SHKRUAR NGA NAFI ÇEGRANI
Ishte ditë vjeshte kur binin gjethet ! Viti 1981…
E kidnapuan nga shtëpia, e dëbuan lidhur në pranga! Ai shkoi e s’u kthye më, bile as kufomën nuk ia sollën në shtëpi. E maltretuan në qelia të përgjakura të burgjeve të Bosnës, e akuzuan me gënjeshtra dhe në proces të kurdisur, të montuar dhe e dënuan me vdekje-pushkatim…!
Po cili ishte faji i tij?
Përballë një opinioni ende të pakorruptuar të krerëve të emigracionit shqiptar në Amerikë, që e mbronte mësuesin dhe gazetarin e ri si eksponent i involvuar në rradhët e organizatave të mërgatës, e të cilët nuk i kishte lyer duart me gjak, komunistëve udbashian u leverdiste ta pushkatonin pa gjyq Kreshnik Kalajën, që ai i torturuar të vdiste në birucat e burgut famkeq të Zenicës.
Dramë me episode të çuditshme dhe trishtuese, dhe në baza paralele, e shkruar:
Por…! Sepse, ,,dëshmitë” e atyre dhe provat, sipas trupit gjykues, e kishin pas parasyshë rrezikshmërinë e tij të lartë ndaj sistemit komunist dhe qeverisë jugosllave, pasi duke qënë paraprakisht Kreshnik Kalaja, ishte pseodonimi i tij si operativist i UDB-së ( Shërbimit të fshehtë të Jugosllavisë titiste), kishte në dijeni shumë gjëra nga sfera sekrete e atij Shërbimi famkeq, dhe sidomos pas arratisjes së tij në SHBA, për UDB-në dhe Beogradin paraqiste një rrezik të shkallës së lartë. Andaj, ata bënë plane për arrestimin e tij dhe dënimin me pushkatim, sepse vetë kështu duke e pasur kokën e Kreshnikut në duar, do të mund të bënin gjum të rehatshëm !?!
“Ne ishim pesë vëllezër e një motër!- kishte thënë Kreshniku në deklaratën e tij para hetuesit. Nëna jonë, një grua e thjeshtë me ndjenja të mira, po bëhej çdo ditë më krenare kur ne vazhdonim mësimet, dhe unë do diplomoja për mësues në Normalen e Shkupit. Ajo sakrifikonte çdo gjë për shkollimin tonë. Vëllau i madh Syla iku në Amerikë për një jetë më të mirë. Tre të tjerët pas meje, Irfani njashtu u diplomua për mësues, por edhe ai vajti në Amerikë. Vllau Tefiku u diplomua si jurist në Prishtinë, por nuk e gjente veten dot në një shoqëri të korruptuar dhe nga KQ i Lidhjes Komuniste trajtohej si jo i ,,volitshëm,” ose më mirë të them i ,,papërshtatshëm”! Vllau më i vogël vazhdoi studimet në degën e sociologjisë, por mbeti pa perspektivë! E ëma jonë, disi dukej e shqetësuar, dhe gjatë gjithë jetës mbeti e heshtur. Ne çuditeshim tek e shihnim të rrinte e tillë dhe e mvrojtur…
Ajo e fshihte arsyen e grevës së saj, që të arrinte të mos na shihte ne të uritur. Ndërkohë vraponte me trasta në duar në rrugëtimet e gjata me tren gjer në Zenicë të Bosnës, duke pritur me ditë e netë të tëra para portës së burgut, ku i biri i saj, Kreshniku, dergjej i dënuar me vdekje. Dhe duke qarë pa zë, duke ngulshuar, e lodhur dhe e rraskapitur nga lodhja dhe maltretimet që ia bënin, gdhinte sërish net të tëra pa gjumë, pa ngrënë e pa pirë…
I biri i saj zemërartë, Kreshnik Kalaja, që në moshën 22 vjeçare kish qënë operativ i Shërbimit Inteligjent jugosllav, por me dinjitet të fortë si shqiptar. Madje kishte mbaruer edhe shkollime të larta për oficer në SHLO në Bileqe dhe me gradë ishte major. Por, komunistët, duke e njohur karakterin dhe personalitetin e tij si arsimdashës dhe patriot shqiptar, për ta poshtëruar dhe për të përligjur dënimin kapital, hodhën mbi të akuza të paqëna, në rrethana të çuditshme dhe ofenduese në baza nacionale, tepër të përbindshme. Por ujqërit e UDB-së të cilët si vegla të ndryshkura përdorën edhe disa element antishqiptarë të SJB si Haki Fejzulin e Dobërdolit, spiunët ,,Federiko Amati” nga fshati Çajlë ose njëfar Arif Zeqiri me nofkën ,,Kamen” nga Banjica e Poshtme e Gostivarit, që tani kishin nisur të flinin të qetë e të krijonin rreziqe imagjinare, një ushtri e tërë prokurorësh e gjykatësa kishin inskenuar akuzat e kurdisura me qëllim që Kreshniku të pushkatohej.
“Një ditë kur fëmijët u kthyem nga shkolla, në derë të banesës erdhi një polic i cili në dorë mbante një letër dhe një kuti prej kartoni e adresuar ne emrin tim!”- rrëfen gruaja e Kreshnikut. Polici na tha që ta nënshkruanim letrën- vërtetim se e kemi pranuar pakon.
,,Çfarë është kjo?” – e pyeta policin. Por ai nuk u përgjegj, vetëm duke murmurit, tha se do e shikoni vetë. Dhe iku kokëulur duke murmurit diçka në gjuhën e tij serbosllave ose sllavomaqedonase.
Porsa e hapëm me fëmijët kutijën prej kartoni, sytë na mbetën të ngulitura në teshat: një palë kostumi, nja dy këmisha dhe disa cikërime të tjera të bashkëshortit tim të cilat na vinin nga burgu… E hapëm edhe një cope letër e shkruar zyrtare dhe e vulosur nga Gjykata e Zenicës, dhe duke e lexuar, mbetëm të shtanguar. Në letër thuhej: ,,Këto janë të gjitha që la Kreshnik Kalaja sa ishte gjallë. Pushkatimi u krye me datë kaq e kaq në orët e hershme të mëngjesit të atij dimri!” Fëmijët nisën të qanin me zë. Dy vajzat nisën të shkulnin flokët…
,,A thua e kanë pushkatuar lidhur me pranga babain tonë?”- kishin pyetur fëmija. Por, ajo, Qama, e cila ishte një grua e vuajtur dhe me moral shumë të lartë, kishte hesht si një malësore e vërtetë e cila ishte mësuar t’u bënte ballë stuhive dhe rrebesheve të jetës !
***
Një natë të ftohtë dimri u dëgjua një breshëri e mbytur të shtënash pushke që na ngriu zemrat dhe të nesërmen mësuam se Kreshniku qe pushkatuar; qe vrarë mizorisht burri më i urtë i fisit, më i përmbajturi; më i qeti, më i dhembshuri dhe më i druajturi. Ne rriteshim duke u bindur se regjimi kominist antishqiptar kërkonte viktima dhe se ne ishim kurbanët e caktuar për të.
Goditjen kundër nesh komunistët e ngritën në sistem, e motivuan teorikisht në “luftën e klasave” me motive politike dhe nuk e ndalën asnjë çast shkallëzimin e saj në baza nacionale.
Filloi për ne jeta nëpër qilaret e shtëpive të burgjeve. Kështu ishte lufta e diferencimit të madh. Edhe sot në këtë moshë të shtyrë nuk e gjej dot se cila qe ajo forcë që na bëri të mbijetojmë: instinkti i dashurisë për jetën?… Apo tek njeriu fshihen forca të panjohura që padrejtësia i detyron të dalin në sipërfaqe?
Duke i hedhur një sy kuptimit të jetës sonë nën diktaturën e regjimit të rrept udbashian, arrijmë në përfundimin se ajo ka qënë vetëm një luftë e ashpër për të hedhur poshtë tezën ç’njerëzore të komunistëve antishqiptar se ne ishim pinjollët e një klase të degraduar, ose që ishim etnikum që kërkonim Kosovën Republikë dhe Bashkimin e trojeve etnike shqiptare si një komb në një atdhe të përbashkët gjeografik në Ballkan.
Tanimë kishte kohë që kishte filluar fushata e diferencimit politik dhe dëbimeve masive nga puna, madje edhe nga punët më të thjeshta me motivacionin “nuk i plotëson kushtet” ose është i ,,papërshtatshëm” etj. etj. Prapa këtij cilësimi, kësaj vule ogurzezë, gjithkush duhej të shihte rrezikshmërinë shoqërore të personit që i vishej dhe çdo drejtues, tek i cili ai tani do të paraqitej, e shtynte fatkeqin nëpër shkallët e punëve të rënda fizike pa mëshirë.
Vetëm në rolin e një skllavi të bindur mund t’i siguroje vetes karakteristikën e nevojshme për pranimin tënd në një shkollë tetëvjeçare ose të mesme për mësues. Ndryshe nuk bënte, kishte shumë raste që një numër i madh intelektualësh shqiptarë në Kosovë, por edhe në anët e Tetovës dhe Gostivarit të ishin larguar nga puna dhe arsimi si ,,irredentist” ose ,,separatist”! Dhe, të gjitha këto masa komunistët i quanin “pastrim”! Dhe, pas çdo dështimi në fusha të ndryshme ata shihnin vetëm dorën e armikut të popullit.
Duke qënë viktima të luftës së tyre të klasave, ne ishim për ta pa dyshim një akuzë e gjallë, prandaj degradimi ynë ishte objekt i planit të tyre taktik dhe strategjik.
Ata, analistët, ekspertët dhe bylykbasha të tjerë të KQ të LK dhe të UDB-s jugosllave u bënë mjeshtër të kësaj lufte “shkencore” antishqiptare, ndërsa ne me shumë dhimbje u mësuam të qëndronim në këmbë përballë këtij rrebeshi të verbër, ashtu siç e kemi traditën, edukatën dhe kulturën e racës që i takojmë . Ata përpiqeshin të bënin të besueshme rreziqet imagjinare që gjoja u vinin prej nesh, që të përligjnin dhunën, kurse ne me ndershmëri e korrektësi shembullore mundoheshim me tërë energjitë tona shpirtërore dhe morale të vërtetonim se ajo dhunë qe fare e padrejtë. Dhe kjo qe lufta më e tmerrshme që u zhvillua kundër nesh ( Shqiptarëve) në Jugosllavi, për gjysmë shekulli të sundimit komunist. I duhet psikanalizës dhe kriminalistikës moderne të analizojë dhe zbulojë ligësitë e pakufizuara që qëndruan të fshehura në subkoshiencën e njeriut për të shpjeguar se si pushteti i pakufizuar, i ngritur në sistemi totalitar, të një ndërgjegje kolektive kriminale nga më të shëmtuarat në meridianet e botës.
Lufta kundër nesh identifikohej me forcat lëvizëse të shoqërisë dhe amoraliteti politik justifikohej me domosdoshmërinë historike. Deviza e tyre ishte, e ngjajshme si ajo e shabloneve ruse dhe staliniste : “Revolucioni i justifikon viktimat”.
Dhe komunistët loznin me injorancën si me një bishë të uritur, të cilën meqë s’e kënaqnin me mirëqënie i hidhnin për të “ngrënë” inteligjencien si shkaktare të disfatave të tyre ekonomike dhe politike . Dhe sidomos atë inteligjencie që kish prejardhje shoqërore të tillë që i “vriste sytë drita e socializmit” dhe “ëndërronte kthimin e popullit në errësirë”. Kështu liderët komunistë do të jepnin tani vetëm orientime dhe njerëzit, duke ngrënë njeri-tjetrin, do të kryenin brenda tyre proçesin e diferencimit të shqiptarëve me shqiptarë.
Të verbuar nga zbatimi pa pengesa i çdo mase represive, ata luanin pa turp edhe të tilla komedi groteske. Ata s’mund ta mendonin që e drejta ka disa ligje të saj të pavarura dhe që ajo ngre krye. madje, edhe në vetëdijen e njerëzve të indoktrinuar, siç ndodhi me Kosovë më 1981, dhe pas një dhjetëvjeçari shembja totale e Jugosllavisë në Gadishullin e Ballkanit.
Ata, elementet udbashiane, shqetësohen edhe sot, bile, për opinionet që qarkullojnë.
Ata donin letra nga populli, por jo letërkëmbim me popullin që të qanin hallet dhe çdo ankesë të drejtë e quanin të metë, nxirje të realitetit. Dhe i dënonin. Kështu ata vranë sinqeritetin dhe burrërinë dhe kultivuan hipokrizinë e servilizmin, mjerisht edhe ndër shqiptarë.
Unë edhe sot pyes, si i dënuar i pafajshëm dhe si shqiptar, a ka vallë, në arsenalin e metodave të sundimit të një shteti një shembull ku duke shfrytëzuar pushtetin absolut, një kastë të sulet me kaq egërsi ndaj një populli siç kemi qënë ne shqiptarët, të na privojnë nga liria, nga dinjiteti, të na shpronësojnë, dhunojnë, të na burgosin, ndalojnë e vrasin, ose të na depersonalizojnë vëllezërit e vet të një gjaku dhe, pasi t’i ketë konsumuar të gjitha këto, t’u afrohet viktimave dhe me buzëqeshje t’u kërkojë shërbimin e tyre si spiunë. Kjo ishte strategji e agjenturës që quhej: UDB! Ata e peshuan qëndrimin ndaj meje dhe vendosën arrestimin pa pasur në tavolinë asnjë akuzë që të provonte fajësinë. Por, faji im i vetëm ishte vetëm ai pse isha shqiptar dhe kisha dinjitetin tim! Ç’rëndësi kishin akuzat për punonjësit e SJB dhe SDB së Bosnës ose Maqedonisë që i dirigjonte Beogradi, UDBA jugosllave dhe KQ i LKJ?
Ndërgjegja kolektive u manipulua dhe individi u gjend i pambrojtur përballë pseudoligjit, e që unë personalisht ndaj fatin tragjik të Drajfusit. Edhe sot e sot kërkoj zbardhjen e rastit të montuar në saje të çkafit më dënuan me pushkatim, dhe më pas, duke ushtruar dhunë e terror sollën dënimin më kapital dhe rigoroz në Jugosllavi, 20 vite burg të rëndë.
Pse?
Jeta dhe dinjiteti i njeriut ishin pre e dogmave komuniste, të cilat, duke dalë nga varrezat e një filozofie pa jetë, ushqeheshin vetëm me kufoma.
Mënyra e arrestimit qe kopjuar nga metodat e rrëmbimit që përdornin mafiozët, kriminelët e pa shpirt gjakatar dhe antishqiptar dhe shovinista të tërbuar.
Ishte fillimi i tetorit i vitit 1981. Ende pa u gëdhirë, herët në orët e para të mëngjesit u futën një bandë e armatosur gjer në dhëmb në banesën time dhe duke më sharë nënën shqiptare para syve të gruas dhe fëmijëve, më prangosën dhe duke më kidnapuar, nuk dija se ku më shpinin. Udhëtuam një kohë që nga tronditja nuk munda ta fiksoj. Nuk dija qëllimin e tyre. Nuk i njihja fare, pos që kuptova se flisnin gjuhën serbokroate…
Mandej udhëtimi me aeroplan të kompanisë “Adria” të Sllovenisë. Edhe stjuardesa mbeti e trishtuar kur vërejti se më çonin të prangosur. Ajo i pyeti diçka ata që më shoqëronin…
“Ovaj je jedan od onih sta su kidnapovali JAT-ov avion u Njemaçku” ( Ky është njëri nga ata të cilët kanë bërë rrëmbimin e avionit të JAT-it në Gjermani). Stjuardesa më shikoi edhe njëherë në sy, dhe ndoshta nuk i ngjajta si ndonjë kriminel, iu tha si me qortim: “Lereni rehat njeriun”, “Nemoj da zaebavate!”- dhe eci e qetë me hapat e saj të lehtë dhe shpirt jo djallzor.
Më zbritën në aeroportin e Sarajevës i cili ishte plotësisht i rethuar me polic të armatosur me automatik, sikur të kishin arrestuar ndonjë Al Kapone! Dhe duke më mbajtur për krahu si të isha i verbër, më futën me shpejtësi në një furgon të blinduar policie dhe ecnim e ecnim gjatë asaj nate, dhe nuk dija se ku do të më shpinin.
“Znaš li gdje te vodimo?” ( A di se ku po të çojmë!)- tha inspektori kryesor me nofulla të gjëra e sy të kokërlukur nga dehja, për të cilin më vonë kuptova se quhej Ante Bërnada, kurse shefi i tij Fikret Bradariq…
“Emra të çuditshëm… Gjithë do ,,bradariqa”!” -mendova me vete.
Dikur furgoni ndaloi. Mua më kapën si të ishin ujqër, duke më ngjitur me shpejtësi nëpër shkallët e një godine dykatëshe dhe, pasi mbuluan mirë me batanie nga brenda derën e dhomës ku më futën, më tërhoqën zvarrë, duke më mshuar me shkopinj gome, çufura metali dhe me grushta. Me ta ishte edhe kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme të Bugojnës Fikret Bradariq, një shovinist dhe antishqiptar i tërbuar. Nxorën të tre pistoletat nga brezi dhe, me t’i vendosur në tavolinë, m’u afruan dhe më “këshilluan” të mendohesha për veprimtarinë time armiqësore, për vajtjen time në Amerikë dhe “kontaktet” që paskam pasur atje me CIA-n amerikane.
Isha i habitur fare nga këto marrëzira që po dëgjoja.
“Ose fol, ose përndryshe do të zhdukim, duke të herdhur nga dritarja, dhe nesër do të shkruajnë gazetat e Jugosllavisë se i arrestuari bëri vetëvrasje!” u dëgjua zëri i Bradariqit.
” Po, po, kështu do ta përhapim lajmin sikur ke vrarë veten, ose të ka vrarë roja në tentative për ikje!”- tha tjetri, ai nofullgjëri.
“Ne jemi Perëndi për ty!”- dëgjohej një tjetër. Më vonë kuptova se quhej Stipe Grabovac, dhe mik i afërt me Zdravko Mustaq.
Kur mora guximin e u thashë se s’kisha ç’të mendoja, bërtitën si t’i kish pickuar gjarpëri dhe një Zot e di se ç’bënë me mua dhe sa kohë, pasi nisa të mos kuptoj se ç’bëhej, sepse nga rrahjet më ra të fikët.
Ndërsa unë dergjesha në dysheme i lidhur në duar me hekura, torturat zgjateshin me seanca 8-9 orëshe dhe me ndrrime, pa pushim e pa gjumë fare, me ditë e netë të tëra gjatë asaj jave, e bodrumet ishin të errta fare, nuk dukej as dritë dielli, as copë qielli, pos që nuhatja një erë gjaku të tharë, edhe muret ishin të përgjakura nga terrori.
Të tillë dhune trishtuese ishin mënxyrat udbashiane, e atyre të cilët më kidnapuan pa fajshëm dhe më nxorrën përpara kordonit të pushkatimit.
Por, deshi Zoti e mbeta gjallë!
vijon…