E DOKTORUARA NË SORBONË DHE PËRKUSHTIMI I SAJ PËR KOSOVËN

SHKRUAN: BAJRAM MJEKU

Safete Juka, vajza e Musa Jukës nga Shkodra, tre herë ministër gjatë Republikës dhe Mbretërisë shqiptare, u arratis bashkë me familjen në vitin 1945 kur komunistët erdhën në pushtet. Në fillim migruan në Turqi, pastaj në Egjipt dhe së fundmi në Amerikë.

Safete Juka e njohur edhe si Sophia, kreu Institutin Nana Mbretneshë në Tiranë. Studimet i vazhdoi në Vjenë dhe doktoroi në Sorbonë të Parisit. Gjatë kohës sa qëndroi në Vjenë, u njoh me Leo Frojdnlih, autorin e librit “Golgota shqiptare”, në të cilin shkruan për masakrat serbe kundër shqiptarëve në vitet 1912 – ’13.

Për tetëdhjetë vjet Golgota u mbulua nga pluhuri i harresës. Gjatë regjimit komunist, libri u la në harresë. Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë komuniste dhe Austrisë u vendosën në shkurt të vitit 1956. Ambasadori i parë shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho i dorëzoi kredencialet në mars të vitit 1962. Nesho, do të ketë qenë në dijeni për librin e Leo Frojdnlih, por pëlqente heshtjen. Botimi i Golgotës do të prishte kurorëzimin e pashpallur midis partive simotra komuniste; shqiptares dhe jugosllaves.

Dr. Safete Juka ka ligjëruar edhe në Universitetin Georgetown në Washington. Në vitin 1984, shkruajti monografinë me titull: “Kosova: Shqiptarët në Jugosllavi në dritën e dokumenteve historike”.

Në vitin 1982, dr. Safete Juka organizoi një konferencë shkencore për Kosovën në Nju Jork. Çështjen e Kosovës e konsideronte fundamentale.
Dy vjet më vonë në arkivin e Universitetit të Harvardit, gjeti kopjen e vetme të Golgotës dhe e përktheu në gjuhën angleze. Në vitin 1992, dorëshkrimin në anglisht Juka ia dërgoi një shtëpie botuese në Hamburg. Për habinë e të gjithëve, botuesi gjerman Hans Peter Ullmann vendosi ta botonte në tre gjuhë; riprodhoi tekstin origjinal në gjermanisht dhe e botoi në gjuhën kroate. Nga anglishtja në kroatishte, libri u përkthye nga dijetari kroat dr. Stevo Tomkin dhe miku i tij dr. Slavko Leban. Një kopje të librit Juka ia dërgoi edhe presidentit amerikan, Bill Clinton pak muaj para se të niste bombardimi i NATO-s kundër caqeve serbe. Presidenti Clinton e falënderoi Jukën për librin përmes një letre personale.
Golgota shqiptare për herë të parë në gjuhën shqipe u botua në vitin 1995 në Tiranë, ndërsa në Kosovë u botua në vitin 2001 me titull ndryshe: Shfarosja e shqiptarëve.

Konferenca për Kosovën në Nju Jork e organizuar nga Juka bëri kthesa të mëdha. Shqiptarët nisën t’i braktisin demonstratat populiste dhe çështjen e pazgjidhur të Kosovës nisën ta trajtojnë në rrugë diplomatike. Atë që e bëri dr. Safete Juka në vitin 1982 në Nju Jork, të njëjtin vit e bëri veprimtari kosovar Enver Hadri në Bruksel. Ky i fundit, gjeti udhë për të hyrë në selinë e Bashkimit Evropian dhe dorëzoi Memorandumin për çështjen e Kosovës. Tetë vjet më vonë, Shërbimi Sekret jugosllav bëri atentat kundër tij në një udhëkryq në Bruksel.

Dr. Safete Juka ndërroi jetë në vitin 2005. As bota intelektuale, as mediat nuk i kushtuan rëndësi personalitetit dhe përkushtimit të saj për çështjen shqiptare, në veçanti çështjes së Kosovës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top