Benito Mussolini

FLET MUSSOLINI – ASPIRATAT E DREJTA PËR SHQYPNI ETNIKE

PJESË NGA FJALA E BENITO MUSSOLINIT NË TAKIM ME MINISTRAT SHQIPTARË

Jam thellësisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemër t’hapun ministri Mirakaj. Më kanë folë burrnisht edhe përgjegjësa e patriotët tjerë Shqyptarë, shkëlqesë!

I çmoj burrat e sinqertë që kanë guximin ta thonë të vërtetën edhe kur të jetë e hidhun. Në nji eksperiment, n’fillim, të cilit i janë shtue edhe vështirësitë që shkakton nji përpjekje gjigante siç asht kjo luftë, asht e natyrshme dhe njerëzore që të ngjasin edhe gabime, sado që, gjithmonë synohet me arrijtë në atë komunitet shpirtnorë t’interesit t’përbashkët, e jo kurrsesi me nënshtrue ose shfrytëzue popullin shqyptar. Nji komunitet i tillë asht i dobishëm jo vetëm për dy popujt tanë që e këshillojnë interesa të posaçme reciproke, po duhet t’arrihet nga të gjithë popujt e Europës, përndryshe, jo vetëm që kanë me humbë timonin e udhëheqjes së shumicës së njerëzimit shpirtnisht, por edhe kanë me u rrokullisë drejt dekadencës së vrullshme me shpejtësi marramendëse.

Gabimet, kur nuk mungon vullneti i mirë i palëve t’interesueme, me kohë e me rasë ndreqen, madje, tue u ndreqë, bahen shkak të përforcojnë besimin dhe lidhjet e palëve. Ndër rrethanat që gjindemi, unë nga ana jeme jam përpjek t’ia dëshmoj Popullit Fisnik Shqyptar, mirëkuptimin tem ndaj aspiratave të drejta të Tij, për Shqypni etnike.

Përveç korrigjimeve që po bahen dhe janë vazhdimësi e dëshirave të shprehuna nga përgjegjësat Shqyptarë, provën ma të madhe të dashunisë e të ndjenjës së drejtësisë ua kam dhanë tue i kthye në gjiun e Atdheut Kosovën me vise, pa e pritë mbarimin e luftës; me këtë, kam dashtë t’u jap provën e të drejtave të njëpërnjëshme të dy popujve tanë në çashtjet që i përkasin veçmas njanit apo tjetrit.

Lufta, ashtu siç e ka barrën e randë dhe rreziqet, i ka edhe të drejtat e saj. Në parim të këtyne të drejtave, Italia, po të kishte dashtë, kishte mujtë me i konsiderue Kosovën e tjera vende shqyptare si pjesë integrale të Jugosllavisë së mundun, e si të tilla, me i administrue për llogari të vet deri në mbarim të luftës. Nuk deshta të përfitoj nga ky rast dhe nga kjo e drejtë, tue dasht me kenë konsekuent në premtimet që i kam bà unë Popullit Shqyptar.

Tash për tash, ka mbetë e varun vetëm çashtja e Çamërisë, ku ne e kemi vendosë nji administratë autonome dhe nji Komisar Shqyptar, pse ashtu e lypshin nevojat dhe rrethanat, por edhe kjo çashtje, në mos përpara, në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor t’Shqypnisë, sepse asht e drejtë e sajë.

Shkëlqesë, e njoh historinë e lavdishme e plot travajë e vuajtje të popullit tuej. I çmoj besën, trimninë dhe fisnikërinë e Popullit Shqyptar. E ndjejë edhe detyrë të posaçme ndaj besimit që më keni tregue. Janë krejt njerëzore preokupimet e dyshimet që më keni referue, kur nji popull i vogël asht n’shoqnim me një popull mà të madh.

Nji gjà asht krejt e kjartë dhe e pandryshueshme në konceptim tem europian, e në të cilin hyn në konsideratën ma të favorshme edhe Atdheu i të Madhit Gjergj Kastrioti – Skenderbé, i Atij Heroi që nuk asht vetëm i Shqypnisë, por edhe i gjithë Europës: Nji ndër shpëtimtarët e qytetnimit europian. Ky koncept imi përmblidhet në këtë formulë:

Do t’ishte utopija ma e shëmtueme e shekullit XX, me synue aneksimin dhe kolonizimin e një populli europian, cilido kjoftë. Do t’ishte mohim i misionit qytetnues e turp për historinë e Italisë, po të synonte këtë padrejtësi, e po e them: do ishte vepër barbare në dàm të Popullit Shqyptar, që asht ndër ma të vjetrit e autokton të këtij kontinenti. Interesi real dhe i përhershëm i Italisë drejt Atdheut tuej asht: ta ketë në bregun e Adriatikut nji Popull Mik, të fortë e të përparuem, popullin Fisnik Shqyptar, me të cilin bashkpunon lojalisht dhe vllaznisht në qarkun e interesave të përbashkëta.

Kjo asht aspirata jeme, e asgjà ma tepër drejt Shqypnisë!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top