FISHTËN BOTOJENI – MOS E PËRDHOSNI

SHKRUAN: SKENDER BUÇPAPAJ

Zëra nga Tirana këto ditë sikur kërkojnë që Fishta ‘të përshtatet në shqipen e sotme’. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë deri sot një propozim kësisoj për Naim Frashërin, pararendësin e tij, as për Andon Zako Çajupin, bashkëkohësin e tij. Po bëhen 25 vjet nga vendosja e pluralizmit dhe ende Fishta realisht nuk është rehabilituar. Me kërkesën për ta përshtatur në gjuhën e sotme, sikur po ia lënë fajin gjuhës së Fishtës pse ata nuk e kanë rehabilituar dhe pse nuk e kanë ndërmend këtë as në të ardhmen.

Nga padija ose edhe nga keqdashja e tyre, zërat për një nevojë të përshtatjes së poetit kombëtar ‘në shqipen e sotme’ i kam dëgjuar qysh në vitin 1990. Kjo mua më shtrohej në formën e pyetjes: A nuk do të ishte mirë që krijimtaria e Gjergj Fishtës të përshtatej si krijimtaria e Jeronim De Radës?

I kam hedhur kategorikisht poshtë këto mundësi. Kam kërkuar, që, për t’i shmangur dhe për t’i tejkaluar këto paragjykime të dëmshme, vepra e Fishtës të botohej sa më shpejt, pa humbur kohë. Lexuesit, duke e pasur në duar këtë vepër, pas rreth një gjysmë shekulli, do të kenë mundësinë disa të rifillojnë, disa të tjerë të fillojnë komunikimin e ndërprerë apo komunikimin e munguar me një kolos të madh të fjalës shqipe, i cili bëri revolucionin më të madh në lëvrimin e saj, duke sjellë me këtë gjuhë një kryevepër të epikës si “Lahuta e Malcis“, të cilën shumëkush e ka krahasuar me “Iliadën”, ndërsa unë e kam krahasuar në atë kohë me romanin “Lufta dhe Paqja”; duke sjellë me këtë gjuhë satira të paarritshme nga poezia jonë; duke sjellë me këtë gjuhë lirika të mrekullueshme; duke filluar me këtë gjuhë traditën e përkthimeve të letërsisë antike, nëpërmjet sjelljes në shqip të këngës V të Iliadës; duke sjellë me këtë gjuhë një publicistikë brilante, oratori, polemika dhe eseistikë të pashoqe.

Duke e konsideruar domosdoshmëri urgjente të kohës sjelljen e Fishtës në duart e lexuesve, kam paraqitur, bashkë me dy kolegë në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’, projektin për botimin e veprës. Meqë unë kisha kohë që shfletoja dhe studioja në Arkivin e Shtetit veprën e tij, u ngarkova me përgatitjen e saj, si dhe me parathënien paraprirëse të të gjithë kolanës. Ndërsa dy kolegët e mi do të ishin redaktorë të saj dhe do të përgatitnin parathëniet për vëllime të ndryshme të kolanës. Një redaktor i brendshëm u caktua, ndërkaq, për ta ndjekur nga afër procesin e botimit.

Iu vura një pune tejet të vështirë, delikate, të lodhshme dhe përgatita parathënien e kolanës, përgatita veprën e parë “Epika”, ku përfshihej vetëm “Lahuta e Malcis“. Vëllimi i parë u bë gati plotësisht për të shkuar në shtyp. Ndërkohë dërgova në shtëpinë botuese Vëllimin II, ku përfshihej lirika dhe poema epike “Moisi Golemi e Deli Cena”, dhe po përgatisja me sukses Vëllimin III, satirat. Isha vënë në komunikim me botuesin e Fishtës jashtë vendit, At Daniel Gjeçajn, i cili jetonte në Romë. Kisha filluar edhe lidhjet me At Viktor Volajn, botuesin skrupuloz të krijimtarisë së Fishtës dhe mendoja se duhej përfituar sa më shpejt ngaqë ai ishte ende në jetë.

Kjo kolanë ishte pajisur me një aparat botues tejet skrupuloz, duke përfshirë aparatin e mëparshëm të At Viktor Volajt dhe, nën shembullin e tij, duke e pasuruar atë me të dhëna të reja. Do të ishte kështu një botim që do t’iu drejtohej të gjitha shtresave e përkatësive të lexuesve në shqip, si dhe nxënësve, studentëve e dijetarëve filologë.

Fishta, në të gjallë, e kishte menduar kolanën e tij në këto vëllime: Epika, Lirika, Satirika, Dramatika dhe përkthimet, Proza. Në projektin tim parashikohej edhe një vëllim me letërkëmbimin tejet të pasur dhe intervistat e tij. Ato janë në shqip, në italisht, frëngjisht, sllavisht e tjerë. Këto të fundit do të botoheshin nga njëra faqe të përkthyera në shqip, ndërsa në faqen përballë do të ishin në gjuhën nga ishin përkthyer.

Ndërkohë, njëri koleg më vuri në dijeni se shtëpia botuese e kishte hequr nga përparësitë botimin e veprës së Fishtës. Ai më sqaroi se pengesë ishte bërë Kisha Françeskane, sipas së cilës të drejtën ekskluzive për botimin e Fishtës e kishte Vatikani.

Me këtë koleg ne shkuam në Kishën Françeskane. Unë iu tregova se e kisha shfletuar me duart e mia gjithë trashëgiminë e Fishtës dhe se nuk kishte asgjëkundi një dokument ku të thuhej apo të nënkuptohej se këtë të drejtë e kishte Kisha. Madje u përmenda se në shtratin e vdekjes ai ua kishte lënë amanet njerëzve të tij më të afërt: Jo vetëm Kisha, edhe Kombi e ka pjesën e vet në mue. Pra, me këtë amanet, me këtë testament, Fishta i kishte lënë Kombit të drejta të barabarta me Kishën ndaj veprës dhe figurës së tij.

Pashë se pretendimi i Kishës ishte vetëm një pretekst që i përshtatej Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri’.

Në një përurim të botimit të “Lahutës së Malcis” nga Salih Kabashi të organizuar së bashku në Lidhjen e Shkrimtarëve, disa të pranishëm ngritën gjoja shqetësimin e tyre pse po vonohej botimi i veprës së Fishtës. Shefi i redaksisë së poezisë pranë kësaj shtëpie botuese i kundërakuzoi ata se ishin vetë që po e pengonin duke e përdorur madje edhe Kishën për këtë qëllim.

Vite më vonë, në Prishtinë, në formë kolane iu bë një ribotim veprës së Fishtës. Ishte një botim i tipit fotografike, pra, pa prekur asgjë. Nuk pashë të protestonte dikush ndaj këtij botimi, i cili, krahasuar me tërësinë e vërtetë të veprës së Fishtës, do të ishte një botim cung. Dhe nuk pashë që ky botim të luante ndonjë rol në rivendosjen e komunikimit mes autorit dhe lexuesve.

Krahas përgatitjes së kolanës së plotë, kryesisht për nxënësit dhe studentët, unë atëbotë përgatita dhe arrita të botoj në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’ vëllimin me lirika “Mrizi i Zanave”, një ndër librat poetikë më të mirë shqip të botuar në Shekullin XX. Në këtë botim, nga satirat përfshiva kryeveprat “Metamorfoza” dhe “Dredha e Djallit”. Ia lejova vetes këtë liri botimi, duke pasur parasysh se ato kishin tematikë patriotike të afërt me “Mrizin e Zanave” dhe se vetë autori, kur kishte qenë në jetë, kishte bërë përfshirje të kësaj natyre në ribotimet e librave të tij poetikë.

Gjergj Fishta kishte një vetëdijë gjeniu ndaj gjuhës. Pasuria e fjalori të tij krahasohet me pasurinë e fjalorit të Shekspirit. Duke mos pasur formim të mirëfilltë filologjik vetë, intuitën e tij ia nënshtronte edhe këshillimeve me gjuhëtarë të mirëfilltë si Justin Rrota. Më vonë ai do të kishte botues të tijin një filolog të mrekullueshëm si At Viktor Volaj. Fishta, gjithashtu, kishte pranë vetes sekretarë të shkolluar jashtë vendit në linguistikë. Dhe versionet përfundimtare të krijimtarisë së tij janë të gjitha në bukurshkrim nga dora e këtyre sekretarëve.

Gjatë shfletimit të trashëgimisë së tij në Arkivin e Shtetit, unë kisha vënë re se ai iu bënte përmirësime të vazhdueshme gjuhësore veprave të tij, duke u nisur nga drejtshkrimi i kohës si dhe nga ecuria e lëvirimit të shqipes në çastin e dhënë. Pra, supozohej se, po të kishte pasur ribotime të tij, nisur nga e njëjta logjikë, atëherë vepra e Fishtës do të kishte pasur përmirësime të tjera gjatë atij gjysmë shekulli që iu mungonte botimeve shqipe, natyrisht në atë nivel dhe masë që iu janë bërë pararendësve apo bashkëkohësve të tij të letërsisë shqipe.

Edhe në botimin që ia bënte në Romë më 1958 “Lahutës së Malcis”, At Daniel Gjeçaj i bënte asaj përmirësime të reja gjuhësore.

Nisur nga ky parim, unë pa prekur dhe pa cënuar tekstin, i hoqa të gjitha apostrofet e panevojshme në trajtat e bashkuara të peremrave dhe apostrofet e vëna brenda fjalëve për hir të ruajtjes së numrit të rrokjeve apo vendit të theksave në vargje. Gjithashtu e lehtësova veprën nga një pjesë e shenjave të shumta diaktritike që diktoheshin nga veçoritë dialektore, sidomos të natyrës së të folmeve veriperëndimore të shqipes, posaçërisht të shkodranishtes.

Nga fundi i vitit 1992 apo nga fillimi i vitit 1993, shtëpia botues “Naim Frashëri” shpalli falimentimin. Nuk u muar vesh më fati i rreth 2 000 faqeve, të përgatitura nga unë, të veprës së Fishtës.

Gjatë këtyre 25 viteve kam dëgjuar gjithandej ankesa pse Fishta nuk zë vendin e merituar në botimet, në kulturën shqiptare, në programet shkollore e tjerë. Por nuk kam dëgjuar asnjëherë se u bë ndonjë përpjekje apo u ndërmuar ndonjë nismë për këtë, ndonëse me Fishtën e kanë gojën plot që nga politikanët e deri tek më të rëndomtit.

Tash dilet me tezën e përshtatjes apo ripërshtatjes së gjuhës në veprën e Fishtës. Kjo iu është bërë autorëve arbëreshë, për shkak se arbërishtja është një dialekt i shqipes i cili i ka shkëputur pothuajse krejtësisht prej shumë shekujsh me dialektet e tjera.

Vepra e arbëreshëve është përshtatur në një toskërishte që do të ruante gjithsesi ngjyrimet e arbërishtes. Dhe nuk mund të përfytyrohej që vepra e tyre të përshtatej në gegnishte. Ndonëse gegnishtja i ruan disa forma lakonike të shprehjes që kishte edhe toskërishtja në kohën kur arbëreshët filluan eksodin masiv për në Apenine. Nuk është e rastit që këtë e bën pjesë të stilit të vet në poezinë e tij një autor si Martin Camaj, i cili vjen nga të folmet veriperëndimore të shqipes.

Ndaj autorëve që vijnë nga kjo e folme ka pasur gjithnjë tundime për t’i përshtatur në letrarishte. Kësaj s’i ka shpëtuar as Migjeni, më i botuari dhe më i studiuari i autorëve të kësaj përkatësie. Kjo ia humbte atij pa masë koloritin gjuhësor.

Unë kam parë si veprohet në Perëndim ndaj autorëve të para disa shekujve, si Dante Aligieri, për shembull, apo Shekspiri.

Për nxënësit, studentët dhe dijetarët ata botohen në origjinal, siç janë botuar kur ishin gjallë, pa asnjë ndryshim, por të shoqëruar me aparate të gjera e të hollësishme, tejet eksperte, ku shpjegohen fjalët e panjohura, si dhe trajtat e të folurit që nuk janë më në përdorim, po ashtu figurativiteti që nuk është më aktual. Për lexuesin e gjerë botohen me përmirësime të kujdesshme, të cilat pothuaj nuk bien fare në sy. Ndërsa autorët latinë botohen me origjinalin majtas dhe me përshtatjen në italishten e sotme djathtas.

Tek ne me përmirësime të ndjeshme e kompetente mund të ribotohen Buzuku, Budi, Bogdani. Gjithnjë duke pasur përballë orijginalin. Natyrisht, duke i sjellë në gjendjen e sotme të lëvruar të të folmeve përkatëse.

Gjergj Fishta sivjet ka 75 vjetorin e vdekjes. Ndërsa vitin e ardhshëm ka 145 vjetorin e lindjes. Kjo, mendoj unë, duhet të bëhet shkak që qeveria e Shqipërisë të ndërmarrë botimin e plotë të veprës së Fishtës, duke përfshirë krijimtarinë e botuar kur ai ishte gjallë, atë të botuar pas vdekjes së tij, si dhe krijimtarinë e tij që nuk është botuar asnjëherë deri sot. Po ashtu Fishta të ndriçohet në të gjitha anët e tij, si politikan, si veprimtar kombëtar, si klerik e tjerë. Askush nuk ka pse t’iu trembet kundërthënieve që e karakterizojnë figurën e tij, sepse asnjë figurë ndonjëherë nuk iu ka shpëtuar kundërthënieve. Madje, sa më të mëdha kanë qenë ato vetë, aq më të mëdha kanë qenë kundërthëniet e tyre.

Letërsia jonë kombëtare, kultura jonë kombëtare tejet e pasur me relieve, ato janë një natyrë me plot relieve të larta apo shumë të larta. Duke e mbajtur në hije apo gjysmëhije Fishtën, ne i shërbejmë vetëm varfërimit të dhunshën të letërsisë sonë, kulturës sonë, konstitucionit tonë kombëtar.

Dhe, le ta dimë: Fishta nuk është nga ata që mund ta mësosh si të flasë,

Fishta është nga ata që na mëson ne si të flasim.

02.02.2015.

Shenim F.Radovani: Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 5.VI 2020.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top