E dënoi me vdekje shoku i klasës, Aranit Çela!

Ndue Pali ishte një i ri nacionalist, ndër të parët që kundërshtuan fashizmin në Shqipëri, dhe i internuar për këtë shkak në Ventotene për 2 vjet e gjysëm gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Por ai ishte edhe një antikomunist, madje i cilësuar nga regjimi i Hoxhës, që në ditët e para të tij, si një element që e rrezikonte shumë aksionin e komunistëve për të vendosur pushtetin e hekurt në veri, sidomos në zonën e Dukagjinit. I arrestuar menjëherë pasi ai dorëzohet në besë, pas një amnistie të shpallur botërisht për të arratisurit, Ndue Pali provon muaj të gjatë torturash në hetuesinë e Shkodrës.

Gjyqi ushtarak në Shkodër e nxorri në gjykim në muajt e parë të vitit 1945. Që në daljen e parë në gjyq ai u përball me prokurorin Aranit Çela, një ish nxënës i shkollës tregtare me të cilin Ndue Pali kishte njohje të hershme. Në kujtimet e tij lënë në familje, ai thotë se Aranit Çela i kishte spiunuar gjithë organizatorët e demonstratës antifashiste në Vlorë dhe pikërisht për shkak të tij ishin internuar në Itali. Në gjyq, ndërsa prokurori Aranit Çela kërkon menjëherë dënimin e tij me vdekje, duke e akuzuar Ndue Palin si profashist, ai ia kujton ngjarjen e Vlorës Aranit Çelës, duke i thënë se ishte pikërisht ai që i kishte spiunuar tek fashistët dhe se ai kishte qenë bashkëpuntori i fashistëve e tashmë ishte shndërruar në xhelat të komunistëve. Gjyqi zgjati disa muaj derisa u dha verdikti final në korrik 1945, ku Ndue Pali dënohej me vdekje, pushkatim.

Nga ky moment, ai mbahet në qelinë e posaçme me disa të dënuar të tjerë me vdekje, ku prisnin orën e pushkatimit. Kjo pritje zgjati plot 1 muaj. Me 15 gusht 1945, në mëngjes herët, në këtë qeli ia behin xhelatët për ta çuar drejt pushkatimit Ndue Palin. Ai dhe shoku i tij i qelisë, Caf Meti, do të pushkatoheshin pikërisht atë mëngjes. Por, në momentin kur shkojnë për t’i nxjerrë nga qelia, Ndue Pali dhe Caf Meti luftojnë me gardianët me bishtat e lugëve, të cilat i kishin mprehur prej kohësh e i kishin shndërruar në thika.

Gjatë përleshjes, ata vrasin dy gardianë. Por, pasi policët marrin nën kontroll situatën, dy të dënuarit me vdekje i çojnë në Zall të Kirit, për ti pushkatuar. Aranit Çela kujdeset të shohë edhe çastet e fundit të jetës së ish-shokut të tij të shkollës, Ndue Palit.

Në rolin e prokurorit, ai i merr Ndue Palit dhe Caf Metit fjalën e tyre të fundit. Dokumenti i mëposhtëm, që kujto.al e sjell sipas origjinalit, zbulon fjalën e fundit të Ndue Palit. Procesverbali është nënshkruar në fund nga Aranit Çela.

“V.F.L.P.

Proçesverbal

I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje, Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra. Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para dreke, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:

“Ndue Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin! Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike! Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarëve! Të fala familjes.”

Prokuror (Aranit Çela)

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top