ËSHTË E PAFALSHME PËR RAMUSH HARADINAJN, MBASI E PASKA DITUR KËTË PLAN OGURZI, PSE KA HESHTUR DERI MË TANI!?

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Deklaratat e kryeministrit Haradinaj jo vetëm që nuk janë bindëse dhe konsistente, por nuk janë as të qëndrueshme.

“Një herë thotë nuk e di se çfarë bisedon Thaçi në Bruksel, ndërsa herën tjetër thotë se e di, për të shkuar aq larg, duke treguar se nuk bëhet fjalë për korrigjim të kufijve e as shkëmbim të territorit, por për ndarje të Kosovës dhe, sipas tij, miniera e ‘Trepçës’ i mbetet Serbisë, por pa e bërë të ditur se çfarë do të ndodhë me Ujmanin”, u shpreh ai.

Prandaj, është e pafalshme për Ramush Haradinajn mbasi e paska ditur këtë plan ogurzi, pse ka heshtur deri më tani!?

Mbasi i paska ditur të gjitha, pse zoti Haradinaj u struk i heshtur, duke zgjedhur injorancën si mbrojtje para së keqes së madhe për vendin, po citoj: “Unë nuk jam për tavolinë të bisedimeve në Bruksel”, duke ia lënë duart e lira Hashim Thaçit që të tallet me popullin dhe miqtë e Kosovës!

Vetëm tani, kur ka filluar t’i lëkundët pushteti, ka filluar të hapë gojën e të tregojë për marrëzitë e Thaçit në bisedime!

Nuk mjafton zoti kryeministër të na tregosh tani se si ka rënë Hashim Thaçi në “grepin” e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi tani kemi të drejtë të kërkojmë edhe ne nga ju llogari për heshtjen e gjatë rreth agjendës së bisedimeve të Brukselit, si dhe për të na treguar se në “grepin” e kujt keni rënë ju, që hoqët dorë aq lehtësisht nga Çakorri, Kulla e Bjelluha, duke mashtruar qytetarët kinse për korrigjimin e kufijve me Malin e Zi, i cili nuk ndodhi deri më tani dhe as që do të ndodhë ndonjëherë.

Ndoshta ngjashëm sikur ju, edhe Hashimi, në emrin e korrigjimit të kufijve do t’ia falë veriun Serbisë! Dhe ju zoti kryeministër, përsëri do të thoni; e kam parë, nuk e kam parë, e kam ditur, nuk e kam ditur e kështu më radhë, derisa t’ju durojë ky popull i mjerë!

Me këtë qeveri dhe këtë Parlament, që i kontrollon dhe dirigjon Hashim Thaçi, e të cilët vetëm heshtin, e nuk punojnë për interesat e qytetarëve dhe shtetit, Thaçi me shumë lehtësi do t`i bëjë pazar tokat dhe pasuritë e Kosovës, ndërsa Ramushi do të çirret që nuk di gjë!”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top