FJALIMI SERVIL I ENVER HOXHËS NDAJ JUGOSLLAVISË DHE TITOS 1946

Shkruar nga Kastriot Dervishi

Më 9 korrik 1946 u nënshkrua në Tiranë, Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, nga kryeministri Enver Hoxha dhe ministri i Punëve të Jashtme Stanoje Simiç. Ky traktat me fuqi 20 vjeçare, u ratifikua nga Kuvendi Popullor në mbledhjen nr.26, datë 6.8.1946. Fjalimin kryesor në këtë seancë e mbajti E. Hoxha. Ky fjalim i gjatë paraqitet më poshtë në disa pjesë kryesore të tij. Bie në sy fakti që E.Hoxha ka bërë të paqenë armiqësinë mijëra vjeçare midis serbëve e shqiptarëve dhe as i llogarit ata te armiqtë historikë të Shqipërisë. Ai madje ka akuzuar regjimet e mëparshme dhe Ahmet Zogun se kanë punuar kundër miqësimit të shqiptarëve me popujt jugosllavë.

Pjesë nga fjala e Enver Hoxhës

Traktati i miqësisë dhe i ndihmës reciproke me Jugosllavinë e mareshalit Tito është akti më i rëndësishëm dhe i natyrshëm që Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë bën në lëmin ndërkombëtar. Ky traktat është shprehje e dëshirave të zjarrta dhe e vullnetit të pathyeshëm të të dy popujve tanë që kanë vendosur të zhvillojnë në mes tyre një nga miqësitë më të sinqerta, më besniket, më të dashurat.

Gjatë historisë së hidhur, por të lavdishme të vendeve tona, populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë, kanë luftuar pa kursyer për independencën. Për lirinë e tyre që ja kishin grabitur dhe shkelur të njëjtët okupatorë: otomanë, austro-hungarezë, italianë dhe gjermanë, të cilët kanë pas për qëllim të vetëm zhdukjen e popujve tanë, zhdukjen e gjuhës, të zakoneve dhe të traditave shekullore tona dhe që kanë vepruar sistematikisht për të na bërë skllevër të përjetshëm të tyre.

Terrori, gjakderdhjet, intrigat, ishin ligji i vetëm i okupatorëve tanë të përbashkët; ky ishte njëkohësisht dhe ligji i të shiturve dhe i tradhtarëve të popujve tanë të cilët në shërbim direkt të të huajve, aplikonin pa mëshirë të njëjtat metoda shtypëse dhe çnjerëzore për të qëndruar në fuqi, për të mbajtur në këmbë hegjemoninë e tyre dhe të padronëve të tyre. Taktika e imperialistëve shtypës të popujve të Ballkanit ishte me i përçarë me çfarëdo mënyre këta popuj dhe me i mbajt në grindje dhe në armiqësi të vazhdueshme mes tyre.

Por në mjerimet e përbashkëta, popujt e Jugosllavisë dhe populli ynë, kurrë nuk e përkulën kurrizin përpara okupatorëve dhe gjakpirësve të popullit (duartrokitje). Lufta e popujve tanë kundra okupacionit të huaj është legjendare, lufta e pandërprerë dhe shpëtimtare kundra regjimeve monarkiste feudale të vendeve tona ka qenë heroike dhe në këtë komunitet vuajtjesh dhe përpjekjesh mbinjerëzore për t’u çliruar përgjithnjë nga sundimi i huaj dhe nga shtypja e brendshme dhe për të ndërtuar një të ardhme të lumtur, të lirë, sovrane, populli shqiptar dhe popujt e Jugosllavisë dita ditës po afroheshin te njëri-tjetri me një besim të madh te shoqi-shoqi (duartrokitje).

Ne na afronin dhe na vëllazëronin vuajtjet, përpjekjet, mundimet, na afronin ndjenjat e përbashkëta dhe qëllimet e larta të lirisë, të independencës, të vëllazërimit, na afronte gjaku që ishte derdhur shekuj me radhë për një qëllim, për një ideal, na afronin traditat dhe zakonet e njëjta të burrërisë, të ndershmërisë, të drejtësisë, të besës që janë gjaku dhe kocka e popullit shqiptar dhe e popujve të Jugosllavisë (duartrokitje).

Ata që e kuptojnë këtë proces të madh të historisë së popujve tanë, shqiptar dhe jugosllav, kuptojnë gjithashtu më së miri se miqësia e ngushtë dhe vëllazërimi i madh që arriti në kulm dhe u çimentua në mënyrë të pashlyeshme gjatë luftës së madhe antifashiste të përbashkët, nuk i ka rrënjët mbi ujë, por i ka të thella, të shëndosha dhe të çelikta, i ka në zemrën e popullit tonë dhe atij jugosllav, dy nga popujt nga më përparimtarët dhe liridashës të botës (duartrokitje).

A vallë ishte e rastit kur që në ditët e para të kryengritjes sonë kundër fashistëve okupatorë dhe kuislingë të vendit tonë, populli shqiptar hodhi sytë dhe bashkoi zemrën dhe gjakun e tij me popujt e Jugosllavisë kundra të cilëve dhe për ta armiqësuar sa më shumë me të, kishin punuar shekuj me radhë okupatorët e ndryshëm të vendit tonë, regjimi antipopullor i Zogut, pseudonacionalistët dhe pseudointelektualët. A vallë ajo dashuri e sinqertë dhe ai vëllazërim që u tregua nga ana e popujve të Jugosllavisë që në ditët e para të okupacionit tonë që arriti kulmin gjatë luftës antifashiste, ishin një fenomen sponatan? Jo, vetëm të lehtët nga mendja dhe ata që në kokë dhe në shpirtin e tyre s’kanë gjë tjetër përveçse ndjenja antipopullore dhe reaksionare mund të thonë se kjo ishte një gjë e rastit dhe e komanduar. Njerëzit me tru dhe me zemër i shikojnë punët qartë, e studiojnë më mirë rrjedhimin e historisë, prirjen e ndjenjave të popujve dhe ata njerëz rrojnë këtë ndjenja, rriten me to, luftojnë për to, për t’i kristalizuar dhe çimentuar pse vetëm ashtu ata janë të sigurt se kanë punuar për lumturinë dhe begatinë e popullit të tyre(duartrokitje).

Pritja që ju rezervua nga udhëheqësit e mëdhenj të Jugosllavisë me në krye mareshalin Tito, delegacionit të qeverisë shqiptare të kryesuar prej meje, me rastin e vizitës miqësore në Beograd, ishte aq e përzemërt, aq shoqërore a që rrallë mund të ngjasë në analet e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, ajo dashuri dhe mirëkuptim në të gjitha çështjet, ajo gatishmëri për të ndihmuar me gjithë zemër popullin shqiptar në ndërtimin e jetës së tij të lumtur, që na u tregua nga ana e mareshalit Tito, ajo pasqyrohej në të gjithë njerëzit jugosllavë. Kudo ku ne kaluam, në Serbi, Kroaci, Slloveni, ne e ndjenim veten si në shtëpinë tonë, njerëzit më të thjeshtë na përqafonin duke qarë, na flisnin me dashuri për popullit tonë, na flisnin me admirim dhe me dijeni të plotë për përpjekjet dhe për luftën tonë musikur ata të kishin qenë këtu në malet tona (duartrokitje).

Sesa dashuri ndjen populli shqiptar për popujt e Jugosllavisë dhe për udhëheqësin dhe ndërtuesin e Jugosllavisë së re, mareshalin Tito, këtë e tregon çdo ditë me forcimin e marrëdhënieve miqësore me Jugosllavinë Federative Popullore, ai e tregoi me rastin e ardhjes në Tiranë të delegacionit të qeverisë jugosllave me në krye ministrin e Punëve të Jashtme Simiç, ai tregon në çdo fushë aktiviteti që synon forcimin e marrëdhënieve tona ekonomike dhe kulturale, ai tregoi me entuziazmin e pafrenueshme me rastin e nënshkrimit të traktatit të miqësisë dhe ndihmës reciproke që unë kam nderin që paraqis sot për ratifikim përpara Kuvendit.

Prandaj shokë deputetë, në emër të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë kërkoj të aprovoni këtë traktat të miqësisë dhe të ndihmës reciproke, ashtu sikundër e kanë aprovuar me gëzim dhe entuziazëm më të madh populli i Shqipërisë dhe i Jugosllavisë dhe votimi i sotëm i Kuvendit Popullor le të bëhet kushtrimi i përsëritur për forcimin e miqësisë dhe e vëllazërimit të pashoq që ekziston në mes të popullit shqiptar dhe popujve vëllezër të Jugosllavisë (duartrokitje).

Rroftë vëllazërimi dhe miqësia e ngushtë në mes popujve të Jugosllavisë dhe popullit shqiptar (duartrokitje).
Rroftë aleatja jonë e dashur, Jugosllavia e mareshalit Tito (duartrokitje).

https://youtu.be/Co1KZJXYOiw

1 thought on “FJALIMI SERVIL I ENVER HOXHËS NDAJ JUGOSLLAVISË DHE TITOS 1946”

  1. O fare e ndyre,o kanibal,oooooooooooooo……Vampire I popullit shqiptar dhe I lirise se tij…te humbte fara,nami e nishani…..!!!!!!!!!!-O Enver Hoxha,o despot I despoteve,o Tiran gjakatar,o mashtrues ordiner qe more ne qafe nje popull per 45 vite me radhe….kendofshin qyqet mbi kujtimin tend dhe te gjithe atyre qe te mbrojten e te perkrahin edhe sot…..!!!!!!!!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top