SHKRUAN: RIDVAN PESHKOPIA
Tre vjet më parë, një burrë e madh portokalli, i cili asokohe qëlloi të ishte president i ShBA-së, hodhi idenë se, virusi Korona, që u përhap në mënyrë pandemike, mundet të kishte rrjedhur nga Instituti i Virologjisë së Wuhanit. Që virusi nuk ishte natyror, këtë e pikasën qysh në fillim specialstët përkatës. Por zërat e tyre u shtypën nga sharlatanë të llojit të Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombetar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe Francis Collins, kryetari i Institutit Kombëtar të Shëndetit. Ky i fundit shkruante se përhapja e kësaj teze do minonte harmoninë ndërkombëtare. Ky qelbësirë ishte më i shqetësuar për reputacionin ndërkombëtar të Kinës se sa jetët e miliona njerëzve. Me atë informacion shtesë, njerëzimi do kishte mundur ta përballonte më mirë pandeminë.
Lakejtë e mediave të establishmentit dhe padronët e mediave sociale shtypën pa mëshirë cilëndo përpjekje të mjekëve, qytetarëve dhe politikanëve që e gjenin teorinë e rrejdhjes së virusit nga laboratori plotësisht të mundëshme dhe të besueshme. Tek e fundit, pandemia nisi në Wuhan, bash aty ku ndodhet laboratori që merrej me eksperimente të “fitimit të funksionit” në virusin Korona, shtimi artificialisht në atë virus i aftësisë së tij për të infektuar njeriun. Ata që mbrojtën këtë tezë u quajtën racistë, fashistë, të çmendur, teoristë konspiracioni, QNon, të djathtë ekstremë dhe një varg tjetër etiketimesh absurde dhe të liga. Mediat sociale i deplatformizuan ata që postonin cilëndo insinuatë mbështetëse për teorinë e rrjedhjen nga laboratori.
Por duke filluar nga pranvera e kaluar, gradualisht kufizimet u hoqën dhe gjithmonë e më shumë individë u lanë të shpreheshin të lirë për këtë çështje. Institucionet zyrtare amerikane papritur filluan ta pranojnë se ekziston një mundësi që virusi të kishte rrjedhur nga laboratori. Sa më shumë kalonin ditët dhe muajt, aq më shumë shtoheshin zërat nga brenda establishmentit amerikan, aq më shumë rriteshin gjasat që ata raportonin se virusi kishte rrjedhur nga laboratori dhe aq më të fuqishëm bëheshin zërat që mbronin teorinë e rrjedhjes së virusit nga laboratori, duke kulminuar së fundmi me vetë FBI dhe Departamentin e Energjisë të ShBA.
Po çfarë ndodhi? Një njeri i panjohur me kalbëzimin moral institucional amerikan do shpallte naivisht se më në fund zëri i arsyes fitoi mbi dogmën mesjetare dhe se establishmentit amerikan pranoi evidencën empirike të pakundërshueshme. Por jo unë. Më falni për mungesën e modestisë por, mbasi kam studiuar dhe lektuar në universitetet e tyre prej 9 vitesh, mbasi jam diplomuar në po ato shkolla dhe programe ashtu si edhe zyrtarë, politikanë dhe ambasadorë të tyre, mbasi kam ndjekur me vëmendjen më të madhe politikën e tyre për më shumë se dy dekadat e fundit, unë ia di edhe zorrët e barkut se si i punojnë Amerikës. Nuk është arsyeja por gjeopolitika ajo që po e bën establishmentin amerikan të pranojë teorinë e rrjedhjes së virusit nga laboratori. Në luftën në Ukrainë, Kina mori anën e Rusisë, kështu që nuk ka mbetur më “harmoni ndërkombëtare” për të mbrojtur, siç pati sugjeruar sharlatani Francis Collins. Tani Kina nuk është më mike dhe Amerika nuk ka ndërmend të vazhdojë me mbrojtjen e reputacionit të saj. Këta naivë politikë mendojnë se Kina është Shqipëri e Kosovë, të cilat Amerika i josh me nga një përkëdhelje mbas qafe apo i tmerron me një të teshtirë.
Prisni tani kur Amerika të kujtohet për njëmijë e një të zeza që na paska bërë Kina, por të cilat deri dje nuk përmendeshin, të vërteta apo shpifje. Jo se kjo do ndryshojë ndonjë gjë në sjelljen e Kinës; ajo vazhdon projektin e vet politik pa u ndikuar nga askush. Këto bizantizma veçse tregojnë për kalbëzimin e sistemit politik amerikan, i cili sot udhëhiqet nga një klasë politiko-burokratike krejtësisht mediokër.
Pati thënë dikur ai Burri Portokalli që përmenda në fillim të këtij postimi:
We are led by very, very stupid people…