POETI KOMBËTAR MENTOR THAQI

EC E MOS NËM E MALLKO ME SHPIRTË TË PLAGOSUN

SHKRUAN: MENTOR THAQI

Luhet dhe bëhen pazare me kufij, falen territore thua se jemi shtet i madh sa Kanada (nuk e thash sa Rusia se nuk ma deshti shpirti), vidhet e plaçkitet edhe ajo krejt pak pasuri popullore, shiten pothuajse falas (si badihava) resurset, ndërmarrjet, tokat, objektet “shoqërore”, kontrabandohen si është më keq pasuritë dhe vlerat tona, degradohet ambienti me ndërtime hidrocentralesh pa fije kriteresh për interesa bashibozukësh, klanesh krimi, shkretohet natyra dhe ambienti, helmohet toka, uji dhe ajri me deponi mbeturinash vend e pa vend, vidhet hapur në secilin investim rrugësh, kanalizimesh, ujësjellsësh, shkollash e spitalesh, vidhet në secilin tender, bile edhe në barna që kushtojnë jetë skamnorësh, bëhen marrëveshje edhe me armikun në dëmin tonë shtetëror e kombëtar vetëm të shpëtohet ndonjë BYTHË KRIMINALE për veprimet e bëra, emërojnë njerëz me biografi kriminale, me dështime profesionale, me emër e nam të urryer, në pozita: gjyqtarësh, prokurorësh, noterësh, komisionerësh, drejtorësh, rektorësh … deri në maje pushteti e Shteti, gjenden përditë në skandale amoraliteti … dhe 1001 faqe të zeza …, a thua nga kush?!

Nga unë jo qe besa, kurrë nuk isha në punë shteti as pushteti, as babë e babëgjysh, kurrë nuk morra gjë nga Shteti, bile as bursë studimesh, gjithmonë dhashë e po jepi! Besa as nga fukaraja skamnore që nuk ka gjë në dorë!

Sigurisht nga BOSSAT e vendosjeve politike, institucionale! Sigurisht nga të FUQISHMIT materialisht, “ligjërisht”, politikisht … hyqymetisht, sigurisht nga ata që nuk ia dinë skajin pasurisë e që para lufte, e që para disa vjete as mut në bythë nuk kishin!

Dhe … po reagove nga zemra e plasur, i fiton 1001 shamje, fyerje, kërcënime, njollosje, nofka e profka … bëhesh PISHMAN që je gjallë!
E si të mos reagosh, kur një jetë e ke SHKRI në mund e sakrificë në shërbim Kombi, Atdheu, Kauze Kombëtare, për Liri, për Shtet me Dinjitet … të dhëmb shpirti kur e sheh që po zbrazet Atdheu nga rinia, që po iu vritet ardhmëria brezave në rritje e ardhje, kur po plakesh pa e pa as një ditë të bardhë si duhet, pa realizu ANDRRËN e jetës për një Shtet me Dinjitet?!

Ah … kjo nuk është Liria që e deshta, për të cilën u mundova një jetë të tërë!

Shteti jem, fatkeqësisht nuk ka politikbërës shtetndërtimi me një Strategji adekuate, nuk ka diplomaci të mjaftueshme të mirëfilltë, ka emërime KUTURU, ka politikana që as vetvetes nuk i duhen, nuk ka POZITË as OPOZITË Kredibile çfare i duhet vendit, ka klane e puçe!
Uroj të jem gabim!

Lutja ime e sotme dhe e përmotme: Zot, kthjelloje Kombin tim, ndërgjegjësoje të ecë rrugës së mbarë!

Ashtu kjoftë!
Amen dhe Amin!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top