SHKRUAR NGA BESIM KRASNIQI, JANAR 2002
Në historikun e ngjarjeve që lidhen me të kaluarën dhe të tanishmen shqiptare, vend të veçantë padyshim zë edhe periudha pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1963, periudhë kjo e njohur me subjektivitetin e zbehur të Kosovës të përcaktuar me Kushtetutë dhe aktet tjera normative për të cilat shqiptarët nuk e përceptuan dhe e injoruan skajshmërisht deri në vitin 1968 me ndryshimet kushtetuese, njohjes së simbolit kombëtar, përshtatshmëria e të drejtës zakonore me të drejtën juridike si dhe seleksionime tjera në fusha të ndryshme, por që në realitet nuk përputheshin me të drejtën aktuale juridike me njësitë tjera në ish-federatën jugosllave, gjë që shqiptarët ndiheshin jo të sigurtë në proceset zhvillimore nga më të ndryshmet e deri te realizimi i së drejtës sëpaku për vetëvendosje.
Vetë mbetja e Kosovës nën bazat e regjimit unik të Serbisë mbi tërë territorin e Kosovës dhe përdorimi i simboleve serbe në jurisprudencë dhe administratë, të parapara këto sipas nenit 300 dhe 301 të Kushtetutës serbo-jugosllave të vitit 1974, dhe se përfaqsimi i Kosovës nga pozita e statusit autonom në organet shtetërore ishin vazhdimësi e tërthortë e çkombëtarizimit dhe varësisë së plotë politike, ekonomike, juridike e sociale të shqiptarëve, ishin edhe bazat e para destruktive që i shtynë shqiptarët për të menduar ndryshe drejt realizimit dhe krijimit të subjektivitetit shtetëror, që ishte i paraparë edhe me aktin më të lartë juridik të ish-Jugosllavisë.
Kështu që detyrimisht lindi nevoja që shqiptarët të organizohen siç ishin organizuar edhe njësitë tjera përbërëse, për më tepër kjo, sepse shqiptarët ishin populli më i diskriminuar dhe më i papërfillur nga fundrrinat sllave, që kategorizoheshin në nivel të statutit politik të bashkësisë lokale. Fill pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1963, përbërja nacionaliste shqiptare, (shumica e të cilëve përvijoheshin dhe burgoseshin nga sistemi totalitar hegjemonist serb) edhe pse në kushte të vështira, vepruan qoftë edhe ilegalisht në shërbim të Kosovës, për të vazhduar kështu deri në vitin 1989, kur në krye të tyre erdhi lideri shqiptar Dr.Ibrahim Rugova.
Pra, Rugovizmi, si linjë politike e kombëtare, për më tepër si lëvizje antikomuniste u paraqit fillimisht para vitit ‘68 për të vazhduar dhe implementuar një linjë të tillë nacionaliste edhe në ditët e sotme, kur Kosova dhe shqiptarët akoma vazhdojnë të pengohen nga servilë të fabrikuar në uzinat greko-serbe. Përgjatë ndryshimeve të mëdha politike në ish-Jugosllavi, në kohën kur statusi politik i Kosovës u suprimua (1989) edhe me ato pak të drejta politike e juridike që iu patën garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, njerëz të linjës nacionaliste skajshmërisht justifikuan veprimet e tyre procesive në formimin e shtetësisë së Kosovës. Kjo, për arsye që Kosova të ketë subjektivitet ndërkombëtar, dhe njëherë e përgjithmonë të lirohet nga tutela pansllave.
Dihet mirëfilli se figurat e njëjta kombëtare që udhëhiqeshin nga e drejta historike kombëtare e shqiptarëve në Kosovë, dhe udhëheqnin popullin kah e drejta e tyre konform me të drejtat e kombeve tjera që përfaqsoheshin në ish-federatën jugosllave, bënë që ideja dhe qëllimi për realizimin e të drejtës kushtetuese që lidhet me të drejtën e vetëvendosjes dhe shkëputjes, të mos hezitojnë të vihen në shërbim të mëvetësisë dhe sovranitetit shtetëror në kuadër të integritetit territorial të Kosovës që e gëzonte edhe para luftës së dytë botërore, apo edhe para Lidhjes së Prizrenit (1879).
Nuk ishte e rastit që njerëzit e dëshmuar kombëtarisht dhe shkencërisht siq ishte akademik Fehmi Agani, akademik Gazmend Zajmi, Rrezak Shala (këta tashmë të ndjerë) dhe akademik Mark Krasniqi, të gjenden si avangardistë të udhëheqjes kombëtare për shtetësinë e Kosovës, si vazhdimësi e të cilëve organizohet edhe Dr.Ibrahim Rugova me shumë personalitete tjera të kulturës dhe shkencës, i cili dhe të cilët për emërues të përbashkët kishin dhe kanë realizimin e kërkesës më sublime dhe më madhore pavarësinë e Republikës së Kosovës me mjete politike në pamundësi tjetër, ngase Kosova nuk kishte akoma aleatë të përkrahjes ushtarake edhe pse nuk mungonte edhe zgjidhja me mjete tjera, siç u dëshmua edhe në luftën shqiptaro-serbe.
Vetë formimi i lëvizjes kombëtare shqiptare, që në fillim emërohej si Alternativa Shqiptare, e që kishte për qëllim zbrapsjen e shqiptarëve nga nomenklatura komuniste, dhe pastaj shkrirja e kësaj lëvizjeje në Lidhje Demokratike të Kosovës, ishin simptomet e para të një vdekjeje biologjike të krijesës sllave dhe prosllave në Kosovë dhe më gjerë. Përfaqsuesi i saj kryesor, siq është e njohur, Dr.Ibrahim Rugova, figurë qendrore dhe më me ndikim në proceset e demokratizimit dhe shtetëzimit të shtetit të Kosovës, internacionalizimit dhe senzibilizimit të saj në arenën ndërkombëtare, të cilat do ta shpiejnë Kosovën drejt njohjes përfundimtare të subjektivitetit të saj shtetëror si dhe me ndikim pozitiv edhe në rrjedhat politike e kulturore në Shqipëri dhe trojet tjera etnike, bëri që nyja shqiptare në Kosovë të kuptohet katërçipërisht si e drejtë e patjetërsueshme juridike konform me të drejtën ndërkombëtare publike dhe aktet tjera të nivelit ndërkombëtar.
Si kryetar i Lidhjes Demokratike dhe i shtetit të Kosovës, pastaj si lider i krijuar në momentin historik dhe kombëtar, Dr. Rugova u vu në krye të një lëvizjeje popullore dhe në shërbim të realizimit të së drejtës kombëtare, jo për t’u priviligjuar si i paprekshëm dhe për të bërë emër siç tentojnë të bëjnë të tjerët në të arriturat e tij, por të bërë zgjidhjen e çështjes nacionale, për të krijuar para faktorit ndërkombëtar imazh pozitiv dhe progresiv se shqiptarët janë popull që kanë kulturë udhëheqjeje dhe që kultivojnë me ndershmëri proceset demokratike e njerëzore, me një profilizim dhe profesionalizëm të ngjajshëm me proceset e shteteve në zhvillim të botës perëndimore dhe asaj amerikane.
Dr. Rugova përcaktoi me sukses kornizat e politikës institucionale për internacionalizimin e çështjes së Kosovës siç ishin: Referendumi, shpallja e Kushtetutës, zgjedhjet presidenciale dhe përfaqsuese, krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes, kërkesa për implementimin e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë dhe vendosshmëria e vazhdueshme dhe kontinuive para qendrave të vendosjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Çështje këto, të cilat kërkuan mund dhe sakrifica kur kihet parasysh prania e Serbisë fashizoide dhe statusi kolonizues i Kosovës, i cili de fakto dhe de jure nuk njihej si e tillë nga faktori ndërkombëtar. Madje, kërkesat e shqiptarëve nuk përfilleshin as përafërsisht sidomos nga evropianët, derisa në zgjidhjen e çështjes së Kosovës u inkorporua politika amerikane me të zgjedhurin e saj Dr.Ibrahim Rugovën, gjë që u pa me ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimet e saja mbi caqet ushtarake serbe jo vetëm në Kosovë.
Sidoqoftë, shqiptarët, përjashtuar këtu ata të linjës Kretë-Beograd-Tiranë, tashmë janë formuar politikisht dhe dijnë t’i çmojnë vlerat dhe të arriturat e mirëfillta kombëtare, veçmas filozofinë politike të Dr.Rugovës për sovranitetin shtetëror të Kosovës, shqiptarizmin e tij të pastër prijës dhe organizativ, dhe të arriturat e çdo individi veç e veç, pa e përbuzur dhe abuzuar edhe punën më të vogël në të mirë të çështjes së Kosovës.