Faktori politik shqiptar në Maqedoni, larg interesave partiake!?

Shkruan: Dr. Nijazi Halili

Partitë politike shqiptare, duhet luftuar me çdo mjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, e cila kjo mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim dhe unitet të ndërsjellët duke i lënë anash interesat e tyre partiake, kjo është rruga dhe çelësi i suksesit që qon në realizimin e aspiratave të shqiptareve të Maqedonisë.

Andaj, vlen të cekët se   çdo parti shqiptare, kur ka qenë  në pushtet, pavarësisht nga kohëzgjatja e saj, është përpjekur që të bëjë sa me shumë që është e mundur për avancimin e të drejtave të shqiptarëve gjë që, ç’është e vërtet se gjatë dekadës së fundit, kemi rezultate pozitive, si në fushën e përfaqësimit në administratat shtetërore e publike, dhe në fushën tjera, si p.sh. më fushën e përdorimit të gjuhës shqipe, në  Arsimin Universitar, që është një arritje dhe një prosperitet për shqiptaret e Maqedonisë.

Me pak fjalë, vlerësoj rolin e çdo subjekti politik shqiptar në përpjekjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, por do të shpresoja që në të ardhmen, këto përpjekje të tyre, të jenë më të harmonizuara dhe më të koordinuara, pasi një gjë e tillë do të ishte në favor të përmirësimit të mëtejshëm të situatës së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Me këtë rast, vlen të cekët edhe Marrëveshjen e Ohrit që është mjaft e rëndësishme, pasi ajo jo vetëm që u dha fund armiqësive të ndërsjella në vitin 2001, por edhe përcaktoi kornizën sesi do të duhet të zhvillohen dhe të avancojnë të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni, në radhë të parë, të bashkësisë etnike shqiptare që është e dyta, për nga madhësia, në këtë vend, pas asaj maqedonase sllave.

Andaj, e konsiderojmë këtë marrëveshje si mjaft të rëndësishme, dhe realizimi i plotë i së cilës do t’i avanconte më tej të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive etnike, sidomos, të asaj shqiptare, në fusha të ndryshme, me qëllim që në Maqedoni të krijohet dhe të vendoset një shoqëri multietnike e shëndoshë, dhe një stabilitet politikë sikurse këtë e kërkojnë edhe standardet ndërkombëtare. Ju e dini mire dhe është njëri prej kritereve se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, kërkohet me ngulm edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe realizimi i plotë i saj do ta çojë më tej, Maqedoninë në rrugën e integrimit evropian!? Në fund uroj, që faktori politikë shqiptar në Maqedoni, të jetë i unifikuar si qdo here më parë duke prodhuar paqe e stabilitet politik dhe ekonomik në vend, dhe të jetë shembull për rajonin…!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top