E MALLKUAR QOFTË AJO ORË QË SOLLI KËMBËN E TURKUT NË SHQIPËRI

MIT’HAT FRASHËRI, Botuar më 1924

Është virtyt që njeriu të shohë dhe të njohë të metat e tij. Kur e shohim fajin, e ndjejmë që lajthitëm, jemi të penduar. Kjo siguri zgjon ndër ne dëshirën dhe vullnetin që të veprojmë, të ndreqim shtrembësinë, të hyjmë në të drejtë. Ne shqiptarët, ti miku im që këndon këto radhë, dhe unë që po i shkruaj, jemi plot faje, plot të meta.

Kemi karaktere të liq, të trashëguar nga kohët e shkuara, nga stërgjyshë, nga paranikët. Duhet t’i zhdukim ne, të mos i trashëgojmë te djemtë tanë, të mos i bëjmë të na japim mallkim. Ne sot nuk ngarkojmë me nëmë gjyshët tanë: ata nuk qenë të përgjegjshëm, se nuk i shihnin fajet. Po ne i prekim me dorë të ligat tona; prandaj duhet të mos i hedhim mbi kurriz t’atyreve që na pasojnë.

Vendi ynë i coptuar, i gërxhosur, plot shkëmbinj dhe gryka, na ka bërë t’ashpër, pak të keq, egoistë, plot kotësi, të pabashkuar, të pashoqëruar. Altruizmi dhe solidariteti i ka munguar këtij populli të mjerë. Jeta e njeriut s’ka pasur ndonjë vlerë, pushka kërcet vetë vetiu, dhe ai që “vdes në një ferrë” nuk quhet fatkeq; ai që shuan jetën e tjetrit, që mbyll një shtëpi, nuk e sheh të turpëruar veten e tij; mburret, hiqet krenar.

Dheu i varfër, malet e shkretë, pjellori e pakët e tokës, e kanë shtyrë shumë herë në rrezik që të mbetet pa bukë, të kënaqet me një ushqim mizerabël. Prandaj edhe kujdesi i tij ka qenë të sigurojë sa të mundë me tepër ushqim për veten e tij, të lakmojë gjënë e tjetrit, të përpiqet t’ja grabitë plaçkën, drithin ose kafshën.

Gjeografi i vendit e ka bërë të ketë një kotësi qesharake, një egoizëm të ngurtë, të vërë veten e tij, unin, përpara çdo sendi. Gurrët dhe shkëmbenjtë e kanë bërë lakmitar, grabitës, të vrast një njeri për një hudhër, për një grusht bar, për një pëllëmbë arë. Po s’ka qenë vetëm varfëri dhe shterpëri e vendit që ka pjellë këto veti; ky dhe ka qenë i begatë dhe pjellor, kur ka dashur që të punojë shqiptari. Se, shqiptari s’ka dashur kurdoherë ta punojë tokën; punën e ka shikuar si një turp, një mëkat, një mallkim, një përbuzje. (Shqiptarit i pëlqen më tepër të vejë me dhën: berrat i ruan qeni dhe ai lot kartrat ose rri shtritur në shullë, i vë synë diellit).

Sundimi pesë herë shekullor i Turqisë, një sundim nga më të zezët që kanë njohur historitë e botës, na ka shtuar të metat e vjetra, duke na pakësuar virtytet: Turku na mësoi edhe një herë akoma më përtacë, më të harbuar; me anadollakun, si jeniçer ose bashibuzuk, kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bagdat dhe në Jemen; më vonë jemi shkruar zaptie për një mexhitkë në muaj, dhe kemi vdekur në Gjirit, na janë zbardhur eshtrat në rërë të Fizanit. Kjo jetë bashibuzuke dhe kondotiere, një rrojtje ku shisnim jetën tonë për një kacidhe dhe i merrnim shpirtin e tjetrit për më pak akoma, na mësoi që të mos e duam ligjin, që mos e njohim, të mos i bindemi. Na stërviti edhe një herë më tepër që të rrojmë me rrëmbim dhe jo me djersën e ballit tonë.

Kur qeverimi turk zgjuante dhe ushqente arrogancën në zemrat e të fortëve, tërë n’atë kohë ngjallte do vese jo më pak të dëmshme në krahëror të atyre që ishin të dobët, vese që shkrimtari grek s’ka mënuar t’i quajë të meta skllavore, për të rrëfyer se lindin ndër ata njerëz q’i janë poshtëvënë një synimi të keq dhe të padrejtë. Arroganti me të dobtin bëheshin armiq një smirë e fshehtë lindte dhe rritesh në gji të tyre; dy mise të një trupi largoheshin njëri prej tjetrit, mirrnin tendenca të tjera, për të shkatërruar edhe më tepër akoma këtë Shqipëri të mjeruar, duke çelur një gropë.

Me këtë mënyrë shumica e Shqiptarëve duke pasur mendjen në aventura në Misir dhe në Konie, në Rusçuk dhe në More, vendin tonë e lamë fare të shkretë: lumenjtë buçitnë, fushat u mbytën, malet u zhveshën. Edukata që morëm në oxhakët e jeniçerëve na bëri të jemi të këqij dhe të padrejtë kundra vëllezërve tanë më të dobët, të humbasim çdo ndjenjë dhe virtyt kombi, të gjendemi si fis i egër, armik dhe i përçarë me njëri-tjetrin, pa asnjë farë bashkimi, indiferent në përparim, të mërguar prej çdo lumturie materiale, meqënëse të larguar nga bashkimi, pa bashkëpunim dhe pa solidaritet.

Dhe kështu, shekulli i nëntëmbëdhjetë, kjo kohë e dritës, e qytetërimit dhe e zgjimit të ndjenjave kombëtare, na gjenë, neve shqiptarët, krejt në gjumë, pa njësi, pa bashkim, pa literaturë, sa dhe pa alfabet.

Na u desh një forcim i madh që të zgjohemi prej afionit që na kishte dhënë sundimi i osmanxhikut. E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e aziatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi ne si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mendjen dhe vetëdijen tonë, një kohë errësire që mend e shoi çdo ndjenjë njerëzie, çdo cilësi njeriu të ndershëm.

Në qoftë se kujtojmë këto të këqija, e bëjmë që të bindemi mirë për shëmtimin e tyre, të ndjejmë thellë në zemër fajin tonë, qoftë dhe një faj i pjellë prej konditave fatale të jetës dhe të rrethanave. Duke parë në këtë mënyrë thellësinë e greminës ku kemi jetuar, do të kuptojmë dhe më mirë detyrën që na bie mbi supe që të lëkundemi fare nga influenca e zezë, që të shpëtojmë nga pushtimi i një jete gjysmë barbare.

Synimi i huaj u ka dhënë të meta edhe më të mëdha akoma se nga tonat, popujve të tjerë. Po një vullnet i fortë i ka shkundur, dhe kanë shpëtuar veten e tyre.

Kur e shikon njeriu në sy të metën, mund që edhe ta shpjegojë, se e kupton që influencat historike janë sende fatale. Inati dhe zemërimi nuk hyjnë me punë se dëftojnë karakter të dobët. Ajo që na duhet është durimi, puna e qetë, e palodhur, me vazhdim metodik, pa u rrëmbyer, pa menuar, pa u zvertitur.

Inatin dhe zemërimin mund ta kemi për veten tonë, se vetëm ne do të jemi të përgjegjshëm, vetëm ne do të pësojmë prej dëmit që do të na vijë. Po, kur është fjala për dobin e përgjithshme, kur kemi të bëjmë me interesin e kombit, atëherë na duhet sjellje e matur, prudencë perseverente, që të ecim mengadalë dhe me siguri. Vetëm kështu, duke ecur dhe jo duke rënë me hundë, mund që të bëjmë të zhduken të metat e mbledhura dhe të grumbulluara gjer më sot, të sjellim ato cilësi që e bëjnë njerin e egër një komb të butë, që e bëjnë fisin barbar një popull të qytetëruar, të fitojmë virtytet që bien bashkimin, bashkëpunimin, solidaritetin ndërmjet miseve të një trupi, të njohim ligjin, t’i bindemi vullnetarisht nomit, t’i shtrohemi një farë robërie të ëmbël që na shpëton nga jeta e ashpër.

Vajtimi nuk hyn në punë, se sjell dëshpërimin e fatalizmit. Kundër një të lige, përpara një mynxyre, duhet vepruar, do prurë një reaksion, që të vijë zgjimi pas gjumit, larg dehjes, një zgjim veprimtar, me vullnet të vërtetë, me punë të fortë, motra dhe mëma e shpresës pjellore. Një veri e bën detin që të buçasë. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Një të tillë frymë krijonjëse duhet të kemi.

9 thoughts on “E MALLKUAR QOFTË AJO ORË QË SOLLI KËMBËN E TURKUT NË SHQIPËRI”

  1. Shume e mmlefin e keni me fene Islame e me muslimanet. Per te mos i sha direkt viheni ne rradhe tu sha turkun
    Kete e veshni me gjoja patriotizem. Po ju ha meraku se u ka lane turku te pazhvilluar.
    Ba me e lexu realisht historine, do shihni se populli shqiptar ishte nen nje proçes te dhunshëm tjetersimi nga dhuna e perandorise serbe.
    Fitorja e osmaneve ne Fushe kosove me 1389 i shpetoi shqiptaret nga dhuna asimiluese serbe.
    Nuk ia keni as idene me te vogel te zhvillimeve ne raportet shqiptaro osmane.
    Ardhja e osmaneve u dha shqiptareve mundesine e frymemarrjes si popull si shqiptar si katolike si ortodokse e si muslimane per ate komunitet te vogel muslimanesh qe ishin ne popullin tone para ardhjes se osmaneve.
    Ndersa per pjesen tjeter te bashkejeteses shihni zhvillimet sociale ekonomike kulturore e politike neper te cilat kaloi populli shqiptar ne keto pese shekuj bashkejetese osmane ne te gjitha dimensionet.
    Gjithashtu renia e kesaj perandorie u shoqerua me masakra te papara ndaj popullit shqiptar.
    Burimet angleze flasin per gati 1 milion shqiptare te vrare nga sllavet ne Ballkan (gjate lufterave ballaknike)pas renies se Perandorise Osmane
    Se nuk po flasim se çfare bene shtetet europiane (nuk po i quaj te krishtera ) me popullin shqiptarqe nga 1913 e me pas (Fuqite e Medha)
    I vetmi burim i juaji duhet te jene librat e komunizmit, ose qarqet antiislame qe gelojne ne Shqiperi dhe mbjellin veç dezinformacion, ne veçanti antiIslam.
    Keqardhje per ju.

    1. Historia juaj mesuar nga nga dashakeqes dhe mosnjohjes te historise. Se pari o mik shqiptari ishte kristian dhe nuk kishte nevoje te asimilohej, greku e serbi nuk ndoqi kristianet por muslimanet qe shpesh vetdeklaroheshin turk, ketu iken arsyeja e pare. Se 2ti shkembimi i popullates me kerkese te Turqi-Serbi dhe Turqi-Greqi rezon çdo lloj teze te osmanllinjve. Mos lejimi ne shkollimin ne gjuhe amtare dha resultatet e veta 95% analfabete. Do te duheshin libra te tere per te vertetuar negativitetin qe pushtimi osman solli kete gjendje te mjere. Fatkeqesisht dhjetra vjet me vone pas kesaj qe ka shkruajtur Mit’hat Frasheri tingellon aq reale sa nuk ku te veje me, jemi popull dembel qe kerkojme te pasurohemi brenda nates. Shiko rinine 30 vjet qe ikin se s’duan te punojne dhe punedhenesit nuk paguajne

  2. Shqiptaret qysh me 1912 eshte desht te pershendeten me perandorin dhe kulturen e saj .Pasojat veq po shifen dhe shpresat per nji te ardhme te ndritur veq jane zbe.

  3. Turkia qe na mbajti te pushtuar pse nuk eshte ende ketu sepse kjo toke ishte e jona ne jetonim ketu den baba den dhe askush tjeter nuk mujti te ngulitej ketu se ishim ne .Prandaj Turkia e ka per Obligim te na ndihmoi shume por ajo asnji metelik nuk e shpenzon per shqiptar.

  4. Historia jone me Turqin eshte ” njolla me e zeze me historin tone Kombetare.
    Ti thuash “vlla” eshte poshterimi me i madh qe i bejme Kombit Shqiptar. TURKOSHAKET e mi e duan dhe i thone “Byjrym vllai pushtues ” me vjen turp qe jetoje ne mesin e tyre.Kjo nuk do te thote se Turqit e sotem jane “armiqet tane por nuk Jane as vllezerit tane. I duam si Turq aq sa te na duan si Shqiptar.E nese na do se kemi “musliman” Duhet ti themi hapur e shkoqur “BEJ te FALA -sateme.

  5. Unitet ne Diversitet. Ne Shqiptaret e duam dhe e respektojme Kombin Turk aq sa Ai siqerisht na do e respekton si Shqiptar.Historia e pushtimit Otoman eshte “Varri” ku duhet te hedhim deformimin IDENTITAR te Kombit Shqiptar. Sa me shpejte ti Varrosim aq me shume e me mire do te jemi Shqiptat. Vendi im Shqiperi ka per fatin e Zi ka me bollek “TURKOSHAK”. Ejvallah, bysmylah, marshallah, aleqem selam bej te fala satam etj etj. Koha eshte e jona por po ecen pa deshiren e vullnetin tone. Hygjym te kapim trenin e fundit per ne EUROP por ju lutem JO nga Ura e Vosforit, se shkojme ne TURQENI te Varri ku duhet te hedhim “smundjet ” qe trasheguam nga pushtimi 500 vjecar.

  6. Elez Hajdari

    Perandoria Turke ka sinduar deri ne Vjen , o i nderuar, por e ka humbur luften me Rusin dhe aleatet e saj, e klysht e Rusve, Serbet, e Greket i grabiten tokat tona, historin e lashtësisë ton, e masakruan popullin ton , ne armiq i kemi keta te fundit, nuk kemi nevoj me hapë frontin ndaj miqvce tan, Amerika per Azi e ka mik Turkin, per Europë Anglinë e Francën e ne ken e kemi NE , as veten ton. Edhe nese i kemi na i Humbim se nuk dim me rujt mikun ,e as me luftu armikun.Populli ashtu siq e meriton , Ashtu edhe Qeveriset.

    1. Turku ma i zi se Serbi dhe Greku, por edhe ma i zi që kurr nuk mund me la asht Shqiptari që e don Turkun.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top