SHKRUAN: XHAFER SADIKU
Gjendja e Partisë në Lushnje, sipas Liri Belishovës:
“…Aty… kanë një mosbesim të tyre në Komitetin Central… Aty janë të gjithë njerëz të dorëzuar ose të shkëputur gjatë luftës. Në komitetin e Partisë ishte një shok që ishte shkëputur 8 muaj nga lëvizja, ai kishte lozur futboll edhe me skuadrën e Ballit Kombëtar dhe kishte ngrënë drekë me kriminelin Isa Manastirlinë.
Nga shokët t’onë atje ka edhe njerëz që pijnë raki. Pse vijnë tashti këto gjëra aty? Shoku Enver tha se aty është vend kulakësh, ka njerëz të dorëzuar dhe aty ka një klikë të pakënaqurish, Halit Ahmeti, p.sh pse e hoqën nga detyra si prokuror që ky kishte më parë, tentoi të vriste vehten, kanë hequr njerëz nga sigurimi dhe nga aparati i Partisë gjoja si elementë të dobët dhe kanë vënë nga këta elementët e dorëzuar ose të shkëputur të cilët tani hiqen si të persekutuar.
Në zgjedhjet që u bënë doli si Sekretar Politik Hasan Gina dhe Xhoxhi Robo si sekretar organizativ. Unë bëra gabim që nuk anullova zgjedhjet… Hasan Gina është i kunati i Selami Tepelenës i cili gjer tashti ka qenë në burg.
Ai ka kënduar letra të tij dhe nuk i ka thënë sigurimit. Ky ka biseduar shumë çeshtje me Rahman Uruçin i cili edhe aty në konferencë i cilësoi shokët si kodoshë. Rahman Uruçi u zgjodh në presidium dhe u propozua edhe në komitetin e Partisë, por kjo nuk u lejua. Ata më bënë edhe provokacione mua.
Në Lushnje ka njerëz me pozita personale, bisedimet e konferencës i merrte vesh populli… Unë i kam kritikuar ashpër me gjakftohtësi dhe pa i sharë, disa prej atyre që ishin të impolikuar në këtë çeshtje u trullosën nga kjo kritikë…”
AQSH, fondi 14/APOU, viti 1949, dosja 35, f. 10; (Procesverbal nr. 28 i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Central të PPSH, datë 21.5.1949).