Shkruan: Halil Matoshi
Qeveria e Kosovës nuk ka më për çfarë të bisedojë me këtë Qeveri neofashiste të Beogradit, aq më pak kur bisedimet i drejton një grua gënjeshtare, Edita Tahiri. Përderisa Gjuriq thotë se Kosova duhet ta fusë në preambulën e Kushtetutës së saj Serbinë dhe jo Serbia ta fshijë Kosovën nga preambula, dhe përderisa ky zyrtar akuzon Kosovën për gjenocid ndaj serbëve, Prishtina duhet t’i pezullojë bisedimet. Qeveria e Beogradit ka harruar trenat e vdekjes, masakrat dhe vrasjet në masë edhe të fëmijëve dhe përdorimin e dhunimit seksual si armë lufte…
Nga janari deri më 12 qershor 1999 në Kosovë nga forcat serbe të sigurisë janë vrarë ose evidentohen të zhdukur 1 396 fëmijë, nën moshën 18-vjeçare, apo më tepër se 11 për qind e viktimave të përgjithshme të të vrarëve në Kosovë. Kjo statistikë për dhunën mbi fëmijët është më tragjikja në historinë e re të Evropës.
Sipas të dhënave, nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 11 843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1 741 femra. Janë dhunuar 20 400 femra shqiptare, përderisa 1 450 banorë kosovarë ende evidentohen si të pagjetur. Janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi, janë dëbuar nga Kosova më se 1 milion banorë.
Cili është morali politik që të bisedohet me një Qeveri, e cila kërkesave që Serbia ta heqë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj, u përgjigjet përmes zyrtarit Gjuriq se është më mirë që Kosova ta fusë në Kushtetutën e saj Serbinë!? Këtë nuk e ka komentuar fare rrenacakja me famë, Edita Tahiri. Ashiqare, Serbia e ka kusht nga BE-ja (Kapitulli 35) që ta fshijë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj.
Edita Tahiri gënjen publikun kosovar derisa Qeveria e Serbisë përmes drejtorit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, tallet me kosovaren që për pushtet shkel mbi të gjitha parimet morale të politikës duke i fyer kështu viktimat kosovare. Ndërkohë po ky Gjuriq ka vazhduar ta përsërisë shifrën e shpikur të Beogradit për numrin e serbëve që e kanë braktisur Kosovën. Sipas tij, Kosovën gjoja e paskan braktisur 250 mijë serbë.
Retorikës boshe që e mbllaçit Presidenti i Kosovës qe një dekadë se Serbia do të paditet në gjykatat ndërkombëtare për gjenocid, po ashtu Gjuriq i përgjigjet me tallje: “Nëse ndokush ka bërë gjenocid, atëherë ata janë UÇK-ja dhe ish-komandantët e komandantët e saj të sotëm.” Ndërkohë, një grua e cilësuar si e forta e LDK-së, iu bashkua “kampit kakistokratik” me të cilin Hashim Thaçi e sundon Kosovën, sepse vetëm kjo “vëllazëri mafioze” realisht jepte pushtet e para! Sepse arkëtari i SHIK-ut, Adem Grabovci, operonte me milionat e zhvatur nga qytetarët kosovarë, duke shitur e blerë për interesa private të kastës së tubuar rreth PDK-së, tërë pasurinë kombëtare, për 17 vjet me radhë!?
Dhe së fundi, kësaj rrokullisjeje drejt ambisit iu bashkua edhe lokomotiva e rrjepur dhe e leckosur e LDK-së, me një kryesi që më shumë ngjan në një tubë përcjellësish të trenave – nëpër kasabatë e këputura ballkanike – sesa në politikanë e zyrtarë të një shteti modern! Po cilat janë gënjeshtrat e Edita Tahirit?
Rrena numër 1.
Ajo më 24 shkurt 2012 i kishte thënë b92-shit se “fusnota është flluskë dhe do të shkrihet sa të kalojë dimri” dhe se Kosova do të paraqitet në të gjitha forumet rajonale si shtet!?
Mirëpo kanë kaluar edhe nja katër dimra tjerë përderisa fusnota (pahuljica!!!) nuk po shkrihet dot. (Shih: http://www.b92.net/info/vesti/index. php?yyyy=2012&mm=02&dd=24& nav_id=585368)
Ndërsa, tre vjet më vonë, më 2 nëntor 2015, ministrja për Dialog, Tahiri, për flluskën famëkeqe, që nuk kishte shkrirë, kishte thënë se madje ka qenë instrument ndihmesë që të nënshkruhet MSA-ja, ngase pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, pikërisht për shkak të fusnotës e kanë votuar MSA-në.
Tashti ajo me gjasë kishte harruar metaforën e saj të quajtur ‘flluskë” dhe po thoshte se fusnota i ndihmon shtetet të dalin nga izolimi!?
Rrena nr. 2.
Edita Tahiri më 20 gusht 2015 u tha mediave në Prishtinë se Asociacioni s’ka kompetenca ekzekutive, ndërsa “Parku i paqes” do të hiqej më 1 tetor; “Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, do të ketë rol që t’i ndihmojë komunat me shumicë serbe dhe se nuk do të ndodhë niveli i tretë i pushtetit. (…)
Tash e sa kohë ura e Ibrit ka qenë e pakalueshme për shkak të destruktivitetit të Serbisë. Në bazë të planit, kjo urë do të bëhet urë bashkuese më 1 tetor”. Këtë e kishte përsëritur edhe më 12 qershor 2015, në një intervistë për Deutsche Welle!?
“Barrikada do të hiqet shpejt, sepse këto barrikada tregojnë se Seria ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen për lëvizje të lirë. BE-ja e njeh si shkelje të marrëveshjes. Ka rezultate dhe shumë shpejt do të hiqet”, ia ka përsëritur zv.kryeministrja Tahiri rrenën e radhës “tellallit’ publik të rrenave, RTK, më 27 qershor 2014!???
Jemi në fillim të gushtit 2016 dhe ajo çuda e quajtur “Park paqeje” nuk është hequr.
Rrena nr. 3.
Duke folur për Mbrojtjen Civile, në një televizion të Prishtinës, po më 20 gusht 2015, ministrja siguroi se ajo është shpërbërë!???
“Është shpërbërë”!??? – ishte këmbëngulëse ajo. “Në prill kemi arritur marrëveshjen për këtë çështje. Kjo strukturë ka mbyllur pikat vëzhguese, të cilat po dorëzohen tek institucionet e Kosovës, si edhe pajisjet e përdorura”.
Në gusht të vitit 2016 mediat në Prishtinë njoftojnë se Mbrojtja Civile i ka forcuar mekanizmat e saj mbikëqyrës në veri të Kosovës.
Rrena nr. 4.
Më 1 korrik 2016, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka ripërsëritur se tashmë është shuar policia paralele, strukturat e drejtësisë paralele dhe mbrojtja civile.
Rrena nr. 5.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë se kodi telefonik për Kosovën do të ndahet nga ITU-ja, në 15- ditëshin e parë të muajit mars 2016. Këtë e ka thënë më 30 dhjetor 2015 – tash jemi në gusht 2016!? Dhe a ka fund rrokullisja e Republikës drejt humnerës? Cili mund të jetë ndryshimi edhe nëse ua them rrenën e saj të 6, 7… 10…?
Ministrja Tahiri ashiqare ka rrejtur publikun kosovar sa herë e ka çelur gojën. Ajo ka shpërndarë gënjeshtra në publik në lidhje me fusnotën, Asociacionin e Komunave Serbe, Rojat e urës, pastaj Mbrojtja Civile, policat e sigurimeve, kodin telefonik, “Parkun e paqes”, njohjen e mundshme nga Serbia dhe shumë tema tjera që lidhen me raportet në mes dy vendeve dhe askush nuk ka kërkuar llogaridhënie nga ajo.
Ajo, së voni, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, e ka pranuar se Serbia është duke e bllokuar zbatimin e marrëveshjeve të 25 gushtit 2015, e njëra prej tyre është edhe ajo për kodin telefonik shtetëror të Kosovës.
Mirëpo ka harruar se njërën nga Marrëveshjet e nënshkruara nga shefi i saj, Hashim Thaçi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pothuajse e ka kthyer në pikën zero – prej nga Edita nuk e ka luksin për të vazhduar me rrenat e saj rreth Asociacionit!? Por ajo po vazhdon e pandëshkuar të gënjejë kosovarët edhe në Qeverinë “shpëtimtare” të Isa Mustafës!???
Kjo është dëshmi se ajo grua ka qenë vetëm levë ose vegël qorre e pushtetit të kriminalizuar në Prishtinë dhe vazhdon të jetë shpërndarëse e mjegullës, duke qenë e paguar nga taksapaguesit për të rrejtur – duke qenë pjesë e “Vëllazërisë Pronto” – pra e mafies së instaluar në pushtet!?? Cili është morali i kësaj historie pos amoralitetit të skajshëm?
Kjo është historia e një gruaje gënjeshtare që është ngjitur në pushtet përmes gënjeshtrës dhe është plakur duke rrejtur në favor të bossa-ve të “Mafies kosovare.” Është bërë horë për një grusht monedhash!