Fantazma e një ideali

SHKRUAN: MEVI RAFUNA

Unë nuk jam rritur me idenë që t’i kem sytë e fortë e të tregoj mosrespekt dhe mospërfillje ndaj tjetrit. As nuk më mësuan të jem servile sepse në familjen time ishte krenaria dhe mirësjellja ajo që na karakterizonte.

Por bota jashta pragut të shtëpisë, është e ftohtë e egër dhe shpeshherë të përbin nëse je i butë. Vlerat që i posedoja dhe me ato të cilat u rrita hasën në kundërshti me një shoqëri e cila po kalon ende një tranzicion të rëndë.

Pasi që mbarova universitetin isha e lumtur se isha femra e parë e diplomuar në rrethin tim. Por lumturia e të qenurit e arritur me një stad binte ndesh me sistemin monstër të cilin na e kishte krijuar politika e keqe me gjithë servilët e saj. I falenderoj të gjithë ata njerëz që më ndihmuan në rrugëtimin tim, siç i falenderoj edhe ata njerëz që më ngritën pengesa dhe nuk më lejuan të depërtoja atje ku kisha meritë. Këta të fundit më ndihmuan të bëhem versioni më i mirë i vetëvetes. Po sepse jam bullizuar,mohuar, paragjykuar e lloj lloj gjërash.

Të gjitha këto ndikuan dhe më ndihmuan në formësimin tim. Andaj duke dashur rrënjet e mija, njerëzit përreth padyshim që dua edhe vendin tim. Dhe ky ideal më vjen si një fantazmë prej kohësh sepse isha fëmijë kur përjetova luftën, fati ishte në anën tonë por shumë herë ishim në rrezik ekzistence.

Sot, kur e shoh shtetin tim më ngjanë me lloj laboratori, ku bëhen eksperimente më të këqija ndaj qenies njerëzore dhe në veçanti asaj shqiptare.

Dhe ky nuk është iluzion i imi por është një realitet ekzistues që dikujt mund t’i duket depresiv e dikush mund të më akuzoj se shpërndaj mllef e përçarje. Por në jetën time nuk jam person që do ta shoh tjetrin keq sepse ndryshe prej shumë të tjerëve mua nuk më kënaq e keqja e dikujt.

T’i thuash disa gjëra ashtu siç janë nuk është guxim por reflektim instikt që vjen nga brendësia e qenies. Sepse arrihet deri me një pikë ku nuk mund të përbihet më asgjë.

Njejtë si të gjithë shqiptarëve të mirë edhe mua më dhembë gjendja akutale dhe pyes me vete sa herë shoh si po shkon rrjedhshmëria e ngjarjve ku do jemi pas 3 apo 5 viteve.

Sepse duken që janë pak vite por në esencë janë shumë, ndonjëherë mjafton një ditë për ta fundosur apo ngritur një familje,një shoqëri apo një komb.

Andaj shumicës i shkuan dy dekada me fantazmën e idealit se ky vend do bëhet, por ja që vazhdojmë të jemi në një tranzicion të egër kur përveç paralizës shtetërore jemi në një krizë të thellë identiteti. Për tu ringritur nga kjo, neve na duhet një Elitë Intelektuale, por as këtë siç duket nuk e kemi apo unë nuk po e shoh.

Përderisa, nuk ka një reflektim të përgjithshëm dhe fatin tonë e lëmë në duart e individëve apo grupacioneve, qoftë politike, qoftë fetare lehtë do na përpijë koha sepse koha nuk do na falë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top