Prokurori i Gjykatës Speciale tha në deklaratën e tij hyrëse e të përgjithshme se katër të akuzuarit kishin bashkëpunuar në grup të përbashkët kriminal.
Ai, ndër të tjera tha se pjesëtarët e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” kishin dijeni për vrasjet dhe burgosjen e personave të ndryshëm që konsideroheshin si tradhëtarë e bashkëpunëtorë të regjimit të Serbisë.
Prokurori u shpreh se mes tyre kishte edhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se vrasjet e tyre nuk u ndaluan as pas përfundimit të luftës.
Prokurori tha sa provat do të tregojnë se arsyet e kryerjes së këtyre krimeve janë bërë për pushtet, si në luftë ashtu edhe pas luftës.
“Por mund të jenë kryer këto krime edhe nga urrejtja e hakmarrja”, tha prokurori, duke thënë se do të shihen provat për këto raste.
Prokurori u shpreh në fjalën e tij se motivi i të akuzuarve, nuk përbën elemente të veprës penale të aktakuzës.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me sundimin e ligjit në kohë lufte”, tha ai.
“Për sundimin e ligjit. Për këtë jemi këtu sot”.
Ai deklaroi se në luftë, përdorimi i mjeteve të paligjshme mund të ngjajë në justifikim.
“Për këtë arsye kemi ligjet e luftës”,tha ai, duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për ndalim, torturim e vrasje të personave të paangazhuar në luftë.
Prokurori tha se viktimat e krimeve presin për më shumë se 20 vjet të shohin drejtësi. “U është thënë se drejtësia është shumë e vështirë e shumë e kushtueshme. Është elehtë të thuhen këto kur s’je viktimë”, tha prokurori, duke folur në emër të viktimave të pretenduara në këtë proces.
Ai paraqiti pjesët se si do të paraqitet aktakuza.
Prokurori tha se ky proces gjyqësor nuk kërkon të procedorë UÇK-n. “Nëse këtë e thotë dikush, thjeshtë nuk është e vërtetë”, tha ai, duke thënë se aktakuza është vetëm ndaj këtyre katër personave.
“Shumica e pjesëtarëve të UÇK-së nuk kanë të bëjnë fare me këto në aktakuzë”, tha ai.
Ai tha se atmosfera e frikësimit të ndaj dëshmitarëve në Kosovë është e vështirë.
“Dëshmitarëve do t’u duhet guxim”.
Prokurori e konfirmoi se Hashim Thaçi disa herë ka qenë fshehurazi në Hagë për të dhënë deklarata para prokurorisë.
“Thaçi pretendon se deri në nëntor të ’98-t¨s nuk kishte asnjë funksion dhe pas kësaj ekzistonte vetëm në letër”, tha prokurori.
“Këto deklarata bien ndesh edhe me deklarata e tjera të thëna nga vetë Thaçi, por edhe dhe me shumë prova të tjera”.
Prokurori shtroi pyetjen se përse Thaçi ishte fshehurazi në Hagë dhe nga çfarë përpiqej të largohej?
Më pas, prokurori tjetër prezantoi prova të cilat do të shqyrtohen në këtë proces.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, vetëdeklarohen të pafajshëm.
Palët u pajtuan që të mos lexohen aktakuzat në tërësi, pasi ato tashmë janë të njohura meqë janë publikuar kohë më parë.
Për këtë arsye, prokurorja vetëm lexoi pikat e aktakuzës dhe disa ndryshime të tjera që janë bërë në të.
Edhe një herë kryetari i trupit gjykues pyeti një nga një të akuzuarit nëse i kuptojnë pikat e aktakuzës dhe kërkoi që të vetëdeklarohen ënse ndjehën të fajshëm ose të pafajshëm.
“E kuptoj aktakzën dhe jam plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Hashim Thaçi.
Me pyetjen e njëjtë u pyet edhe Kadri Veseli. “Shpreh paknaqësinë time për fillimin e këtij procesi gjyqësor me vonesë prej dy vjet e gjysmë”, tha fillimisht Veseli. “E konfirmoj dhe e kuptoj aktakzuën dhe jam tërësisht i pafajshëm”.
Të vetëdeklarohet iu kërkua edhe Rexhep Selimit. ”E them edhe një herë se jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.
Për vetëdeklarim u pyet edhe Jakup Krasniqi. “E kam të vështirë të kuptoj këtë aktakuzë sepse nuk kam asnjë lidhje me këtë aktakuzë”, tha fillimisht Krasniqi.
“E kuptoj aktakzuën kështu siç është, por nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, u shpreh Krasniqi. “Jam plotësisht i pafajshëm”.
Më pas, të akuzuarit u njoftuan për të drejtat dhe detyrimet e tyre.