Shkruan Ramadan Gashi
Sot në Bruksel, filloi për të mos u ndaluar, etapa e parë e procesit të dritësimit të së vërtetës, për ndëshkimin penal e politik të Serbisë – procesi i Serbisë vrastare dhe ekzekutueseve të mikut t’im Enver Hadri, të cilin presidenti Ibrahim Rugova, e dekoroi dhe shpalli hero të Kosovës!
Unë, sikur edhe disa kolegë e miq tjerë të çështjes, si : Rizah Kadrija, Gani Azemi, Agim Demaj, Agim Radoniqi, Ramë Ramosaj e disa tjerë, ishim në fillet e Rezistencës Kombëtare të Shqiptarëve të Kosovës, për të vazhduar më tej me Komitetin e Rezistencës dhe Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut me seli në Bruksel, ku Enver Hadri ishte kryetar i të gjitha niveleve organizative.
Enver Hadri, pa dyshim fare mbetet «Ekselencë e përfaqësimit diplomatik të Kosovës – Ambasador” – fillestari i politikës dhe diplomacisë moderne të Kosovës, pranë institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Bruksel dhe qendra tjera vendimmarrëse në Europë. Ne të tjerët, ishim nxënës “sejmenë” të tij, prej të cilit kam mësuar shumë, mësimin e të cilit e vë në praktikë sot e kësaj dite, sikur kur isha në mision në Bruksel ashtu edhe sot në Prishtinë.
Me te e dridhnim Jugosllavinë, ndërkohë që edhe i vrarë por i gjallë me vepër, me procesin e vrasësve të tij në Bruksel, Enver Hadri tani dridh Serbinë!