EDHE UNË GUXOJ ME IKË PREJ VLERAVE TË LDK-SË

Kështu mund të titullohet kërkesa për votimin e kandidaturës së Vjosa Osmanit, e cila, me një plan të detajuar e shkatërroi subjektin që dikur ishte shpresë dhe vizion për të ardhmen e ndritur të shtetit. Gjithsesi, në këtë zhvillim ngjarjesh të pakëndshme për LDK-në, përgjegjësia nuk mund të parkohet vetëm te Vjosa. Vjosës, duhet bërë të qartë, i ndihmuan me veprimet e tyre edhe Isa Mustafa, Skender Hyseni, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Haki Rugova e shumë e shumë të tjerë, që me lojën e tyre të pandershme dhe tejet irituese për elektoratin, e detyruan atë që t’ua kthejë shpinën, ashtu siç bëri Rugova dikur me kërkesën e komunistëve për ta vizituar varrin e Enferr Hoxhës.

Kryesia e re e LDK-së, deshëm ta pranojmë ose jo, duket që nuk është e aftë të unifikojë qëndrimin e 15 deputetëve të saj për kandidaturën e Vjosa Osmanit. Ajo, me këtë paaftësi po dëshmon se me te nuk duhet llogaritur as në zgjedhjet lokale, e ndoshta as në zgjedhjet e ardhshme nacionale, kurdo që të mbahen ato. Lumir Abdigjiku, kryetari i ri i LDK-së, do ishte mirë që të mos e lë përshtypjen e një adoleshenti që ka “hypë për herë të parë n’vilispic”, sepse elektorati i LDK-së, i lodhur e persekutuar me lojërat e pafundme të Lutfiut, Isës, Agimit, Hakiut, Skenderit etj. etj., ka vendosur t’i dënojë me votë të gjitha sjelljet që dalin jashtë botëkuptimit tradicional për vlerat e të djathtës shqiptare në RKS.

Vota e 14 shkurtit ishte karton i kuq për LDK-në. Ishte ndëshkim dhe mesazh i qartë për strukturat drejtuese të këtij subjekti. Prandaj, nëse vota e 14 shkurtit nuk perceptohet si kërkesë e zëshme për reflektim serioz ndaj kërkesave të elektoratit, ekziston mundësia reale që “kinezët” e facebook-ut ta ndëshkojnë rreptë edhe kryesinë e re të LDK-së, sepse prej saj, në prag të festës së Pashkëve, nuk po kërkohet ta luajë rolin e ushtarit romak, por të angazhohet në detyrën më sfiduese për subjektin që pëfaqëson, ringjalljen e LDK-së.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top