Fatime Hysen Nurçe, ishte 13 vjeç kur nisi kalvarin e internimeve gjatë diktaturës komuniste. Ishte fëmija i tretë i Hysenit dhe Feties, në fshatin Arrëz të rrethit të Devollit. Nuredini, Ziniu, Refiku, Nefareti dhe Mesareti ishin motrat dhe vëllezrit e Fatimes. Njëri prej vëllezërve të Fatimes, Nuredini, vendosi të arratiset vjeshtën e viti 1948. Pas arratisjes së tij familja Nurçe u persekutua nga sistemi komunist. Udhëtimi i gjatë në vuajtje do të përshkonte kampet më famëkeqe të diktaturës, duke nisur nga Valiasi më pas në Kodër Kamëz, pastaj në Tepelenë dhe më pas në Lushnje. Në kujtesën e Fatimes kanë mbetur shumë gjurmë dhimbje të asaj kohe. Ndarja me prindërit është një ndër dramat që e ka shënjuar jetën e Fatimes. Kthimi në fshat si fëmijë i “armiqve të popullit” do të ishte një betejë e vështirë për Fatimen dhe vëllezërit e motrat. Pak kohë pasi gjysma e familjes Nurçe u kthye në fshatin Arrëz të Devollit, Nuredini mundi të hynte në territorin shqiptar përmes kufirit grek. Tashmë, jo vetem për misionin e paracaktuar, por edhe për të takuar familjen e kthyer. Në një natë vere 4 persona i afrohen godinës, ku ndodhej dhoma që jetonte Fatimja me të tjerët, dikush troket në xham.
Pas disa kohësh familja Nurçe do të bashkohej sërish, tashmë në kampin e punës në fshatin Gjazë të Lushnjes deri në vitin 1986. Në vitin 1959, Fatimja do të gjente shokun e jetës atje në internim në Plug të Lushnjes. Ishte Syrja Sabri Haxhillari, inxhinier i aviacionit shqiptar, i interrnuar pas arratisjes së vëllait të vogël të tij. Elsa dhe Natasha, bijat e Fatimes dhe Syrjasë, lindën në internim, atje u rritën dhe u bënë 20 vjeç. Fatimja dhe familja e saj u liruan nga internimi pranverën e vitit 1991, pak muaj pas rrëzimit të diktaturës. Fatime Hysen Nurçe është sot 86 vjeç. Ajo e rrëfen mes dhimbjes historinë e vuajtjeve nën diktaturën komuniste, nëpër kampet ku u rrit e kaloi rininë, atje ndërtoi familjen e saj dhe atje i rriti edhe fëmijët.
Cila është origjina e persekutimit tuaj?
Kam qenë 13 vjeçe, kur familja ime u përball me persekucionin komunist. Sot jam 86 vjeç dhe kujtoj me dhimbje fatkeqësinë që na solli jeta. Na iku një pjestar i familjes tonë, vëllai im më i madhi Nuredini. Ngrihen një ditë prej ditësh, ku në shtëpinë tonë kishte erdhur njëri nga kushërinjtë i cili ishte oficer dhe kishte marrë disa ditë lejë pushimi. Ashtu siç ishin u mblodhën të gjithë djemtë e fisit, edhe Nuredini që ishte më i vogël se ata, biseduan gjërat e tyre dhe shkuan për piknik, për të parë vendin i cili është turistik dhe ka bukuri të veçantë. Dolën, dhe ne si familje po përgatisnim drekën për ta, duke pritur të ktheshin. Por ata shkuan në mëngjes, erdhi dreka që ne po e prisnim, nisi të binte nata, por djemtë nuk po vinin. Filluam të shqetësoheshim të gjithë, më shumë të vjetrit, prindërit e tyre. Zunë t’i kërkonin të treja familjet e djemve, të merakosur, me zemër të ngrirë se nuk dinin ku i kishin djemtë e tyre. Nuk dinin ku t’i kërkonin më parë, kë të pyesnin më shumë. Këdo që pyetën, nuk dinin asgjë. Asnjeri nuk kishte dëgjuar dhe nuk kish parë gjë. Kthehen në shtëpi dhe ashtu të dëshpëruar lajmërojnë dhe këshillin që ne na shkuan djemtë dhe s’na janë kthyer akoma. Po bëheshin 24 orë nga largimi i tyre. Të gjithë organet e Sigurimit u futën në lëvizje dhe dyshime. Nuk po gjenin asgjë. Kaluan dy-tre ditë ashtu pa asnjë dijeni. Filluan të kontrollonin edhe rrugët ku ata kishin shkuar se mos kishin lënë ndonjë shenjë. Në fund, afër kufirit me grekun, ku ne kishim disa arra tona, ata ishin ulur, ishin çlodhur, kishin ngrënë disa gjëra të vogla, kishin pirë cigare, dhe kishin varur paqetën duke lënë edhe një shënim: “Ju falenderojmë prindër dhe mirupafshim”. Kështu që ne familjet e tyre që po i kërkonim tanimë do futeshim nëpër rrugë të gjata vuajtjesh.
Si ishte jeta aty në internim?
Menjëherë pas zbulimit të arratisjes së tyre, na marrin të gjithve dhe na futin në dy kamiona ku morën rrugën e na zbritën afër Krujës, në Valias i cili ishte nje sektor ferme. Atje kishte dhe punëtorë që punonin, kishte dhe disa të internuar të tjerë që ishin vendosur që në 1945, në një vend të posaçëm për ta. Edhe ne na i kishin përgatitur vendin ku do qëndronim, pasi kishin hequr të burgosurit e tjerë që ishin grekë dhe i kishin çuar në Lezhë. Vendi ishte tamam një burg për ne të internuarit, i rrethuar anembanë me hekura dhe kangjëlla, ku prezenca e truprojave dhe policëve të tmerronte. Tamam një burg i regjimit. Madje polici të shoqëronte edhe për nevojat personale. Ndërsa për të ngrënë atje vinin një kazan të madh të cilin e kishin nga të burgosurit dhe e lanë për ne të internuarit. Çfarë të të them ishte një gjë shumë e keqe por uria të bën të hash çfarëdo. Ishte dhe koha e tillë. Brenda kazanit ziheshin makarona, bizele, ushqime që mund të mbushje barkun. Po të them me “Zotin që është një”, mizat dilnin mbi kazan. Plakat, mamatë tona i pastronin një për një që na i jepnin ne. Duke qarë dhe ulërirë me zë, se me çfarë do na ushqenin ne, fëmijëve të tyre. Pasi nuk kishim asgjë. Edhe për të fjetur ishte shumë keq sepse nuk kishim as rroba për t’u shtrirë dhe për t’u veshur, se kur na internuan ishte tetor dhe nuk morëm shumë gjëra me vete. Shtretërit ishin nga 40 pont dhe shumë afër me njëri-tjetrin ku i ndanim me jastëkët. Kaloi koha dhe këtu po bëheshe akoma edhe më keq. Erdhi një moment ku në këtë kamp përnjëherë mbërrijnë me shumicë njerëz që do vuanin internimin këtu, dhe u shtrëngua shumë jeta. Kush kishte të vegjël e kaloi më lehtë ndërsa të mëdhenjtë e kishin më keq pasi vendi ishte shumë i ngushtë dhe nuk flinin dot, ca nga koka ca nga këmbët. Ndenjëm këtu gati 1 vit e pak.
Ju kujtohen ngjarje të rënda që mund të kenë ndodhur në këtë kamp?
Kishte plot ngjarje të tmerrshme brenda internimit. Por momentet kur njerëzit vdisnin aty ishin nga më të frikshmet. Ishin të shumta rastet që vdekja ishte më e afërt se kurrë. E gjithë ajo popullatë që ishte në këtë kamp përjetoi fatkeqësi të mëdha. Të vdekurit qëndronin me ditë bashke me ne të gjallët, derisa ata vendosnin t’i merrnin trupat dhe nuk e di se ku i çonin. Nuk i thoshin as familjeve të viktimave.
Ku iu çuan më pas?
Brenda 6-muajve na hoqën nga Valiasi, doli një urdhër i ri ku do sillnin të tjerë këtu nëpër barangat prej dërrase të këtij burgu. U përgatit vendi për të internuarit e tjerë. Ne na çuan në një vend tjetër të quajtur Kodër-Kamëz. Kur na shpunë atje në Kodër-Kamëz po afrohej dimri i 1950, në të cilën ishte një e ftohtë e hidhur. Në vendet ku na caktuan kishte vetëm një lesë prej dërrase i shtruar me dy rreshta të gjata brenda sallës së madhe dhe në mes ndisnim zjarrin me drutë për t’u ngrohur dhe për t’u ushqyer. Dhe në një moment plasi tymi, ne që ishim të vegjël na u bënë sytë të kuq nga tymi. Nga dërrasat dhe degët e druve që ishin atje na griseshin dhe rrobat. Edhe këtu ushqimi gatuheshe në kazan, nuk llogaritej sa keq ishte. Derisa vinte ushqimi te ne, tenxherja mbushej plot me miza dhe me pisllëk. Ishte e tmerrshme të haje atë ushqim. Babai jonë dilte në rrugë ku shkonin fshatarët që shisnin perime dhe i blinte për ne, ndërsa nënat i përzienin me gjellën e kampit.
U rikthyet prapë në fshat?
Më 28 nëntor në Kamëz, thanë që një pjesë e të internuarve do i zerë lirimi. Kështu na mblodhën e na nxorrën në sheshin e madh përpara barangave. Filluan të lexonin listën e emrave që do fitonin lirinë. Erdhi rradha te familja jonë, dhe thirret emri i nënës, i dy motrave binjake, emri im dhe i vëllait të vogël që ishte 9 vjeç. Lirinë e fituam si mbas tyre, por ne nuk kishim asnjë vend ku të futnim kokën, pasi shtëpinë tonë e kishin shtetëzuar dhe brenda saj ishte futur një oficer së bashku me familjen e tij. Na futën në kamion, për të na sjellë në Korçë. Por mbaj mend që gjatë rrugës duke filluar që nga Tirana dhe derisa mbërrtëm në Korçë ka nisur një shi i madh sa makina ishte mbushur rrafsh me ujë. Në Korçë na zbritën atje ku na morën. Ata që kishin të afërmit e tyre i lajmëruan dhe erdhën i morën. Ne mbetëm në rrugë. Nuk erdhi asnjëri të na marrë. Edhe xhaxhallarët tonë nuk mundën të vinin pas i kishin gratë me vëllezër komunista. Dhe na mohuan si njerëz. Ishte një mik nga Mborja i cili na priti për një natë. Natën tjetër sna mbanin. Kemi mbetur jashtë, në të ftohtë, përpara derës së policisë. Vetëm një kushëriri i babait, i cili kishte marrë një kalë me vete dhe erdhi tek ne, ku na mori dhe do na çonte te shtëpia jonë në fshat. Kur shkuam atje, pamë që shtëpia jonë nuk ishte më e jona, ishte e një familjeje tjetër. Familja u detyrua të na lëshonte një dhomë të vogël për t’u strehuar. Atje dritareve ia kishin hequr xhamat dhe kishin vetëm hekurat. U futëm, por atje nuk kishim asgjë, as rroba, as shtresa, as ushqim, asgjë. Njerëzit tanë nuk erdhën as të na shohin dhe as të na pyesnin për nevojat që mund të kishim. Vjen një plakë nga lagjja dhe nëna i hap zemrën dhe i qan hallet. Ku i thotë nëna ime: “Po më vdesin fëmijët, ia u mbyll gojën për të harruar ushqimin”. Edhe vëllai i vogël, ulëriste nga dhimbjet e barkut, ku thoshte m’u këputën zorrët nga uria. Ajo zonjë duke parë gjendjen tonë u ngrit dhe bëri një fushatë derë më derë nëpër fshat dhe mblodhi disa gjëra për të ngrënë dhe na i solli. Në tre vjet na dhanë një copë arrë, ku e punuam dhe mbodhëm qiqra për të mbajtur veten. Vuajtëm sa nuk bëhet më. Nisesha për në Korçë dhe nëna më bënte opingat prej lëkure të bagëtive.
Gjatë kohës që ishit në kamp dinit gjë çfarë bëhej me Nuredinin, vëllain tuaj?
Që nga i momenti i arratisjes dhe deri në vitet 1952 ne nuk morëm vesh asgjë për vëllain tonë Nuredini. Sidomos gjatë kohës që ne ishim nëpër kampet e regjimit. Kishte plot diversantë, të arratisur të cilët arrinin të futeshin në Shqipëri edhe pasi kalonin kufirin njëherë. Vëllai ynë Nuredini kishte tentuar shumë herë për t’u kthyer dhe për të na gjetur ne familjen e tij, por deri në atë kohë nuk kishte mundur dot. Kërkonte medoemos të na ndihmonte nëpërmjet atyre njerëzve që ai i kishte miq në kufi. Kështu që në verën e 1952 kur ne ishim në fshatin tonë të lindjes në Arzë, Nuredini u mundua dhe hyri nga mali, nga kufiri grek, brenda regjimit komunist.
Si e përjetuat momentin kur e takuat atë?
Ai më donte jashtë mase shumë. Më la të vogël dhe kur më gjeti isha bërë dy vjet më shumë. Erdhi, dhe trokiti tek dritarja ku unë po flija. Na ndante vetëm një rrjetë teli që ishte në dritare. Më kishte marrë malli shumë, meraku ishte i madh. Fatime! Më tha: “hape portën”?! Lart ishte oficeri, rreziku ishte i tepërt. Nuk dija çfarë të bëja. I thashë unë: “Çfarë kërkon këtu”? Jam Nuredini- më tha. Kush Nuredin?- i thashë. Ne nuk kemi Nuredin. Ngase kisha frikë se mos e kapnin i thashë kështu. Ai vazhdonte: Vëllai yt! Hape derën, ndryshe do e pres telin. Hape derën se kam erdhur vetëm për ty. Kam dëgjuar se po vuan shumë”. Nuk i thashë nënës. Shkova e hapa derën. U takova me të, fshehurazi. Nuk po më dukej si vëllai, kishte ndryshuar shumë. E përqafoj! Më jep disa fishekë të mëdhenj dhe rrobat e shokëve që ishin me të. Ai më tha t’i flisja dhe nënës pasi e kishte marrë malli dhe për të. Shkova dhe e çova nënën nga gjumi. Nënë! Na ka erdhur Nuredini! Nxirre jashtë më tha? Nënë i thotë ai: Më shiko, jam biri yt Nuredini. Jam ai që iu kam bërë kështu. Unë e kam fajin që po iu shoh kaq keq. Kam erdhur për ty dhe familjen. Të përmallur siç ishim ai më thotë hajde pak në bodrumi poshtë të të jap teshat. Kaq ishte takimi me të. Nuk e dinim nëse do shihnim më apo jo. Atë e dinte vetëm Zoti.
Kur ju internojnë përsëri?
Në krye të dy viteve, në kampin e Kamzës ku ishte akoma babai dhe vëllai që ishin të zotët për punë u bë zhvendosja e tyre në kampin e punës në fshatin Gjazë të Lushnjës. Këtu shkuam edhe ne, u përziemë me ta pasi atje ku ishim po vdisnim urie. Na mbanin edhe neve me 10% e rrogës që merrnin nga puna në kamp. Me kalim e kohës filluan te jepeshin në fermë shtëpi për familjarët dhe për beqarët. Babai përfitoi një hyrje nga ky rregull. Vitet po kalonin edhe ne u rritëm, filluam punë. Këtu unë do gjeja edhe shokun e jetës në Savër të Lushnjës. Ishte viti 1959 kur babai më njohu me të fejuarin tim Syrja Sabri Haxhillari inxhinier i aviacionit shqiptar. Edhe ai vinte nga e njëjta shtresë si unë. I internuar si pasojë e arratisjes së vëllait të tij të vogël. Brenda 6- muajve u martuam dhe në krye të vitit lindi fëmija i parë dhe kështu edhe fëmijët tanë u lindën dhe u rritën internimeve me plot sakrifica po me dashurinë tonë si prindër.
Çfarë ndodhi me vëllain tuaj?
Pas atij takimi, në vitin 1958 vëllai Nuredini u zhduk. Askush nuk mori vesh çfarë kishte ndodhur me të. Ne nuk dinim asgjë pasi nuk kishim korrespodenca me Nuredinin. U shkëputën lidhjet. Por pas disa kohësh na erdhi një letër nga një njeri i panjohur. Ku thuhej: “I dashur zoti Hysen Nurce, po ju dërgoj lajmin e hidhur se djali yt Nuredini ndrroi jetë! Zoti t’ju japë kurajo. Ky është një peng që as Zoti nuk na i heq dot.
Intervista është realizuar nga gazetarja Lediona Xheladinaj për kujto.al