Edhe Binaku është profesor, por anglez nuk është

Shkruan: Arbër Gashi

Populli, përmes elitave dhe mediave të paformuara kombëtarisht po e kërkon një zgjedhë që pamundëson kritikën ndaj sundimtarit të ri. Po e kërkon një lider që ia shtrëngon zgjedhën n’fyt, ia bënë sytë kapsoll dhe e bënë të ndjehet krenarë me zgjedhjen e zgjedhës së vet të re!

Dardani, në rrethana të volitshme për liderin e lëvizjes së re komuniste do përfundonte si Koçi Xoxe, dhe gratë e çmendura, këto kopje t’shëmtuara të Nexhmije Xhuglinit, sëbashku me ato tjerat që s’mungojnë nëpër ahengjet e partisë, do i thurnin lavde e do i këndonin këngë vigjilencës së Lëvizjes Popullore dhe eliminimit të pamëshirshëm të anmiqve të brendshëm.

Dardani shpëtoi, sepse iku me gjithë grupin e tij dhe u bë anmik i jashtëm. Pra, Dardani doli të jetë më sfidues për Lëvizjen komuniste se Koçi Xoxe, ndoshta edhe për shkak se Dardani është djalë Dukagjini dhe ka më shumë koçe për qëndresë, se Koçi vetvrasës nga frika prej tallonave t’partisë. Nëse Dardanin nuk e merr n’qafë Susllovi Prishtinës, propozoj t’ia ngrisim një shtatore për së gjalli, si shembull unik që dëshmon se Lëvizja nuk mund t’i frikësoj, t’i burgosë dhe t’i vrasë të gjithë kundërshtarët e mbeturinës së vjetër me paketim të ri.

Shqiptarë, nëse ti nuk vetëdijësohesh, se emrin Dardan dhe qëndresën e tij nuk e kanë të gjithë, Avni Rustemi t’vret edhe pas vdekjes. Mjafton që indoktrinimi Lëvizjes me këtë mendësi terroriste të arrijë pikën kritike dhe pastaj fillon ahengu. Ska mâ kili-mili. Ska mâ SHIK. Ska mâ ciu, ciu, ciu! Ska mâ Rogner! Zhduket edhe Syri i Popullit! Bile, edhe ballistat e ri me paketim t’kuq, i nxjerrin hapur shajkaqat me yll! Veç Chuck Norrisi(Haki Abazi) dhe Binak profesori mbijetojnë. Binaku, ndoshta mbijeton ma gjatë se Chuck Norrisi i ri, sëpaku derisa ta largojnë si të fundit nga puna, ashtu siç ka ndodhur në vitet e 90-a!

O popull i mirë shqyptarë dhe ju shokë e shoqe t’Lëvizjes, mos harroni se dehologu i kllapës së vjetër, Binak profesori, kimen e ndërron, por dashninë e nxënëseve t’veta se harron kurrë! Binaku s’është anglez, është profesor, bile po na del ma Dinak se Sir Eduard Grey! Mirë që profesori ynë është pajtu me një zgjedhje(atëherë ishte e ndaluar poligamia), e lutemi t’i ket’ dalë zgjedhë e mirë që se merr popullin n’qafë!

O popull i hjekun keq, mbajeni mend, plumbi i Lëvizjes Popullore na shëron edhe sot të gjithëve nga çdo sëmundje, bile edhe nga mërzia e madhe që s’po mundemi me e rr’xu ish-anëtarin e saj të dikurshëm, Hashimin! Andaj, dhashtë Zoti e bashkohet Shqipnia e nuk na vjen n’pushtet një tjetër Hashim i partisë, se Hashimat e Shqipnisë së sotme mund t’jenë ma t’vegjël me trup, por sherrin e kanë ma t’madh!

Prandaj shqiptarë, vetëdijësohu e mos harro se Hashimat e Shqipnisë së sotme problem e kanë se si me t’afru te dera e standardit të 72-tes, se pastaj, ke me lyp’ një zgjedhë të humbun me votë, një lak që t’shpëton nga kthetrat komuniste të Kino Studios:

“Shqipëria e Re me zalloga t’vjetra”!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *