Enver Hoxha: Autonomi për Kosovën, jo Republikë

SHKRUAR NGA DARINA TANUSHI

Zbulohet për herë të parë dokumenti i bisedës sekrete mes ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha dhe të ngarkuarit me punë në Jugosllavi, në shtator të vitit 1970. Në këtë bisedë, ku ka ndërhyrë edhe Ramiz Alia, kuptohet qartë diplomacia e ndjekur nga komunistët shqiptarë në marrëdhëniet me Josif Broz Titon dhe qëndrimet ndaj krijimit të një republike të Kosovës. Në këtë dokument kuptohet qartë se Enver Hoxha dhe udhëheqja komuniste e Shqipërisë në vitin ’70 ishte kundër krijimit të një republike të dytë shqiptare. Madje në këtë bisedë sekrete, ish-diktatori Hoxha kërkon të dijë shumë për qëndrimin që mbajnë komunistët kosovarë që drejtoheshin në atë kohë nga Fadil Hoxha. “Në botë ka vetëm një Republikë Popullore të Shqipërisë”, – shprehet në një përgjigje që Enver Hoxha i kthen Hoxhës. Këtij të fundit ai i sugjeron që të mbajë kontakte me Titon. “Ju mund të keni pikëpamjen tuaj, por për ne, Titua është antimarksist. Megjithëkëtë, ne ju themi që në këto konjuktura, nuk bëni keq të mbështeteni tek Titua, sepse jua lehtësoi disi vuajtjet”, – shprehet në këtë pjesë të parë të bisedës sekrete të shtatorit 1970 Enver Hoxha, në përgjigjen që i dërgon Fadil Hoxhës, përmes të ngarkuarit me punë në Jugosllavi, Lik Seiti.

Takimi i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH, shokut Enver Hoxha, me të ngarkuarin me punë të Republikës Popullore të Shqipërisë në Jugosllavi, Lik Seiti, në Tiranë, në datën 19.9.1970.

Në këtë takim merr pjesë dhe Sekretari i KQ të PPSH-së, shoku Ramiz Alia. Shoku Enver Hoxha, pasi e pret dhe njihet me shokun Lik Seiti, e pyet atë nëse e ka mësuar gjuhën serbo-kroatisht dhe kur merr përgjigje se ai nuk di dhe aq mirë, e porositi Likun ta mësojë, mbasi diplomati ynë është e domosdoshme ta mësojë mirë gjuhën e vendit ku është ngarkuar të shërbejë, aq më tepër në një shtet si Jugosllavia, ku është në fuqi një klikë tradhtare e marksizëm-leninizmit, ndryshe nuk lufton dot. “Në përgjithësi, ju diplomatë, – vazhdoi shoku Enver, – nuk bëni përpjekjet e duhura për mësimin e gjuhëve të huaja. Nuk është aspak mirë që ju të punoni kurdoherë me përkthyes. Një praktikë e tillë nuk na çon larg. Të jesh në një vend me shërbim dhe të mos dish gjuhën e tij, as shtypin nuk e shfrytëzon dot. Mund të ndodhë që tjetri të kërkojë një bisedë urgjente, por po të mos kesh përkthyesin aty, t’i thuash prit se tani nuk ka kush të na bëjë përkthimin, nuk është e hijshme. Shumë nga ju u mësuat të punoni me përkthyes, por kjo nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen.

Çfarë thotë Fadil Hoxha, ka ndonjë çik ndjenjë shqiptarizmi te ky njeri, se sa për marksist-leninist është tjetër punë, është shumë larg që ai të jetë i tillë”.

Shoku Lik Seiti: Nga takimi që pata me të, më la përshtypjen e asaj që thatë më përpara, d.m.th, tek ai ekziston ndjenja e shqiptarizmit. Të them të drejtën, mua më bëri përshtypje preokupacioni i tij i madh për rininë, lidhur me mbajtjen e fotografive. Këtu ai theksoi se për sa i përket ndjenjave të njerëzve të moshuar, këto ne jemi në gjendje t’i dominojmë. Për sa i përket rinisë që është një masë më e gjerë dhe që manifeston hapur dashurinë për Shqipërinë dhe shokun Enver, e kemi më vështirë ta frenojmë atë në këtë vrull, jo se unë jam kundër dashurisë ndaj shokut Enver dhe mbajtjes së fotografisë së tij nga ana e rinisë kosovare, përkundrazi, jam unë i pari që e dua më shumë se kushdo shokun Enver, por se kjo na prish punë. Ju e dini se unë edhe gjatë luftës, kur fotografia e shokut Enver filloi të hiqej tek ne, e vura në dijeni shokun Enver dhe ai më këshilloi me të drejtë që këtë çështje ta ngrija në komitetin krahinor të partisë së Kosovës.

Shoku Enver Hoxha: Mos do të thotë Fadili me këtë se rinia nuk duhet të ekzaltohet shumë, prandaj ngriti çështjen që fotografinë e Enverit të mos e mbajnë të rinjtë e të rejat?

Shoku Lik Seiti: Ai la të kuptohej që po të jetë puna për të mbajtur fotografinë e shokut Enver, atë do ta mbaj unë i pari, pastaj të tjerët.

Kur ra fjala lidhur me eventualitetin e një agresioni kundër Shqipërisë, Fadili theksoi se ai personalisht do të jetë ushtar besnik i shokut Enver dhe se Kosova kurrë nuk do t’i kundërvihet Republikës Popullore të Shqipërisë.

Pastaj më foli për përpjekjet që bën ai për të fituar Kosova autonominë. Këto përpjekje, siç më tha, i ka bërë që në kohën kur ish në fuqi Rankoviçi, prandaj edhe ishte vënë në shenjë prej tij. Fadili atëherë kish gjetur kundërshtarë në këtë çështje, midis të cilëve Petër Stamboliçin.

Shoku Enver Hoxha: Ç’bën tani Stamboliçi?

Shoku Lik Seiti: Tani ai është mënjanuar, po jo në atë shkallë siç janë lënë mënjanë Tempua me shokë. Ndryshe është me Stamboliçin, këtë diku e aktivizojnë për të dorëzuar në emër të Titos ndonjë dekoratë, apo për të prerë shiritin me rastin e inaugurimit të ndonjë vepre etj.

Shoku Enver Hoxha: Po Tempua bën ndonjë punë, duket nëpër pritjet?

Shoku Lik Seiti: Jo. Siç duket, tani shkruan kujtimet.

Shoku Enver Hoxha: Po Koça Popoviçi?

Shoku Lik Seiti: As ky. Edhe ky si Stamboliçi është.

Shoku Enver Hoxha: A e kanë nënpresident tani?

Shoku Lik Seiti: Jo, me organizimin e ri jugosllavët nuk kanë fare nënpresident. Kryetari i Kuvendit Federativ, në formë kryen njëkohësisht edhe funksionin e nënpresidentit. Në këtë post është Milentije Popoviçi.

Kur punohej për përgatitjet e Kongresit të 9-të, për disa kohë në Jugosllavi u bënë përpjekje për të nxjerrë Kardelin si zëvendës të Titos në kryesinë e Lidhjes së Komunistëve, po pati reagim nga të tjerët. Kështu, kur u mësua për funksionin e nënpresidentit të Lidhjes së Komunistëve, të gjithë të tjerët thanë ç’është kjo e panjohur. Prandaj, në Kongresin e 9-të të Lidhjes së Komunistëve jugosllavë nxorën nga udhëheqja të tërë të vjetrit. Titua mbajti vetëm Kardelin dhe ndonjë tjetër, por theksoi që midis tyre dhe të rinjve që hynë në udhëheqje nuk ka të parë dhe të dytë, të gjithë janë njëlloj.

Shoku Enver Hoxha: Po udhëheqësit kosovarë si i kanë marrëdhëniet me njëri-tjetrin? Kanë grindje midis tyre? Për shembull, si janë marrëdhëniet midis Fadil Hoxhës, Veli Devës, Ali Shukriut etj?

Shoku Lik Seiti: Gjer tani nuk kemi dëgjuar asgjë serioze që të na ketë tërhequr vëmendjen, megjithatë gjëra të vogla midis tyre ka. Nga sa dimë, del sikur Fadili dhe Veliu janë një, kurse Xhavit Nimani me Ali Shukrinë janë më ndryshe. Kur ish në fuqi Rankoviçi, Ali Shukriu pozitat i kishte më të forta se Fadili me Velinë. Sidoqoftë, edhe këto gjëra të vogla që kanë ata midis tyre ne nuk i kemi akoma shumë të qarta e të argumentuara. Për sa i përket aktivizimit të krerëve shqiptarë të Kosovës me funksione të rëndësishme, nga ana e udhëheqjes jugosllave veprohet njëlloj si për njërin, ashtu edhe për tjetrin.

Shoku Enver Hoxha: Nga krerët shqiptarë të Kosovës, kush tregohet pro rrymës serbomadhe të Rankoviçit?

Shoku Lik Seiti: Dyshime ka për Xhavit Nimanin dhe Ali Shukrinë, megjithëse këtë të fundit Titua e aktivizon mjaft, i ka dhënë edhe popullaritet.

Shoku Enver Hoxha: Është i vjetër nga mosha Aliu?

Shoku Lik Seiti: Rreth 45-50 vjeç. Ky ka qenë edhe në Shqipëri. Midis të gjithë të tjerëve, Aliu është njeriu më i përgatitur për funksione qeveritare. Tani merret me ekonomi, e aktivizojnë sidomos në marrëdhëniet që ka Jugosllavia me vendet arabe.

Shoku Enver Hoxha: Kanë fëmijë këta, dhe ç’qëndrim mbajnë?

Shoku Lik Seiti: Të gjithë fëmijët e këtyre, gjatë manifestimeve patriotike që janë zhvilluar nga populli kosovar, kanë qenë pro flamurit dhe pro një autonomie më të gjerë të Kosovës. Veç kësaj, kur kanë ardhur në Jugosllavi skuadrat tona sportive, të gjithë këta elementë të rinj janë treguar të afruar dhe kanë shfaqur interesim për Shqipërinë. Në këtë drejtim, qëndrimi i djalit të Fadil Hoxhës është më i theksuar. Ky është edhe më serioz dhe qëndron vazhdimisht në Prishtinë me nënën e tij. Edhe vetë Fadili, me përjashtim të rasteve kur në qendër bëhet ndonjë mbledhje ose konferencë, kur autorizohet të bëjë ndonjë takim, apo kur e dërgojnë jashtë shtetit, pjesën më të madhe të kohës në Kosovë e kalon.

Në Kongresin e 9-të zgjedhjet e udhëheqjes kryesore u bënë në mënyrë të atillë, që në përbërjen e saj të përfaqësoheshin në numër të barabartë të tëra republikat. Kjo u bë me qëllim ekuilibri të forcave. Kështu, për çdo republikë u zgjodhën nga dy veta në Byronë Politike të Lidhjes dhe nga një për të dyja krahinat autonome. Nga sa na del nga shtypi dhe nga të dhënat e ndryshme që disponojmë, ashtu siç qëndron Fadili në Kosovë, edhe Kardeli pjesën më të madhe të kohës në Slloveni e kalon. Kështu veprojnë edhe udhëheqësit nga republikat e tjera, të cilët gjithashtu e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në vendlindjet e tyre dhe vetëm kur kanë mbledhje shkojnë në Beograd.

Shoku Enver Hoxha: Si qëndron Nikeziqi me shqiptarët?

Shoku Lik Seiti: Kemi dëgjuar sikur i përkrah. Ai ka dhënë mjaft këshilla kur ka qenë në Kosovë.

Shoku Enver Hoxha: Po Veselinoviçi me Tempon etj, me serbët janë?

Shoku Lik Seiti: Po.

Shoku Enver Hoxha: Si mendon ti lidhur me bisedën që pate me Fadilin, a vlen t’i kthejmë ndonjë përgjigje? Ku të takoi ai ty?

Shoku Lik Seiti: Më takoi një natë në pritjen që u dha në ambasadën sudaneze, me rastin e vizitës që bëri në Jugosllavi kryetari i shtetit të Sudanit. Fadili në atë pritje qe bashkë me Ali Shukrinë, por ndofta, sepse s’më njihte mirë ose për ta justifikuar takimin me mua erdhën të dy së bashku. Mirë po me t’u takuar, Aliu u largua menjëherë, duke u justifikuar se i duhet të takohej me një tjetër. Fadili, pra erdhi vetë i dytë dhe takimi u bë në një pritje përpara syve të të gjithë të tjerëve. Sa mbetëm vetëm, u hoqëm të dy mënjanë dhe aty Fadili gjeti rastin për të më folur.

Shoku Enver Hoxha: Po Velinë, kur e ke takuar?

Shoku Lik Seiti: Me Velinë kam biseduar në takimin e parë me Fadilin. Takimi me të u bë në kohën që po dilnin diplomatët nga stadiumi dhe zgjati gjithsej 2-3 minuta. Kështu, kur po largohesha edhe unë, u takova rastësisht me Fadilin, i cili i tha Veliut që ndodhej prapa nesh, eja të të takoj me të ngarkuarin me punë të Republikës Popullore të Shqipërisë. Pas këtij takimi të shkurtër u ndamë menjëherë.

Shoku Enver Hoxha: E, si thua, ç’mendon ti, a vlen t’i përgjigjemi Fadilit duke i dërguar nëpërmjet teje një përgjigje nga ana ime?

Shoku Lik Seiti: Nga biseda që bëra me të kam përshtypjen që ai pret një përgjigje.

Shoku Enver Hoxha: Konkretisht, ç’kërkonte ai nga unë, pse nga sa më kujtohet nga radiogrami që na ke dërguar, ai sikur të ka drejtuar pyetjen ç’mendon shoku Enver.

Shoku Lik Seiti: Këtë pyetje ai e bëri kur ngriti problemin lidhur me lëvizjen e Rezak Shalës, i cili ishte për krijimin e republikës së shqiptarëve të Jugosllavisë. Fadili më tregoi se qe shprehur kundër një gjëje të tillë. Unë nga ana ime, theksoi ai, njoh vetëm një republikë shqiptare, Republikën Popullore të Shqipërisë. Personalisht kam qenë dhe jam, – vazhdoi ai, – për autonominë e plotë të Kosovës, prandaj nuk si mendon shoku Enver për këtë çështje. Unë, – tha ai, – nuk e besoj që të jetë kundër.

Shoku Enver Hoxha: Ç’është ky Rezak Shala?

Shoku Lik Seiti: Ishte prokuror. Tani, pas orvatjes që bëri për krijimin e republikës, e kanë hequr.

Shoku Enver Hoxha: Po si t’u duk ty, këto pikëpamje që të shprehu Fadili, i ka me dijeninë e udhëheqjes jugosllave, apo të vetat?

Shoku Lik Seiti: Unë mendoj se i ka me dijeninë e udhëheqjes mbasi ai e vuri shumë theksin te Titua, kur donte të më tregonte sa shumë interesohet ky dhe si na ka këshilluar vazhdimisht ta duam Shqipërinë dhe shokun Enver, për arsye se atë e do një popull i tërë dhe tani autoriteti i Republikës Popullore të Shqipërisë është rritur shumë në botë. Këtë çështje ai e theksonte shumë.

Çështja tjetër që preku Fadili dhe nga një pyetje që I bëra lidhur me perspektivat e ngjarjeve në Jugosllavi pas vdekjes së Titos.

Shoku Enver Hoxha: Ç’tha ai, ç’mendon se mund të ndodhë në Jugosllavi pas vdekjes së Titos dhe si e ngriti këtë çështje?

Shoku Lik Seiti: Pyetjen ia bëra unë kur Fadili tha që Titua interesohet shumë për shqiptarët në Kosovë. Dëshira jonë, vuri theksin ai, është që legatat e të dy vendeve t’i ngremë tani në rang ambasade, megjithëse duhet njohur se ka edhe kundërshtarë, siç janë forcat serbomadhe që nuk e duan këtë gjë. Në këtë rast unë ia bëra pyetjen dhe ai u përgjigj se Titua që tani sa është gjallë po punon që federata të mbetet e pandryshuar pas vdekjes së tij, po merr masa që as më vonë të mos dominojë shovinizmi serbomadh, as të ngrihet konfederata, siç ka pasur zëra, por as të mos jetë Jugosllavia një federate e përqendruar, ku të dominojë serbomëdhenjtë. Dhe kësaj pak a shumë po i arrihet. Duke ngritur problemin e udhëheqjes së Lidhjes Komuniste, ai theksoi se tashmë kjo është e siguruar, megjithëse mund të ngjallen forca për ta rrezikuar federatën.

Shoku Enver Hoxha: Me bindje i thoshte këto Fadili, apo si me gjysmë zëri? Si t’u duk, i thoshte me gjallëri, apo vetëm sa për t’i thënë se e kishim ngarkuar që t’i transmetonte. Ç’përshtypje pate ti prej tij në këtë kohë?

Shoku Lik Seiti: Për Titon dhe vijën e tij Fadili fliste me entuziazëm, në kuptimin që kosovarët ai i favorizon, kurse për Rankoviçin fliste me urrejtje, nga një herë bile edhe me nervozizëm dhe deklaroi se koha e tij nuk ka për të ardhur kurrë.

Por unë nuk kuptova mirë premtimin e tij nëse do të jetë ushtar besnik i shokut Enver, jo vetëm po të rrezikohet Shqipëria nga ndonjë agresion, por edhe në rast se vjen përsëri në fuqi Rankoviçi, do të punojë ai që Kosova të mos i kundërvihet Republikës Popullore të Shqipërisë? Kjo mua më shpëtoi pa sqaruar, për arsye se në atë kohë vinin vërdallë nesh plot njerëz, midis të tjerëve edhe dy sovjetikë, njërin nga të cilin e njihte. Fadili në këtë rast tha që nuk fund të fundit ne do të bëjmë punën tone, sado që të mos duan këta (për sovjetikët) që janë armiqtë tanë.
Shoku Enver Hoxha: Foli gjë Fadili për ndjenjat antiserbe të popullit kosovar, kur përmendi ato ndjenja gjoja të ekzaltuara të rinisë kosovare?

Shoku Lik Seiti: Nuk tha gjë.

Shoku Enver Hoxha: E do populli Fadilin?

Shoku Lik Seiti: E do, tek ai duket se ka besim më shumë se tek cilido tjetër nga maskarenjtë e kalibrit të tij. Njerëzit për të flasin mire. Qarkullojnë edhe zëra sikur ai ka qenë kundërshtar i largimit të shqiptarëve jashtë Jugosllavisë.

Shoku Enver Hoxha: Ka kosovarë që kthehen nga Turqia në Jugosllavi?

Shoku Lik Seiti: Këta gjer tani janë fare pak, gjithsej 3-4 veta. Kjo çështje po diskutohet midis vendeve, po thonë sikur nuk i lejojnë turqit. Megjithatë, nuk ka akoma gjë të qartë.

Shoku Enver Hoxha: Kur të vijë rasti t’i duhet t’ia bësh kujtdo të qartë vijën tonë, sipas së cilës kosovarët e emigruar duhet të kthehen në vendin e në shtëpinë e tyre dhe në këtë drejtim të bëhen përçapje që të mos nxirren pengesa. Të bëhet e qartë se pikëpamja jonë është që jugosllavët t’i zhdukin pengesat që kanë vënë duke u kërkuar si kusht atyre shqiptarëve të emigruar që dëshirojnë të kthehen në Kosovë se duhet të disponojnë një sasi të hollash.

Shoku Lik Seiti: Fadili pret përgjigje edhe lidhur me kthimin e legatës sonë në Beograd në rang ambasade.

Shoku Enver Hoxha: Po ja, sikur të t’i themi ty disa gjëra që, për të qenë më preciz, unë i kam shkruar. Këto ti mund t’i kesh në vete, po Fadilit duhet t’i thuash gojarisht, se ai me shokë nuk janë njerëz të sigurt. Idetë, që po t’i jap të shkruara, janë mjaft koncize dhe për të dyja tablotë, edhe për vetë Fadilin personalisht në rast se ai do të dëshirojë t’i mbajë vetë në mendje, edhe po të jetë që t’ia thotë Titos, pse ne e dimë që ai i Titos është dhe kjo s’na prish asnjë punë. Natyrisht, ti duhet të gjesh rastin për t’ia thënë këto ide kështu, në përgjithësi. Po më mirë le të t’i lexoj një here, pastaj të shohim ç’mendim ke edhe ti:
“Duke vlerësuar bisedën që patëm bashkë, si dhe faktin që ju më dhatë të kuptoj se donit të dinit edhe mendimin e shokut Enver për çështjet që ngritët, kur isha në Tiranë, kërkova një takim me shokun Enver dhe ia raportova gjithçka që më folët.

Shoku Enver, më porositi, t’ju sjell të falat e tij dhe t’ju përshëndes për ndjenjat e pastra patriotike, që janë karakteristike për shqiptarët, qofshin këta qytetarë të Republikës Popullore të Shqipërisë, qofshin të Kosovës. Shoku Enver ishte i prekur nga ajo që thatë ju se në rast rreziku për Republikën Popullore të Shqipërisë ju do të jeni përkrah tij. Shoku Enver, që ju njeh personalisht, nuk dyshon për këtë, sepse qëndrimi juaj për këtë problem është në vazhdën e traditave luftarake heroike të popullit tone që ka luftuar në shekuj dhe në vazhdën e patriotizmit të lartë të popullit të Kosovës.

Ne ndjekim me vëmendje ndryshimit që kanë ndodhur në Kosovë, të drejtat që janë fituar në çështjen e gjuhës, të arsimit, në drejtim të administrimit, etj. Padyshim këto janë fitore kundër korenteve antishqiptare, rankoviçiane e serbo-madhe. Por, siç e thonë edhe vet, s’është kjo e gjitha. Ka edhe shumë të drejta të tjera që duhet të fitojnë vëllezërit kosovarë.

Mendimin tuaj për të mos pranuar krijimin e një Republike të dytë shqiptare ne e quajmë të drejtë. Ky është qëndrimi i drejtë dhe patriotik. Një qëndrim të kundërt Republika Popullore e Shqipërisë do ta luftojë me të gjitha forcat. Ne jemi dakord me mendimin tuaj se në botë ka vetëm një Republikë Popullore të Shqipërisë.

Gjithashtu është i drejtë mendimi juaj që duhet punuar për forcimin e autonomisë së Kosovës. Autonomi e plotë, ashtu siç e thatë edhe ju, do të thotë sigurim i të drejtave të plota: në pushtet, në ekonomi, në arsim e kulture, në përgatitjen e kuadrove të të gjithë sektorëve, duke përfshirë edhe oficerë për ushtrinë, për sigurimin e shtetit, etj. Dhe kjo jo vetëm përputhet me politikën e drejtë nacionale, siç e kuptojmë ne, por edhe se Kosova është një entitet kombëtar i madh, i njohur nga vetë kushtetuta jugosllave. Prandaj të kërkosh autonominë e plotë dhe të drejta të plota për Kosovën, në kuadrin e Federatës, nuk është antiserbe, as antijugosllave. Me këtë kërkesë, përkundrazi, luftohen vetëm shovinistët serbë të cilët kanë luftuar e luftojnë për të kufizuar e mohuar të drejtat e Kosovës, sepse këtë duan ta kenë nën administrimin e tyre absolute, në mënyrë që të diktojnë, sipas interesave të tyre shoviniste, gjithë zhvillimin politik, ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Për sa i përket bashkëpunimit tone me ju, ne do ta zhvillojmë këtë brenda kuadrit të Federatës Jugosllave. Por jua themi hapur: në këtë marrëdhënie preferencën ne ua japim marrëdhënieve me ju, me Kosovën. Ne jemi të disponuar ta ndihmojmë Kosovën në të gjitha drejtimet, veçanërisht lidhur me zhvillimin e arsimit, me përgatitjen e kuadrove, me tekstet që ju nevojiten, qoftë për universitetin, qoftë për shkollat e tjera. Mund të shkëmbehet eksperiencë midis kuadrove të sektorëve të ndryshëm, mund të shkëmbehen kuadro për të mbajtur cikle leksionesh etj. Gjithashtu mund të vine tek ne, për vizita për të pare, në forma të ndryshme, vëllezërit kosovarë. Shoku Enver Hoxha më porositi t’ju them juve, shoku Fadil, se nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë. Bile do të jeni të kënaqur të plotësojmë të gjitha kërkesat tuaja. Republika Popullore e Shqipërisë, më tha shoku Enver, ka detyrimin ndaj vëllezërve të Kosovës. Por rëndësi ka dhe kjo varet edhe nga ju, nga mbështetja juaj, që në Shqipëri të vine sa më shumë kosovarë e studentë, vetëm përpiquni të jenë njerëz të mire dhe t’ju shërbejnë juve sa më shumë në të ardhmen.
Përgjithësisht lidhur me marrëdhëniet me Federatën Jugosllave ju duhet të na kuptoni drejt. Ju keni politikën e qëndrimin tuaj ndaj Federatës, edhe ne kemi tonin. Të flasim hapur:Historia provoi se nga Jugosllavia e Titua është bërë një politikë e egër kundër vendit tonë, saqë tani edhe vetë udhëheqja jugosllave e njeh zyrtarisht. Ju, që keni hequr mbi kurriz ato çka bërë Rankoviçi e kini kuptuar politikën antishqiptare që është ndjekur në Kosovë, e kuptoni se sa të drejta kanë qenë dhe janë qëndrimet tona ndaj udhëheqjes jugosllave.
Ju mund të keni pikëpamjen tuaj, por për ne Titua është antimarksist. Megjithëkëtë, ne ju themi që në këto konjuktura, nuk bëni keq të mbështeteni tek Titua, sepse jua lehtësoi disi vuajtjet. Por ky qëndrim i Titos ndaj Kosovës sipas pikëpamjes sonë nuk diskutohet nga dashuria, ai diktohet nga rrethanat që u krijuan në të cilat çështja shtrohet: o t’ju ketë armiq, ose t’ju ketë miq. T’ju armiqësojë është e rrezikshme për të. Prandaj do që t’ju ketë miq, gjë që ka rëndësi edhe në luftën e Titos kundër rankoviçianëve.

* * *

Në këtë konjukturë ka probleme të interesit të përgjithshëm, për të cilat qëndrimet tona janë pozitive. Në këto qëndrime ne udhëhiqemi nga parimet e marksizëm-leninizmit, nga interesat e Republikës Popullore të Shqipërisë, nga interesat e shqiptarëve të Kosovës si dhe nga interesat e popujve të Jugosllavisë dhe të popujve të tjerë.
Prandaj, kur shohim se në konjukturat konkrete rrezikohen popujt e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, ne mbështesim luftën e popujve të Jugosllavisë për mbrojtjen e vendit të tyre.

* * *

Edhe udhëheqja jugosllave i sheh këto konjuktura dhe në përputhje me to kërkon që marrëdhëniet me Republikën Popullore të Shqipërisë t’i zhvillojë me vrull. Ky është interesi i saj, por ajo ka edhe merakun që të tregojë se Shqipëria socialiste ndryshoi vijë e ngjyrë, se titizmi ka pasur të drejtë në qëndrimet e tij. Ne ju themi juve se këtë kënaqësi dhe kapital politik nuk ua japim titistëve.
Ne jua themi juve si shok e vëlla i yni, se marrëdhëniet tona me Federatën Jugosllave do të vijnë duke u përmirësuar në rrugë shtetërore. Edhe çështjen e shkëmbimit të ambasadorëve po e studiojmë. Po udhëheqja jugosllave duhet të dijë që ka bërë shumë të këqija ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë dhe shumë qëndrime të saj duhet t’i dënojë publikisht që të mund të pastrohet sadopak rruga nga pengesat që ajo vetë ka krijuar prej vitesh me radhë.

* * *

Ne i kuptojmë vështirësitë tuaja, shoku Fadil, ashtu siç dimë edhe dallgët nëpër të cilat keni kaluar, si dhe qëndresën tuaj. Ky është një nder për ju dhe për shqiptarët e Kosovës. Ne i kuptojmë drejt gjithashtu edhe qëndrimet tuaja në konjukturat e ndryshme. Të jeni të bindur se çdo qëndrim marksist-leninist i Republikës Popullore të Shqipërisë, ashtu si deri tani edhe në të ardhmen do të ketë parasysh gjithnjë interesat e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe interesat e vëllezërve tanë shqiptarë të Kosovës, duke forcuar miqësinë me popujt e Jugosllavisë në rrugën marksiste-leniniste.

Siç e sheh, të gjitha këto çështje ti do t’ia thuash Fadilit. E, si mendon tani? T’ia japim këtë përgjigje apo jo? Pastaj mund t’ju themi kështu? Shkon? Mos është e butë apo e fortë, domethënë mos është nevoja ta zbusim ca akoma, apo ta forcojmë më tej? Thuana mendimin tënd, është një përgjigje politike apo sektare, apo mos është liberale? Si të duket pra, se të kemi ekspert për problemet jugosllave.

Shoku Lik Seiti:… (pasi mendohet pak) Mua më duket një përgjigje e plotë…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top