Deputetja e LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social facebook i ka habitur të gjithë shqiptarët, duke e shkruar një përkujtim ideopolitik për ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela.
“Para 10 vitesh, në 18 korrik 2009, Kombet e Bashkuara përmes një rezolute vendosën që në këtë datë të përkujtohet aktivisti i shquar afrikano-jugor, Nelson Mandela.
Kjo datë, e cila është edhe datëlindja e kësaj figure që ka lënë një trashëgimi për gjithë botën, sot njihet si Dita Ndërkombëtare e Mandelës, këtij njeriu që dha gjithë jetën e tij për drejtësi shoqërore, për barazi e çlirim për popullin e vet.
Për dekada të tëra Mandela u burgos e vuajti përndjekje, por kurrë nuk u dorëzua. Ideali për atdheun e popullin e tij ishte më i madh se shtypja e egër nën apart’heid.
Ne shqiptarët e kemi provuar egërsinë e apart’heidit nën Jugosllavi, dhe kemi qenë me fat që edhe ne kemi patur pishtarë njerëzorë, të cilët njësoj si Mandela, kanë bërë dritë për kombin tonë në atë natë të errët. Ende kemi të tillë mes nesh, që nuk i ndal dot as dhuna e shtypja, as korrupsioni e presioni, në betejën e tyre për emancipim e çlirim, për barazi, drejtësi e bashkim kombëtar.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Mandelës i nderojmë të gjithë ata që marrin shembuj nga shpirti i pathyeshëm i Nelson Mandelës, e nëse ai ia kushtoi 67 vite të jetës çështjes së çlirimit e drejtësisë, ne së paku t’ia kushtonim 67 minuta në ditë çështjes së drejtësisë shoqërore e përparimit në vendin tonë, sepse ky është kontributi më i mirë politik që mund t’i japim botës.”, thekson në postimin e saj zonja Albulena Haxhiu.
***
Një analizë përmbajtësore e tekstit të shkruar nga zonja Haxhiu nxjerr në pah tërë gamën vdekjeprurëse që subjektet e majta politike po ia shkaktojnë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve. Si redaksi, s’kemi asgjë kundër përkujtimit të një luftëtari të huaj, i cili, tek e fundit luftoi për interesat e kombit të vet, duke bërë emër edhe përtej kufijve të shtetit që dikur e praktikonte ndarjen racore. Megjithatë, kur përkujtimi i një luftëtari të huaj bëhet në emër të barazisë (cili është definicioni shkencor për barazinë, z. Haxhiu, dhe çka nënkuptoni ju me te), çlirimit dhe bashkimit kombëtar, atëherë nuk mund të heshtim para fakteve që janë vërtetë tronditëse për opinionin dhe intelegjencën shqiptare. A e njohin deputetët e LVV-së historinë e kombit shqiptar? A kanë dëgjuar këta deputetë ndonjëherë për Musine Kokalarin dhe pse nuk e përkujtojnë kurrë atë? Po për Marie Shllakun e Sabiha Kasimatin? A ka dëgjuar Albulena Haxhiu për deputeten Silvie Gjinaj? Po për shkrimtarin Havzi Nela? Kësaj liste të pyetjeve do ia shtonim me dëshirë edhe mijëra të tjera, sepse shqiptarëve nuk ju ka munguar kurrë shembulli vetjak. Janë me mijëra shqiptarë e shqiptare që meritojnë përkujtim, vlerësim dhe ngritje në piedestal, por ja që deputetët e majtë në Shqipëri e Kosovë, duke mos pasur asnjë vlerë të veten për prezantim, kapen pas Miladinëve, Dushanëve, Vojo Kushiqëve, Svetozarëve etj. etj., duke i lënë anash kontributdhënësit e mirëfilltë dhe pakontestueshëm për liri, shtet dhe bashkim kombëtar.
PS.: Frymëzim bazik për zonjën Albulena Haxhiu – nga shkrimtari Havzi Nela
Kur të vdes – Havzi Nela
Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.
Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërrmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.
Thoni se e qorroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”
Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me k’nue.
Mbi vorr tem me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma l’shue.
Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”
***
ENI TA VAJTOJMË SHQIPËRINË – HAVZI NELA
(fragment)
Eni ju o motra, eni ju o gra,
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le t’a shpallim zinë
Me gjamë e me kujë t’a vajtojmë Shqipninë
Le t’a qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru
Le t’a qajmë këtë nanë, le t’a qajmë këtë bijë
Le t’a qajmë këtë nuse, pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, t’a shohë gjithë bota
Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqanja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditët e vendit, e kan vu nën kambë
E mposhtën, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronët e kohës, ia banë jetën vorr
E veshën me gjemba, me tela e therra
E kyçën nga brenda, se lanë as te dera
N’derë, as n’dritare , se lanë me pa fare
Ia kane kepë sytë, per faqe t’zezë e marre
Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithen shushunjëzat, i ligu – mizori
E thanë , e ç’nderuen , epshori e horri
A e dini shqiptarë, n’ç’greminë kemi rà
Hangrëm njeni-tjetrin , u mbytëm vëlla me vëlla
Hangrëm njeni-tjetrin, me kurthë e t’pabesë
Me thasë e intriga, shamata rri ndeze
O Zot , çka po hjekim , çfare na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja , as kur zbardhet dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë , na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë, sot të gjithë në kambë
Nuk rr’nohet me zor , nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu, pa diell e hanë?
Jo, jo , nuk durohen, sarhoshët e marrë
Banditët e vendit, ti shporrim sa mà parë
Selinë e pergjakun, ta bàjmë rrafsh me tokë
Ngrehuni o vllazën , ngrehuni o shokë
A jeton shqiponja, e shembun pertokë
Thye krahë e pendë, lidhun kamb e kokë?
A jeton kjo zonjë, në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun ne gjak?
Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denjë, të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz,
Në det plot stuhi, me dallgë me u përplasë?
Shikoni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë, me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësine, vini vesh k’saj fjale
Po kapen dorë për dore, po hyjnë në një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote, që i shëron plag’të e vjetra
Burrel, shkurt 1977