Imer Maçasteni ka lindur më 06.07.1966 në fshatin Popovë të komunës së Podujevës. I është bashkuar radhëve të Gueriljes së Zonës Operative të Llapit në fillim të vitit 1996, ku për detyrë kishte bartjen e armatimit, kamuflimin, si dhe pjesmarrjen në akcione të Gueriljes së Zonës Operative të Llapit.
Që nga dalja publike e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, më 15 prill 1998 në fshatin Zabërgj, Imer Maçasteni ishte i ngarkuar me detyrën e rekrutimit të njerëzve të besuar në radhët e Ushtrisë, në Zonën V. Imer Maçasteni, uniformën e ushtarit besnik ndaj atdheut dhe vlerave të lirisë së fituar me gjak e vuajtje të mëdha, nuk e zhveshi më kurrë. Ashtu ndodhi edhe pas transformimit të UÇK-së në TMK, ku ai fillimisht punoi 9 vite si Oficer i Financave në Akademinë Ushtarake “Hamëz Jashari” në Prishtinë, e mëpastaj, duke vazhduar si Oficer Personeli (3 vite) dhe Ndihmës Oficer i Operativës (3 vite), deri në transformimin e TMK-së në FSK.
Pas një kursi intensiv dymujor, ku spikati me një rezultat shumë të dalluar, Imer Maçasteni pranohet edhe në FSK, duke i takuar një gjenerate të cilësuar si më e sukseshmja deri në atë kohë. Në FSK, fillimisht atij ju njohën të gjitha të arriturat ushtarake si oficer, por pas shtatë ditëve të pritjes për sistemim nëpër kazermat e FSK-së, Imerit i ulen arbitrarisht 6 grada, duke e kthyer në gradën e tetarit. Pavarësisht degradimit, ai vazhdoi punën e tij në dobi të atdheut, njëherë në kazermën për reagim të shpejtë Bush në Mitrovicë (1 vit), e mëpastaj si polic i FSK-së për katër vite.
Me insistimin e zv. Ministrit të Parë të FSK-së, Muhamet Latifi, ushtari Imer Maçasteni bëhet truprojë dhe shoferi i tij, duke i shërbyer për dy vite të plota. Për fatin e tij të keq, në muajin prill të vitit 2015 detyrohet t’i nënshtrohet një trajtimi urgjent mjekësor (dializë). Në fillim, të gjithë komandantët që e njihnin atë, i shprehën solidaritet dhe i premtuan se do të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për trajtimin mjekësor. Por, një muaj pas diagnostifikimit dhe pas pritjes pesë mujore për ndihmën e premtuar, Imer Maçastena detyrohet të marrë rrugët e botës, me shpresë se atje do të gjejë zgjidhje për shërimin e tij. Mblodhi kursimet, shiti çka pati në dispozicion dhe u largua në shtator të vitit 2015 nga vendlindja, duke u vendosur fillimisht në Dijon të Francës. Atje u detyrua të kërkoj azil politik, sepse përndryshe nuk do të kishte pasur mundësi të marrë trajtimin adekuat mjekësor. Në muajin prill të vitit 2017, Imer Maçastenit i refuzohet për herë të dytë kërkesa për azil, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetsore. Vlenë të theksohet se trajtimi mjekësor i Imer Maçastenit nga shteti francez është në nivelin e duhur, por, meqenëse atij i është ndaluar çdo lloj beneficioni material nga shkaku i refuzimit të kërkesës për azil, për të siguruar ushqimin e tij të përditshëm, Imeri është i detyruar të pranojë dhurata nga ushqimet me afate të skaduara.
Ditëve në vijim, redaksia e “Lidhja e Prizrenit” do ju sjellë intervistën ekskluzive me ushtarin që lëngon dhe pret mbështetjen e institucioneve të Kosovës.