E njëjta metaforë, mesazhe të kundërta

SHKRUAN: ÇELO HOXHA

“Sahara” në perspektivën e Ismail Kadaresë dhe Vilson Blloshmit.

Një poezi me temë të përbashkët, me të njëjtin titull, shkruar thuajse në të njëjtën kohë, nga dy poetë me fate skajshmërisht të kundërt: njëri vazhdoi të mbetej shkrimtar i nderuar e politikan i niveleve të larta (anëtar i Kuvendit Popullor), kurse tjetri u përzu krejt nga bota me këtë imazh të fundit prej saj: dritën verbuese që prodhuan tytat e pushkëve të togës së pushkatimit.

Poezia “Saharaja” e Vilson Blloshmit, e shkruar në vitet 1973-1974, u lexua vetëm nga autori, ndonjë mik i tij (kjo nuk është e sigurt), hetuesit dhe një mësues letërsie në gjimnazin e Librazhdit, i ngarkuar nga hetuesit, për të shpjeguar përmbajtjen [armiqësore] të saj. Shkretëtira, në këtë poezi, është alegori për një krijesë të vetmuar, “që ka shok veç emrin e saja”, që s’sheh ëndrra, që s’di të ëndërrojë, që bluan vetëm gurë në mendjen e vet, që s’ka këngë për të kënduar, që s’ka miq e shokë dhe trashëgimtarë biologjikë. Shkretëtira e tij është një plagë në shpinë të rruzullit, të cilën s’e vë re askush, dhe që, sipas gojëdhënave, është shpikur “kur i duhej njerëzisë mallkimi”. Ajo nuk shqetësohet për namin e keq të saj, ajo qesh kur e shajnë, gëzohet kur njerëzit grinden me njëri-tjetrin, dhe, kur dikush “mallkon e shfryn e shan”, menjëherë nga skutat e kujtesës së njeriut del në skenë Saharaja, simboli i të keqes, që e kthen në identitet (“shkretëtirë e mbetur shkretë”) vetëm drita e diellit.

Në kushtet që është krijuar poezia dhe duke njohur fatin e autorit, ndonjë mangësi kuptimore, ose sforcim i rimës e ndopak mungesë redaktimi i vargjeve është i kuptueshëm. Vjersha aludon qartë për Shqipërinë e kohës së poetit, i cili ka rrokull thelbin e saj, me metaforën: “plagë mbi shpinë të rruzullimit.” Këtë, pak vite më vonë, “eksperti” Koçi Petriti, do ta kishte interpretuar si një antitezë të sloganit të parapëlqyer të diktatorit: “Shqipëria fanar ndriçues në botë”, por në janar 1977, kur ai bëri “ekspertizën”, Shqipëria nuk ishte prishur ende me aleatin e saj të fundit në botën komuniste e jo komuniste, Kinën.

Poezia e Kadaresë, “Sahara”, 1976, është alegori për një botë që i përket të shkuarës dhe jo tërësisht e përcaktuar me identitet e kufij shqiptarë. Në origjinë, kjo botë ka qenë një perandori pjellore, plot blerim, e cila u braktis nga shirat, flokët e borës (“dhe iknin retë me karvanë”) dhe, rrjedhimisht, nga gjithçka jetësore. Zhdukja e jetës në këtë perandori, e krahasuar me menopauzën femërore, trajtohet si një zhvillim organik, si një proces natyror jashtë kontrollit të njeriut, dhe është në përputhje me dialektikën marksiste të progresit historik. Kjo është pjesa e parë e poezisë. Në pjesën e dytë (çdo pjesë ka tre strofa 4-vargëshe), poezia shpalos botën ku jeton poeti, në qiell, në fluturim, në avion. Duke kaluar sipër shkretëtirës, ai kërkon diçka të gjallë me sytë poshtë, dhe e vetmja gjë që shquan është një këngë e dhimbshme kurbeti: “Mbeçë more shokë, mbeçë”. Perandoria, Ura e Qabesë, shkretëtira, janë koncepte me rezonancë në kujtesën e lexuesit shqiptar: periudha otomane e shqiptarëve. Në pjesën e tretë, flitet për agresione kulturore që “përshkojnë botën skaj më skaj”. Kultura që përfaqëson poeti (normalisht, kultura socialiste), është në betejë me kulturën e një bote që, ashtu si perandoria osmane, ka një urë të famshme: ura e hekurt e Bruklinit (Nju Jork). Dhe, për t’u mbrojtur nga agresioni, përdoren këngët popullore, njëra prej të cilave është ajo për Urën e Qabesë. Poezia mbyllet me një lloj toni militarist, me këngët popullore që rrinë “si karakoll në post të parë”.

Poezitë janë të dyja qartësisht politike, por, të shkruara me qasje të kundërta, në kohën e një regjimi politik që nuk e lejonte diversitetin, është e kuptueshme që poezia Blloshmit ta ketë mesazhin më të fshehur. Por, ama, një gjë është e sigurt, “Saharaja” nuk është një poezi hermetike – me figuracion të vështirë për t’u zbërthyer, siç e ka vlerësuar “eksperti”, një mësues letërsie në një shkollë të mesme në periferi të Saharës.

Duke e lexuar poezinë, mjaftojnë pak elementë për të rrokur kuptimin e saj: Saharaja, mallkimi i njerëzimit, vetmia, urrejtja që prodhon, mjaftojnë për të ndërtuar një analogji me diktaturën komuniste e cila e kishte zbritur nivelin e jetës në kufirin minimal të ekzistencës (Sahara), e urryer nga të gjithë jashtë e brenda vendit (mallkimi i njerëzimit), e izoluar nga bota (vetmia) dhe në luftë klasash të përhershme (urrejtja). Edhe figuracionin në vjershën e Kadaresë, megjithëse është në përputhje me frymën politike të regjimit, nëse dikush do të kishte qenë tendencioz, mund ta klasifikonte si hermetik, sepse ai nuk i thur lavde të drejtpërdrejta diktatorit dhe partisë, që për anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte thuajse normë, por krenohet, në mënyrë alegorike, me botën që ata i kanë krijuar dhe ai po e shijon.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top