ndëshkonte për hakmarrje primitive, për konjuktura, për t’u dhënë mësim të tjerëve, për të trembur të tjerët e jo se ishin kundër tij. Shumë nga këta janë kundër Enverit por kanë mbetur enverë… dhe përdoren sa herë duhen…

Edhe Enverë të vegjël dolën nga burgjet kur u shemb diktatura. Provuan t’i ngjanin Enverit. Disa sikur ishin urdhëruar t’i ngjanin ose ndryshe nuk do të jetonin…
Provuan t’i ngjanin në çdo gjë dhe u shndërruan në karikatura të shëmtuara e qesharake.

Viktimat ndonjëherë dashurojnë marrëzisht xhelatin.
Antikomunistët e vërtetë janë zbuar e mënjanuar nga jeta publike.
Antikomunistët realë, shtyllat e moralit tonë, heshtin se nuk dinë të lehin, as mundin të lehin. Në emër të tyre shpesh leh ndonjë zagar që i duket vetja herë ujk e herë tigër.

Për pasojë sot 28 vite pas shembjes apo rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha, në vend ka frikë.
Disa Enverë të vegjël, me krenari e shpallin përkrahjen për Enverin.
Ka një synim të qartë dhe që fatkeqësisht e lexoj, duan ta bëjnë më të mirë diktaturën se sa kohën pas saj.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top