Arkivoli i Ali Këlcyres, Eqerem Bej Vlora dhe Hëna Këlcyra

E vërteta e armiqësisë së tim eti me Enver Hoxhën

Intervistoi: Roland Qafoku, 20 Shtator 2013

Në një rrëfim të gjatë, Hëna Këlcyra flet me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së babait të saj Ali Bej Këlcyrës. Peripecitë e Këlcyrës, pse u dënua katër herë me vdekje dhe u burgos nga të gjitha regjimet. Si u bë heroi i Luftës së Vlorës një nga krerët e Ballit Kombëtar, lidhjet me Mit’hat Frashërin, marrëdhëniet me anglezët dhe tre takimet me Enver Hoxhën. Si do të organizohet ceremonia për Ali Këlcyrën në Tiranë dhe dëmshpërblimi që kërkon Hëna Këlcyra për veprën e babait të saj.

Në datën 24 shtator babai juaj Ali Këlcyra mbush 50 vjet nga vdekja e tij. Çfarë pritet të mbahet dhe të ketë si kujtim të babait tuaj?

Hëna Këlcyra: Mbetet shumë edhe pak. Babai im, është një figurë interesante, si njeri, si figurë që ka përcjellë këto 70 vjet të historisë së vendit. Vdekja vjen për këdo, dhe sot babai njihet në popullsi shqiptare nga propaganda e rreptë e Enver Hoxhës. Edhe pa dashur ai i ka bërë një të mirë, sepse të paktën i mbajtën mend emrin ndërkohë që shokëve të tij nuk i dinë as emrin e as ku prehen. Për këtë ne kemi një detyrë, për të sqaruar historinë e Shqipërisë që këto vitet e fundit është mashtruar, jo historia e vërtetë.

Cilat do të jenë ceremonitë për babain tuaj?

Do të përgatis një darkë këtu në Tiranë, sepse një pjesë e familjes gjendet këtu dhe shumë miq. Varri ndodhet në varreza pranë piramidës, në Romë, është një varr për ata që nuk janë katolik. Sepse në kohën kur Vatikani mbretëronte, brenda në qeveri ishte e ndaluar që të vdekurit jo katolik të varroseshin brenda mureve të Romës. Atje ka shumë të njohur, si djali i Gëtes përshembull.

Nga të gjitha të dhënat, unë dua ta nis me një detaj interesant siç është dokumenti i siguruar në arkivat e Londrës. Bëhet fjalë për letrën që kryeministri i asaj kohe Enver Hoxha, i ka dërguar homologut anglez Uinston Churchill, për ta sjellë në Shqipëri për ta ekzekutuar si kriminel lufte. Si është historia e kësaj letre?

Historia e kësaj letre është gjetur nga profesor Midulla Destani në Londër. Nuk kërkohet vetëm babai im, i dyti që kërkohet është Mit’hat Bej Frashëri, Abaz Kupi, Kadri Cakrani, Koço Muka si dhe Veip Rrunja. Letra është shkruar në gjuhën frënge, ku kryeministri Hoxha i shkruan zotit Churchill se na ke premtuar se do të na dorëzonit këta kriminelë që të gjykohen në Shqipëri. Ndërkohë që ata gjenden në Itali, dhe janë të lirë. Kjo nuk është e vërtetë pasi ata ndodheshin në qytetin e Territ në një ish-fabrikë. Më 25 prill 1945 erdhën një ditë në kampin të Santa Farës ku ne ishim, të izoluar, jo të burgosur. Unë me mamanë kishin të drejtë të hynim, e të dilnim ndërkohë që ata jo. I arrestoi policia Britanike babanë dhe Mit’hat bej Frashërin. Për dy muaj na i kanë mbajtur të fshehtë. Mamaja ishte e tmerruar se më parë ata kishin dorëzuar antikomunistë. Më vonë na thanë se janë në burg dhe një herë në muaj mund t’i vizitonim. Mamaja vetëm 25 minuta e shoqëruar nga Koço Muka, që i ndejti pranë e nuk mungoi në asnjë vizitë. Mua më lejonin herët në mëngjes të hyja në kamp, dhe në orën pesë mund të dilja. Unë isha nëntë vjeçe dhe kisha të drejtë të hyja e të dilja. Në kamp ishin me numra, ka patur edhe Mithat Beu një numër. Mit’hat Beu që ishte 20 vite më i madh pati shqetësime në zemër, kështu që një ditë Sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Vasil Andoni erdhi edhe në vend të Koço Mukës, ai shoqëroi mamanë dhe i kërkoi babait t’u deklaronte aleatëve, sepse Mit’hat Beu ishte nderi i Ballit. Ndërsa babai duhet të thoshte se ishte kryetar i efektivit, të merrte përgjegjësi për të mirat e të këqijat që kishte bërë Balli në Shqipëri. Dhe sigurisht babai e bëri… Ditë më vonë anglezët e liruar Mit’hat Beut dhe babai bëri gjithsej 22 muaj. Nga këto 22 muaj, 17 muaj i burgosur nga aleatet dhe pesë muaj nuk mund të dilnin se kishin një marrëvshje që kur burgosurit të liroheshin, do të ktheheshin në vendin e tyre. Kështu që babai duhej të kthehej vullnetarisht në Tirane, gjë e pamundur për të sepse e priste litari. Kështu që mamaja ka luftuar. Vetëm mamaja ime nga shqiptarët, ndërsa Gulian Emery fliste shumë mirë frëngjisht, kështu që ka qenë i vetmi që babai ka komunikuar pa përkthyes. Është përpjekur dhe ia arriti qëllimit pas incidentit të Korfuzit. Babai kur ishte i ri, ka marrë pjesë në Luftën e Vlorës, dhe për këtë shkak ka qenë pesë muaj në burg sepse italianët e konsideronin si anti italian. Ndërkohë pranë Gulian Emerit ka qenë edhe zonja Herbert, e njohur në historinë e Shqipërisë se familja e saj ka banuar në Fier, ku kishte njohur mamanë time kur ishte e vogël. Ata banonin te Ymer Pashe Vrioni, dhe kishin ruajtur miqësinë.

Anglezët nuk e dorëzuan babain tuaj dhe Mit’hat Frashërin. Sipas mendimit tuaj, përse nuk e dorëzuan?

Unë nuk mund ta di. Politika e tyre ishte prishur, misionet britanike dhe amerikane ishin dëbuar, dhe ishin mbyllur ambasadat.

Ali Këlcyra në Romë
Ali Këlcyra në Romë

Babai juaj konsiderohet figurë komplekse, i dënuar katër herë me vdekje dhe se ka bërë burg në çdo regjim. Gjithë ky tallaz ndaj babait tuaj çfarë ka sjellë në figurën e tij?

Mbase një shembull që brezat e ardhshëm duhet ta kenë parasysh, ka sakrifikuar vërtet jetën e tij sepse familja ka qenë numri dy për të. Është interesante se ishte nga një familje bejlerësh, por jeta e tij nuk është mbështetur nga një shtet apo qeveri e huaj. Nuk ka patur asnjë detyre qeveritare. Ka qenë në një pozitë më të lartë, por i zgjedhur me votat e popullit. Dhe kjo nisi ditët që u dogjën sarajet.

Në vitin 1914 digjen sarajet. Si është ky moment? Çfarë ndodhi?

Ndodhi që kur plasi lufta, Këlcyra u zaptua nga grekët dhe nuk kishin shtëpi dhe shtabi ushtarak ishte në muret e sarajeve. Nëna e babait tim e kishin dërguar me xhaxhanë e babait, te e bija që është e martuar me HASAN Bej Biçakun ndërsa babai me xhaxhain me gjenden në Këlcyrë. Një ditë i paraqisnin beut të fundit të Këlcyrës, Muhamet Beut që të njohë kufijtë Përmet-Tepelenë si kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë. Xhaxhai kundërshtoi, dhe si përgjigje erdhi një ultimatum, për 48 orë ose do të nënshkruhej pranim ose do të digjeshin sarajet dhe Muhammed Beut ka thënë se më mjaftojnë katër orë, për të nxjerrë 118 trima që ishte garda e sarajeve atë ditë. Grekët i dogjën sarajet. I thanë babait që eja me ne të luftojmë grekët. Ndërkohë që babai tha se nuk di të përdor armë, babai e urrente gjahun. Ata i thanë që nuk kemi nevojë për të përdorur ti armë, ti ec përpara se ne vijmë pas për të luftuar. Këtu nisi jeta politike e babait tim. Më vonë ai u njoh më shumë në popull, derisa mori pjesë në Luftën e Vlorës. Unë dua të bëj një apel, të mbrohen monumentet në jug që po vidhen, po shkatërrohen.

Është një moment që babai juaj ka takuar Ismail Qemalin?

Me rastin e një konference për shtyp, babai pyet se dhe merr vesh se Ismail Bej është përpara gazetarëve dhe shkon për ta dëgjuar dhe për ta njohur. Edhe e dëgjon, jep informacione në kufi midis Shqipërisë e Greqisë. Ai kërkonte të jepte përshtypjen se situata nuk është agresive, ndërkohë që babai u revoltua dhe në gjuhën frënge i thotë “Zotëri më duket se nuk jeni i mirëinformuar sepse unë vij nga Fronti dhe situata është tjetër”. Ismail Bej nuk ishte i kënaqur dhe i thotë për cilën gazetë shkruan. E pandehu gazetar. Babai prezantohet, dhe ai u çudit sepse fliste frëngjisht. Ky ishte takimi i parë e i fundit me Ismail Qemalin.

Cili ishte aktiviteti tjetër i Ali Bej Këlcyrës?

Në kohën e Princ Vidit, babai ka pritur mbretërshën Sofi dhe i ka mbajtur asaj një fjalim. Më pas vjen lufta e Vlorës dhe për këtë shkak Italia thoshte se babai është jo antifashist por anti italian.

Mbaroi Lufta e Vlorës. Një moment historik për Shqipërinë. Kongresi i Lushnjës dhe parlamenti i parë, aty ku Ali Këlcyra zgjidhet deputet?

Ka marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe zgjidhet nga Gjirokastra deputet në parlament. Ishte një fitore e madhe sepse kundërshtar ishte Mufit Bej Libohova që ishte kandidat i familjes së Këlcyrës. Xhaxhallarët i kërkuan babait që ta tërhiqte kandidaturën, por ai nuk pranoi. Mufit Beu ka ruajtur miqësinë me babain tim.

Keni vendosur të mos jetoni në Shqipëri. Kjo është një revoltë e juaja për atë që nuk i është dhënë babait tuaj?

Fakti që kur ka ardhur komunizmi në Shqipëri, shtëpinë e kishte djegur greku, dyqanet ishin djegur nga italianët. Një familje që është goditur sepse ka bërë rezistence. Është e vetmja familje që ka pranuar t’i digjet shtëpia sepse nuk donte t’i përulej një shteti tjetër. Italianët në 1940 e dogjën tre herë shtëpinë. Të dytën herë dogjën 44 dyqane. Edhe unë kthehem në Shqipëri dhe mua më kanë kthyer ca gurë të prishur dhe unë si qytetare e atij vendi, nuk me njihet asnjë dhomë ku mund të banoj. Të paktën gjestin. Pse mua mos të më kthehet si dëmshpërblim? Por kur unë pyeta, pasi një shoqëri austriake kërkonte të ngrinte një shoqatë për asistencë për azil, dhe kishte vajtur në Këlcyrë pa ditur se nga vij. Pasi pyeta kryetarin nëse ka ndonjë tokë të lirë, më tha se mund të ketë. Kur i pyeta nëse mund të ma ktheni, me komunikuan se duhet ta blej! Nëse ka një drejtësi, të vijë një njeri që ia ka djegur në luftë. Qeveria, ka si detyrë që t’i japin një shtëpi ku të jetojë.

Zonja Hëna, në Paris babai juaj është takuar me Enver Hoxhën, kanë pirë kafe pas çlirimit 1944. A është e vërtetë?

Fillimisht babai im është takuar në Paris me Enver Hoxhen, tre herë para vitit 1939. Herën e parë është kur vdiq vëllai i babait, Faik Këlcyra. Ai vjen në vitin 1935 për të ngushëlluar me një kuti me puro. Ndërkohë që herën e dytë për lindjen time si edhe për ditëlindjen time. Herën e parë që ka qenë në Itali tek kunati, edhe i jep bariu një letër për babain. Brenda ishte “Bari Ali të lutem, ndihmoje se ka disa kërkesa sepse e kam kunat” dhe babai e pyet, dhe Enveri kërkon të hyjë në Bashkimin Kombëtar. Nga Faiku, babai e dinte se kishte një bursë të shtetit dhe që nuk i kishte kaluar disa provime. Kur zoti Hoxha i thotë babait se dua të hyj edhe unë në Bashkimin Kombëtar, i cili kishte si synim të rrëzonte mbreterin e Zogut. Babait i thotë si kërkon të hysh, ndërkohë që t’i je me bursë të mbretit Zog? Babai i thotë Enverit nuk të vjen turp që me paratë e shtetit dëfren, i ke zënë vendin një tjetër studenti që mund të kishte studiuar. Ai i tha se edhe nëse do të ishin paratë e babait tënd, duhej të të vinte turp sepse do të kishte dërguar me djersë. Enver Hoxha, babain tim nuk e ka urryer vetëm si kundërshtar politik, por edhe për këto arsye. Ne nuk jemi organizatë bamirëse.

Ju mendoni se ky ishte shkaku që Enveri e futi në listën e kriminelëve të Luftës?

Babai e ka kundërshtuar Enver Hoxhën kurdoherë. Ka qenë shumë hakmarrës Enver Hoxha. Babai kishte besim të madh në popullin shqiptar, se burrat vriten e fëmijët e gratë nuk preken.

Na tregoni pak momentin kur takohet Fan Noli me xhaxhain e babait tuaj, Islam Ben në parlament ?

Babai ishte në parlament, dhe kur dilnin shkonin në restorant së bashku. Në vendin e tij babai gjen një letër nga xhaxhai i cili thotë se kam ardhur nga Këlcyra dhe po kaloj të të takoj. Babait nuk i pëlqeu ky fakt. Por Fan Noli e shikoi se babai prishet në fytyrë, dhe e pyet nëse ka ndodhur gjë. Babai i bën të ditur për letrën dhe Fan Noli e pa si diçka pozitive. Edhe Fan Noli e dinte se xhaxhai nuk kishte bërë shkolla të larta jashtë, dhe kur e takoi atë nisi biseda nga bujqësia. Ndër të tjera Fan Noli i tregon që kishte blerë 6 dhi nga Malta sepse donte qumësht. Edhe Islam Beu i thotë se pse s’më thatë tua sillja nga Këlcyra. Por menjëherë Noli i thotë se këta sjellin më shumë qumësht. Nuk e dija se kafshët kanë ndryshime e njerëzit janë njësoj, ia kthen xhaxhai.

Cila është lidhja juaj me Toptanët ?

Kam lidhje nga mamaja. Halla e mamasë ishte martuar me një toptan, e cila bëri tre vajza. Vajza e madhe ishte e ëma e Eqrem Bej Vlorës, vajza e dytë ishte martuar te Pashot edhe e treta, të cilët tiransit e quanin Esat Pasha me fustan.

Ju keni ardhur në Shqipëri në vitin 2007 dhe keni vendosur të mos jetoni në Shqipëri. Përse kaq vonë?

Nuk erdha sepse babai im nuk ishte i rehabilituar nga qeveria që erdhi.

A ishte e mjaftueshme dekorimi që bëri Bamir Topi dhe Jozefina Topalli?

Babai në jetën e tij nuk ka marrë kurrë dekorata dhe nuk ka bërë kurrë përpjekje për t’u bërë ambasador. Babai im ka qenë 100% parlamentar. Madje ai nuk do ishte i aftë për të qenë kryeministër sepse nuk ka qenë kurrë nëpunës. Nuk mund të bëhesh kryeministër menjëherë.

Ish-kryeministri Pandeli Majko më ka thënë në një intervistë se largimi i Ahmet Zogut në 7 prill 1939 nuk ishte tradhti. Cili është komenti juaj për këtë?

Unë e gjykoj se nuk ishte tradhti. Babai im ka qenë kundërshtar i mbretit Zog, por me zbarkimin e italianëve në Shqipëri për komunitetin e Bashkimit Kombëtar, babai i ka dërguar telegraf qeverisë që të qëndrojë, sepse tërë opozita ishte gati të bashkëpunonte. Kjo është prova më e mirë se kur dolëm jashtë, aleatët e liruan nga kampi i përqendrimit. Ajo që kërkonte babai ishte një bashkim i tërë rrymave politike antikomuniste. Babait tim i thanë që ti je ndalesë, pasi ti je kundërshtari kryesor i mbretit Zog. Edhe babai tha se unë kam qenë kundërshtar por sot e kërkon interesi i vendit. Unë kam luftuar politikën e jashtme të mbretit Zog, por jo se kisha rivalitet. Që nga viti 1939, mbreti Zog s’ka bërë asnjë veprimtari në dëm të Shqipërisë. Për këtë nuk shoh përse ta kem problem bashkëpunimin.

Në historinë e Shqipërisë nga Ismail Qemali tek Edi Rama, janë 33 kryeministra. Cili është kryeministri që i ka dhënë më shumë këtij shteti?

Unë nuk jam historiane, por për mua është Ismail Bej Vlora. Shumë thonë se nuk ka qenë i aftë si kryeministër, por nuk gjykojnë situatën kur ai ishte kryeministër. Si kryeministër edhe Mbreti Zog kanë qenë pozitiv.

Po kryeministri që nuk ka bërë atë që nuk duhet të bënte?

Berisha ka qenë shumë negativ në këto 20 vite. Ditën e flamurit humbi rastin të thërriste për bashkim të tërë popullin, sepse dihet që dilnim nga një shekull që pati vrasje. Ai e pati rastin, dhe duhet ta kishte bërë këtë gjë.

Cili është mendimi juaj për kryeministrin e fundit që i dorëzoi qeverinë Enver Hoxhes, Ibrahim Bicakciu?

Ai është kushëriri i mamasë sime. Unë nuk e di nëse ia ka dorëzuar Enver Hoxhës qeverinë, por di që Ibrahim Bicakciun e zgjodhën si kryeministër kur erdhën gjermanet, pasi kishte studiuar në Gjermani e Austri. Për mua ai ka bërë një akt shumë të shëmtuar, sepse duke qenë kryeministër, ai ishte në dijeni të një dokumenti, të cilin ia kaloi partizanëve. Informacioni njoftonte se gjermani do të tërhiqej. Kjo ishte kundër interesave të tij, sepse ai ishte kryeministër. Është tradhti, se Gjermani nuk ishte pushtues. Pushtues ishte Italia.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top